
Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, George Gerapetritis, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Athinë, në dy ditët e ardhshme, 16 dhe 17 Dhjetor.
Para takimit, Shoqata Patriotike “Çamëria” i ka kërkuar Spiropalit përfshirjen në bisedimet me zyrtarët grekë kërkesën për heqjen e Ligjit të Luftës, i cili mban ende de jure gjendjen e luftës ndërmjet dy vendeve tona. Po ashtu, Spiropalit i kërkohet trajtimi i Çështjes Çame në bisedimet dypalëshe.
Letra e plotë drejtuar Elisa Spiropalit:
Kërkesë e Shoqatës Patriotike “Çamëria” drejtuar Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë,
Znj. Elisa Spiropali
E nderuar Znj. Ministre,
Takime të tilla si ky i zhvilluar nga Ju në Greqi janë të mirëpritura dhe ndiqen me vëmendje të veçantë nga opinioni publik shqiptar dhe në mënyrë të veçantë, nga ana jonë.
Kjo vëmendje lidhet si me rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, ashtu edhe me problematikat e shumta që burojnë nga e kaluara jonë historike.
Siç keni deklaruar edhe Ju, këto bisedime pritet të prekin të gjitha çështjet e vjetra dhe të reja, në një këndvështrim të plotë, gjithëpërfshirës 360 gradë.
Ne Ju inkurajojmë që këto çështje të diskutohen me dialog, realizëm, dinjitet dhe reciprocitet, parime këto që fatkeqësisht, jo gjithmonë janë respektuar nga përfaqësues të shtetit shqiptar ndër vite.
Në emër të Shoqatës Patriotike “Çamëria” kërkojmë që, në diskutimet që do të zhvilloni me homologun tuaj në Athinë të përfshihen në axhendën e bisedimeve çështje me rëndësi jetike për komunitetin e shqiptarëve të Çamërisë, si dhe për interesin kombëtar në tërësi.
Së pari, përfshirja në bisedime e kërkesës për heqjen e Ligjit të Luftës, këtij atavizmi të së kaluarës, i cili mban ende de facto dhe de jure gjendjen e luftës ndërmjet dy vendeve tona.
Ju kujtojmë se ky është një detyrim që rrjedh nga Deklarata e Parlamentit të Shqipërisë miratuar në 18 korrik 2024, e cila parashikon në çdo rast përfshirjen e kësaj çështjeje në bisedimet dypalëshe dhe në forumet e përbashkëta ndërkombëtare.
Së dyti, trajtimi i Çështjes Çame në bisedimet dypalëshe është një detyrim që buron nga ligji nr:7839, datë 30.06.1994, për shpalljen e 27 qershorit si: “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë” si edhe nga Rezoluta e Parlamentit të Shqipërisë datë 8 prill 2004.
Çështja e shqiptarëve të Çamërisë, e drejta e tyre juridike, pronësore e të nënshtetësisë, janë të detyruara të jenë pjesë përbërëse e kësaj axhende.
Duke Ju falënderuar për vëmendjen dhe kontributin Tuaj,
Me respekt,
Shoqata Patriotike “Çamëria”
Lajmi kryesor:
Spiropali vizitë zyrtare në Athinë 16-17 dhjetor, do të pritet nga presidenti dhe homologu grek, në fokus mbështetja e Greqisë për integrimin në BE











