Viti 2020 nisi mbarë për turizmin, me rritje të net-qëndrimeve të turistëve në janar e në shkurt, por më pas mori një kthesë të papritur për shkak të kufizimeve që u vunë si rrjedhojë e përhapjes së pandemisë së Covid-19.
Eurostat raportoi se netëqëndrimet në njësitë akomoduese turistike në Shqipëri ranë me 27.5% në vitin 2020 në raport me 2019-n, duke zbritur në rreth 800 mijë netë. Tkurrja ka qenë më e ulët se në Bashkimin Europian, ku raportohet një rënie e netëqëndrimeve me 52% për 2020-n.
Sipas Eurostat, karantina ndikoi në mënyrë drastike në rënien e udhëtimeve dhe muajt më të vështirë për turizmin shqiptar ishin marsi dhe prilli, me tkurrje të netëqëndrimeve përkatësisht me -74% dhe -100%. Gjallërimi nisi në maj e qershor, ndonëse me tkurrje -29 dhe -16%, ndërsa korriku është muaji i vetëm, ku netëqëndrimet e turistëve u rritën me 3% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Hapja e ekonomisë dhe sidomos ardhja e shtetasve nga Kosova ndikuan në këtë tendencë. Në rritje ishte dhe numri i turistëve të brendshëm, teksa për shkak të kufizimeve të pandemisë nuk mundën të udhëtonin jashtë.
Në gusht, ky tregues ra më 6.4%, ndërsa në shtator rënia u thellua në 35%. Moti i mirë në tetor bëri që të përmirësohej disi turismi në vend (ulje -15%), ndërsa vala e shtuar e pandemisë nga nëntori bëri që atë muaj net-qëndrimet të shihnin një tkurrje prej 42%.
Rikthimi i kufizimeve në dhjetor dhe ndalimi i festimeve për festat e fundvitit në hotele raportohet të ketë pasur efekte të mëdha për turizmin shqiptar. Numri i net-qëndrimeve në dhjetor (që tradicionalisht është i treti më i miri pas korrikut e gushtit), ra me 83%, duke zhvlerësuar rimëkëmbjen e lehtë në muajt e verës.
Greqia dhe Qipro vuajtën më shumë në 2020-n
Sipas Eurostat, në vitin 2020, turizmi ishte ndër sektorët më të prekur nga pandemia COVID-19, për shkak të kufizimeve të udhëtimit, si dhe masave të tjera parandaluese të marra si përgjigje ndaj pandemisë. Në vitin 2020, numri i netëve të kaluara në njësitë e akomodimit turistik të Bashkimit Evropian (BE) arriti në 1.4 miliardë, me rënie me 52% krahasuar me 2019.
Numri i netëve të kaluara në vitin 2020 krahasuar me një vit më parë u ul në të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së. Qiproja, Greqia dhe Malta ishin vendet më të prekura me rënie që kaluan 70%. Në skajin tjetër të shkallës, Hollanda dhe Danimarka raportuan rënie prej më pak se 35%.
Në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019, netët e kaluara nga jorezidentët e vendit (vizitorë të huaj) ranë me 68%, ndërsa netët e kaluara nga banorët (vizitorët vendas) ranë me 38%.
Midis vendeve të BE, vetëm banorët e Sllovenisë (+ 33%), të ndjekur nga Malta dhe Qipro (të dy + 15%) kaluan më shumë netë turizmi brenda vendit të tyre krahasuar me 2019. Në të kundërt, Spanja, Greqia dhe Rumania regjistruan rëniet më të larta prej më shumë se 40%.
Numri i netëve të kaluara nga turistët e huaj në vitin 2020 krahasuar me një vit më parë u ul në të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së ku ka të dhëna të disponueshme, uljet më të mëdha me më shumë se 80% u vunë re në Qipro dhe Rumani./Monitor