Nga nesër më 19 shkurt, për të gjithë besimtarët myslimanë nis muaji i shenjtë i Ramazanit, periudha e agjërimit, një nga pesë shtyllat e islamit.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka ndarë një urim për besimtarët shqiptarë.
“Kam kënaqësinë t’ju drejtohem me urimet më të përzemërta duke lutur Zotin e madhëruar që ky muaj i bekuar të sjellë paqe, begati dhe mirësi për secilin prej jush, për familjet tuaja dhe për mbarë shoqërinë tonë”, tha ai.
Spahiu ka bërë lutje që gjatë këtij muaji besimtarët të gjenden pranë më të dobtëve, të forcojnë solidaritetin dhe bashkëjetesën mes njëri-tjetrit.
“Ramazani është mundësi për pëmirësim individidual dhe kolektiv, pastrim shpirtëror dhe për ndërtimin e një shoqërie të bazuar në vlera të shëndosha. Ramazani na fton të forcojmë solidaritetin, të shtojmë ndihmën ndaj nevojtarëve, të jemi pranë të dobtëve dhe të kontribuojmë për një shoqëri më të drejtë e humane. Në një kohë kur shoqëria përballet me sfida të ndryshme, Ramazani na kujton rëndësinë e unitetit, paqes dhe bashkëjetesës. Ai na mëson se besimi i vërtetë reflektohet në sjellje të mirë, respekt ndaj tjetrit dhe përkushtim në të mirën e përbashkët”, tha Spahiu.
Komente









