Sot Ramazani, kreu i KMSH-së: Ktheni vëmendjen te familja! Ruçi mesazh politikës

Sot për të gjithë besimtarët myslimanë fillon muaji i shenjtë i Ramazanit. Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu përmes një mesazhi uron besimtarët për muajin e begatë. Ai thotë se agjërimi në Islam është niveli më i lartë i përmirësimit të karakterit moral e shpirtëror, duke i afruar besimtarët me  vlerat e dashurisë, respektit, bamirësisë, sinqeritetit dhe dorëzimit ndaj Krijuesit.

Kreu i KMSH-së shprehet se koha në të cilën jetojmë shfaq probleme të shumta, 'më shqetësuese janë ato që ndodhin brenda familjes shqiptare ku shpeshherë ekuilibrat dhe vlerat lëkunden, duke prishur mbarëvajtjen e jetës shoqërore në tërësi'. Spahiu mbyll mesazhin duke theksuar se ne kemi nevojë të pendohemi për gabimet tona, dhe kur jemi agjërueshëm është momenti i duhur ti kërkojmë Zotit falje.

Urimi i Kryetarit të KMSH-së për Muajin e Bekuar të Ramazanit
Bismilahi Rrahmani Rrahim
Me emrin e Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë, në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, kam kënaqësinë dhe nderin t’ju uroj gëzuar muajin e begatë të Ramazanit.

Nesër me datë 6 maj është dita e parë e Muajit të Bekuar të Ramazanit.

Agjërimi në Islam është niveli më i lartë i përmirësimit të karakterit moral e shpirtëror, duke i afruar besimtarët me  vlerat e dashurisë, respektit, bamirësisë, sinqeritetit dhe dorëzimit ndaj Krijuesit.

Allahu i Gjithëmëshirshëm në Kur’anin Famëlartë, thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që e dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!” (El-Bekare, 185).

Të nderuar besimtarë, koha në të cilën jetojmë shfaq probleme të shumta, më shqetësuese janë ato që ndodhin brenda familjes shqiptare ku shpeshherë ekuilibrat dhe vlerat lëkunden, duke prishur mbarëvajtjen e jetës shoqërore në tërësi.

Lus Zotin që ky muaj i begatë e i paqtë të na kthejë vëmendjen tek familja, tek lidhja e mrekullueshme mes pjestarëve të saj.

Prindër të dashur, transmetoni tek familjet tuaja mesazhin e dashurisë dhe paqes, edukojini fëmijët tuaj me dashuri për atdheun, për tjetrin dhe jetën. Jepuni atyre shpresë! Kaloni më shumë kohë me familjen që ta bëni gjithnjë e më të fortë shtyllën më të rëndësishme të shoqërisë.

Të nderuar motra dhe vëllezër,

Ramazani është një ftesë hyjnore e përvitshme drejt njohjes së përgjegjësive tona në raport me Zotin, me veten, familjen, të afërmit dhe shoqërinë. Ne kemi nevojë të pendohemi për gabimet tona, dhe kur jemi agjërueshëm është momenti i duhur ti kërkojmë Zotit falje.

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare, kudo që gjendeni, lus Allahun të na i pranojë agjërimin, adhurimet dhe veprat e mira, ky muaj na sjelltë begati, mirësi, paqe në familjet tona, dhe në mbarë shoqërinë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:02
Kryemadhi: Agjërimi është mundësia për t’u penduar për gabimet

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka uruar besimtarët myslimanë për nisjen e muajit të Ramazanit. Ajo uron agjërim të lehtë, të pranuar dhe sa më shumë vepra të mira.

"Muaji i Bekuar i Ramazanit ka nisur sot dhe unë dëshiroj nga zemra të uroj të gjithë besimtarët mysliman, por dhe mbarë shqiptarët për një agjërim të lehtë, të pranuar dhe sa më shumë vepra të mira!

Ramazani është muaji i sakrificës, i tolerancës dhe mëshirës, vlerat e të cilit qëndrojnë sa tek hyjnorja aq dhe tek njerëzorja, sa tek afrimi me Krijuesin aq dhe tek rigjetja e vlerave më të mira në shoqëri e kohën ku jetojmë.

Ramazani përçon tek ne nëpërmjet agjërimit mesazhin e madh të ndalimit nga e keqja, përmirësimit dhe vëllazërimit.

Agjërimi është mundësia e madhe për t’u përmirësuar në misionin tonë në jetë, penduar për gabimet dhe për të bërë atë që Krijuesi na ka udhëzuar të bëjmë, përçimin e vlerave më të mira me anë të veprave të mira për njerëzimin.

Ky muaj lartëson shpirtin dhe pastron zemrën por dhe na nxit të jemi më pranë atyre që janë të pamundur. 
Toleranca fetare është për kombin shqiptar një referencë krenarie dhe një pasuri e paçmueshme.

Le të jetë ky muaj i shenjtë një shans i artë për të bashkuar forcat e rizgjuar shpresën për një të nesërme më të mirë për kombin tonë.

Gëzuar Muajin e Shenjtë të Ramazanit. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!", shprehet Kryemadhi.

Ora 21:10
Sot Ramazani, Basha: Sakrifica juaj fisnike të shndërrohet në bekim për kombin


Kryetari i PD-së, Lulzim Basha uron besimtarët myslimanë për muajin e Ramazanit. “Në nisje të muajit të shenjtë të Ramazanit, ju uroj nga zemra të gjithë besimtarëve myslimanë, të dashur vëllezër dhe motra, agjërim të mbarë, të lehtë e të pranuar në këtë muaj të sakrificës, të shpresës dhe të ngadhnjimit! Lutem që sakrifica juaj fisnike të shndërrohet në bekim hyjnor për të gjithë agjëruesit, për çdo familje shqiptare, për vendin tonë dhe për mbarë kombin shqiptar!  Zoti e bekoftë Shqipërinë!”

Ora 21:10
Ramazani/ Ruçi: Agjërimi të na bashkojnë edhe logjikën për fatet e vendit


Edhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruci ka uruar besimtarët myslimanë për muajin e Ramazanit, ndërsa në mënyrë indirekte ka përcjellë një mesazh edhe për politikën. “Me rastin e fillimit të Muajit të Bekuar të Ramazanit, u uroj gjithë besimtarëve myslimanë “Agjerim të lehtë!”  Ramazani është një muaj sakrifice, që përveç vlerave dhe përkushtimit ndaj besimit fetar, shfaq, jetërson e simbolizon vlera të fuqishme njerëzore e shoqërore, solidaritet me fqinjët dhe miqtë, të pafuqishmit e të pambrojturit, të varfërit e të sëmurët, me të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje, solidaritet e përkushtim njerëzor.

Është një mundësi për çdo besimtar të shfaq e të rishfaq dashurinë njerëzore, familjare e prindërore; respektin e dedikimin  për besimtarët dhe besimet e tjera, mirënjohjen dhe dhe devocionin për komunitetin, nderimin, adhurimin dhe moslodhjen për kombin, kontributin për mirëqenien dhe begatinë e të gjithëve, pavarësisht nga besimi, mosha, gjinia dhe mundësitë ekonomike e financiare.

Agjërimi dhe sakrifica le të bashkojnë jo vetëm zemrat e ndjenjat tona, por edhe logjikën dhe arsyen për të qenë të bashkuar për fatet e vendit e të kombit, si qëllimi  suprem i të gjithë shqiptarëve, këtu në Shqipëri dhe ne Diasporë”, thuhet në mesazhin e urimit të Kryetarit të Kuvendit.

Ora 21:06
Muaji i Ramazanit/ Veliaj: Për njerëzit në nevojë iftarët në qendrat sociale


Nesër besimtarët myslimanë startojnë muajin e madhërishëm të Ramazanit, muaj i cili kalit devotshmërinë njerëzore dhe sjell më shumë falje dhe bashkëpunim. Në ndër të këtij muaji të shenjtë, Bashkia e Tiranës ka vendosur pranë çdo xhamie e medreseje urimet e qytetit.

Teksa ka postuar fotot nga urimet që kanë zbukuruar kryeqytetin, kryebashkiaku Erion Veliaj siguron se i gjithë stafi i Bashkisë së Tiranës do të mobilizohet për iftarët në qendrat sociale.

“Punëtorët e  Bashkisë së Tiranës  duke vendosur pranë çdo xhamie e medreseje urimet e qytetit tonë për muajin e Ramazanit! Ky është një muaj për më shumë bamirësi e solidaritet ndër ne. I gjithë stafi ynë do të mobilizohet për iftarët në qendrat sociale në këto ditë të shenjta”, shkruan Veliaj në twitter!

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Toni Tirane: 06/05/2019 13:24

    Kur u behen politikane te super korruptuar si Monika Kryemadhi fetare mjaft me.

    Përgjigju
  • Fredi: 06/05/2019 10:10

    Politikanët nuk duhet as te urojne e as te mos urojne per festa fetare. Urimet vetem kish-xhami-teqetë. Nuk kanë pune politikanet te perzjehen. Feja dhe shteti dy gjera te ndryshme. Në jemi shtet laik, nuk kemi pune me fetë!

    Përgjigju
  • xreport: 05/05/2019 17:32

    ilir muti ka kopju ket apo ky fake imam kopjon ate

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja