Eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein ka ardhur pasditen e sotme në Tiranë. Zyrtari i lartë i BE ka shkuar në selinë blu, së bashku me ambasadoren e BE në Tiranë, Romana Vlahutin, duke zhvilluar pasditen e kësaj të mërkure një takim me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ky takim vjen menjëherë pas thirrjeve të Lulzim Bashës për mosbindje civile, e cila është njoftuar të nisë nesër në orën 10:00 dhe do të shtrihet në disa prej akseve kryesore rrugore të vendit.

Pas takimit me kreun e partise Demokratike Bashën, eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein është takuar me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhin. Takimet me krerët e dy partive më të mëdha opozitare, është bërë pas thirrjeve për mosbindje civile.



Takimi Basha-Fleckenstein

Opozita ka paralajmëruar se për rreth 4 orë do bllokojë akset kryesore nacionale në vend. Kështu, nga ora 10:00 deri në 13:00 mbështetësit e PD dhe LSI do paralizojnë qarkullimin e automjeteve në kryeqëzimin e Milotit, Bradasheshit, Çermës dhe Vorës, në shenjë proteste për taksën në "Rrugën e Kombit" dhe lënien në burg të protestuesve kuksianë të cilët vandalizuan sportelet e koncesionarit në Kalimash të shtunën e kaluar. 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, informoi raporterin e Parlamentit Europian për Shqipërinë Knut Fleckenstein se kryeministri Edi Rama po instalon në vend një sistem autokratik ku kontrollon të gjitha pushtetet, që po i përdor për të dhunuar dhe shkelur të drejta dhe liritë kushtetuese të qytetarëve.

Basha tha se qytetarët shqiptarë po vuajnë grabitjen e dyfishtë nga qeveria dhe drejtësinë me dy standarde, të kontrolluar nga qeveria. Qytetarët në burg dhe kriminelët në liri është standardi Rama për drejtësinë e kapur.

Sot 11 qytetarë të varfër janë në burg, sepse refuzojnë një taksë që nuk e paguajnë dot. Ndërsa kriminelët dhe politikanët e lidhur me krimin dhe të korruptuar si Saimir Tahiri, Vangjush Dako, Damian Gjiknuri, Klement Balili dhe të tjerë janë të lirë- theksoi Basha

Kryetari i PD njohu raporterin Fleckenstein me faktet që provojnë se qytetarët nga Kukësi u arrestuan në dhunim të të drejtave kushtetuese, pas mesnatës, pa prova, pa urdhërarreste dhe se prokuroria fallsifikoi proçesverbalet për kohën e arrestimit të tyre.

Me urdhër të Edi Ramës policia dhunoi sot deputetët e opozitës në tentativë për të penguar transparencën e rrëmbimit të paligjshëm dhe dhunimit të të drejtave të protestuesve dhe familjarëve dhe fëmijëve të tyre- tha Basha.

Kreu i opozitës vuri në dukje se qytetarët nuk refuzojnë pagesën e taksave, siç deklaron qeveria, por refuzojnë grabitjen e dyfishtë, refuzojnë të paguajnë dy herë për të njëjtin shërbim. Basha tha se shqiptarët paguajnë taksën e qarkullimit, e dedikuar për mirëmbajtjen e rrugëve 200 milionë euro në vit dhe për të cilën nuk ka transparencë për çfarë përdoret.

Lulzim Basha rikonfirmoi qëndrimin e Partisë Demokratike për hapjen e negociatave pavarësisht se qeveria ka bërë regres në përmbushjen e 5 kritereve kyçe. Basha argumentoi se nga një vendim negativ për moshapjen e negociatave tyre përfiton sistemi autokrat që Rama po instalon nëpërmjet kapjes së shtetit, çka u tregua edhe sot me veprimet e paligjshme dhe të dhunshme të policisë, prokurorinë dhe gjykatën.

Kreu i opozitës theksoi se mosbindja civile dhe protesta janë reagimi i vendosur qytetar përballë grabitjes dhe padrejtësisë nga një qeveri që ka privatizuar policinë, prokurorinë dhe gjykatat për të grabitur pasuritë publike, për të terrorizuar njerëzit e thjeshtë dhe për të mos ndëshkuar krimin dhe korrupsionin.

Mosbindja civile është refuzimi që qytetarët i bëjnë grabitjes dhe padrejtësisë qeveritare theksoi kreu i opozitës. Ai e siguroi Fleckenstein se opozita do të jetë në krah të qytetarëve në çdo protestë.