Ndërsa Donald Trump është angazhuar për t’i dhënë fund luftës në Evropë, përparimi në Lindjen e Mesme ka ngecur. Presidenti amerikan pritet të takohet këtë të hënë në rezidencën ku priti Volodymir Zelenskyn, me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, me shpresën për të shtyrë përpara armëpushimin që ai ndërmjetësoi në Gaza. Lideri izraelit ndërkohë pritet që ti paraqesë argumente Presidentit amerikan për veprime të reja kundër Iranit.

Këto dy çështje pritet të jenë në qendër të diskutimeve në pronën Mar-a-Lago të Trumpit, i tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë NBC News. Sipas raportimeve të mediave amerikane, Netanyahu ka mbërritur në Florida me avionin e tij qeveritar. Axhenda e takimeve parashikon një takim të tijin me Marco Rubio-n, Sekretarin amerikan të Shtetit në 16:00(me orën e Tiranës) dhe më pas me Donald Trump rreth orës 19:00. 

Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi në tetor të këtij viti, duke i dhënë fund konfliktit dyvjeçar në Gaza, por, ka pasur pak lëvizje në fazën e dytë, më komplekse, të procesit të paqes, duke ngritur shqetësime se të dyja palët po dështojnë të ndërmarrin veprime për zbatimin e fazës së ardhshme të marrëveshjes.

Më shumë se 400 persona janë vrarë në enklavën palestineze që nga nisja e armëpushimit sipas autoriteteve lokale, ndërsa Izraeli ka akuzuar Hamasin për shkeljen e tij, përfshirë dhe vonesat në kthimin e trupave të pengjeve, me një trup që ka mbetur ende për t’u dorëzuar.

KS i OKB-së miratoi muajin e kaluar fazën 2 të planit të paqes me 20 pika të Trumpit, e cila parashikon tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza dhe dorëzimin e armëve nga Hamasi.