Prokuroria e Tiranës ka kërkuar në gjykatë masën “arrest në burg” për 31-vjeçarin, Gert Shehu, i cili goditi me grusht ish-kryeministrin Sali Berisha gjatë protestës së opozitës ditën e Samitit të BE-së më 6 dhjetor në kryeqytet.

Seanca për caktimin e masës pritet të mbahet të premten, teksa nuk dihet nëse do të zhvillohet në ambientet e Spitalit të Traumës, ku Shehu prej së martës po kurohet pas goditjeve nga truprojat e Berishës, apo në sallë të gjyqit. Kjo do të përcaktohet në bazë të gjendjes së tij shëndetësore.

Mësohet se marrja ne pyetje e tij nga ana e oficereve të policisë gjyqësore ka qenë e vështirë, pasi i riu ka pretenduar se e kishte planifikuar sulmin që prej vitit 97 kohë kur ai në fakt ka qenë vetëm 6 vjeç. Madje bëhet me dije nga burime të grupit hetimor, se Gert Shehu nuk ka shprehur as pendesë për sulmin ndaj Sali Berishës.

Me dëshminë e nënës se 31-vjeçari ka probleme të shëndetit mendor, dhe me bërjen publike të një vërtetimi mjekësor nga psikiatri që i ka dhënë kurë, prokuroria ka sekuestruar të gjitha kartelat mjekësore të Gert Shehut që prej vitit 2018 ku ai ka shfaqur çrregullimet e para. Pavarësisht kartelave, një ekip mjekësh do të rivlerësojë gjendjen e tij mendore.

Gjithashtu organi  i akuzës është në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore nëse i riu me origjinë nga Tepelena, me prindërit e divorcuar, ka qenë apo jo në ndikimin e lëndës narkotike në momentin kur kreu sulmin.

Paralelisht vijon këqyrja e kamerave të sigurisë në vendet ku ka lëvizur në tre ditët e fundit 31-vjeçari, për të parë se me cilët persona ka pasur kontakte. Video e fundit e bërë publike, pak momente para se të godiste Berishën, e shfaq Gert Shehun teksa del nga Xhamia e Tabakëve. Por nga radhët e demokratëve, ka pretendime se i riu mund të ketë qenë edhe në selinë e PD-së në momentet e para të grumbullimit për protestën.

31 vjeçari nuk ka qenë i panjohur për policinë. Më parë rezulton të jetë arrestuar në 30 tetor 2015, pasi iu gjet një sasi lënde narkotike kanabis sativa me vete, siç e vërteton edhe ky njoftim i 7 viteve me parë.

Më tej, ai është gjobitur edhe në 2017-ën me 200 mijë lekë për plagosje të lehtë, pasi u shpall fajtor për rrahjen e një personi. Më tej, sipas burimeve, është ndaluar edhe për prishje të qetësisë publike. Për truprojat e kreut të Rithemelimit që dhunuan Gert Sheun pasi sulmoi Berishën, ende nuk është ngritur asnjë akuzë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:24
Goditi Berishën, zbardhet deklarata në polici e 31-vjeçarit: E kam planifikuar që në ‘97 (Ishte vetëm 6 vjeç)

1670494767_shehu.jpg

Gerti Shehu, 31-vjeçari që goditi me grusht Sali Berishën ka thënë para hetuesve se ai e kishte planifikuar këtë që nga viti 1997. Por megjithatë deklarata e tij janë kontradiktore. Kjo pasi në ’97 Gert Shehu ka qenë vetëm 6 vjeç.