Me ngritjen e flamurit shtetëror në oborrin e Kuvendit, Kosova nisi që herët në mëngjes festimet me rastin e 11 vjetorit të pavarësisë. Në ceremoninë solemne morën pjesë krerët më të lartë të shtetit, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, dhe gjithashtu edhe qytetarë të shumtë. Homazhe u bënë edhe pranë shtatores së ish-presidentit Ibrahim Rugova. Të pranishmit vlerësuan lart figurën e Rugovës dhe thanë se Kosova është amaneti më i shtrenjtë i tij.Kuvendi i Kosovës mbajti seancë solemne për nder të kësaj ditë të veçantë.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalimin e tij në seancën solemne të Kuvendit në 11 vjetorin e Pavarësisë foli për kontributin e shqiptarëve në Ballkan. Ai tha se ata janë kontribues të paqes dhe deklaroi se do punohet për ruajtjen e marëdhënieve të mira me fqinjët. Haradinaj nuk la pa përmendur edhe raportin me Serbinë, me të cilën tha se do të bëjnë marrëveshje vetëm për njohje reciproke të kufinjve ekzistues.
“Shqiptarët në Ballkan janë popull që i kanë dhënë dhe kanë kontribuar për Ballkanin, kontinentin tonë, kanë paguar çmim për të gjitha proceset që ka kaluar Kosova në shekujt e fundit. Edhe sot janë kontribues të paqes dhe stabilitetit.Të gjithë do të punojmë për marrëdhënie të mira me fqinjtë. Jemi të interesuar për marrëveshje ligjore me Serbinë, për njohje reciproke në kufijtë ekizstues. Jemi të intresuar për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. Duke shprehur urim për të gjithë. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin shqiptar”, përfundoi Haradinaj.
Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, i ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës për përvjetorin e 11-të të pavarësisë së vendit.
Në letrën e publikuar në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit thuhet se SHBA-ja mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën në të ardhmen për më shumë prosperitet, siguri dhe stabilitet.
Kjo është letra e plotë e Pompeos:
Në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe të popullit amerikan, e uroj Kosovën për përvjetorin e njëmbëdhjetë të shtetin të pavarur dhe sovran.
Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për ta ndihmuar Kosovën që t’i hapë dyert drejt së ardhmes me më shumë prosperitet, siguri dhe stabilitet në dekadën e dytë të pavarësisë. Normalizimi gjithpërfshirës i marrëdhënieve me Serbinë, me njohjen reciproke si pjesë qëndrore të tyre, do të jetë proces jetik për suksesin e Kosovës. Arritja e këtij vizioni kërkon zhvillime të vazhdueshme për t’i forcuar institucionet tuaja demokratike. Ne dëshirojmë ta vazhdojmë ndërtimin e partneritetit tonë dypalësh, të mbështetur në vlera dhe prioritete të përbashkëta, duke e ndihmuar Kosovën për ta shtruar rrugën e saj drejt integrimit të mëtutjeshëm në Evropë.
Shtetet e Bashkuara e çmojnë lidhjen e fortë mes popujve tanë dhe do t’i mbështesin hapat e atyre që punojnë për ta nxjerrë në pah potencialin e madh të Kosovës.
Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë solmente për 11-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Në fjalimin e tij, Kryeparlamentari Kadri Veseli foli rreth taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, duke kërkuar edhe në këtë seancë pezullimin e taksës.
Duke përmendur sakrificat deri në shpalljen e Pavarësisë, Veseli ka thënë se kosovarët duhet ta mbajnë aleancën me amerikanët, e edhe t’i dëgjojnë ata, sa i përket qëndrimeve të tyre mbi tërheqjen nga taksa.
“Si lider i koalicionit, raporti me Serbinë nuk do të lejojë që të krijojë destabilitet në institucionet e Kosovës. Qeveria nuk do të bjera për shkak as të Serbisë”, ka thënë Veseli.
Veseli i dha edhe një mesazh kryeministri Ramush Haradinajl, i cili deri më tani ka refuzuar që të pezullojë taksën.
“Vendimmarrja shtetërore s‘duhet të jetë kritikë personale. Në vendimmarrjen shtetërore asgjë s'duhet të ketë personale”, tha kryeparlamentari.
Seancën e hapi kryeparlementari Kadri Veseli, ndërsa të prnaishëm ishin edhe presidenti Hashim Thaci, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ambasadori amerikan Philip Kosnett dhe ish-ambasadori i misionit të OKB’së në Kosovë, Ëilliam Ëalker.
Në seancën solemne i pranishëm është edhe ish-kryeministri italian që ka shërbyer gjatë viteve 1998-2000, Masimo D’alema.
Më 17 shkurt të vitit 2008 Kosova u bë shtet i pavarur.
Deklaratën e plotë të Pavarësisë së Kosovës u lexua nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, sot President.
Deklarata e Pavarësisë së Kosovës
Të mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme më 17 shkurt 2008, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë,
Duke iu përgjigjur thirrjes së popullit për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj,
Të zotuar për t’u përballur më trashëgiminë e dhembshme të së kaluarës së afërt në frymë të pajtimit dhe faljes,
Të përkushtuar ndaj mbrojtjes, promovimit dhe respektimit të diversitetit të popullit tonë,
Duke riafirmuar dëshirën tonë për t’u integruar plotësisht në familjen euroatlantike të demokracive,
Duke vërejtur se Kosova është një rast special që del nga shpërbërja jokonsensuale e Jugosllavisë dhe nuk është presedan për cilëndo situatë tjetër,
Duke rikujtuar vitet e konfliktit dhe dhunës në Kosovë që shqetësuan ndërgjegjen e të gjithë popujve të civilizuar,
Mirënjohës që bota intervenoi më 1999 duke hequr në këtë mënyrë qeverisjen e Beogradit mbi Kosovën, dhe vendosur Kosovën nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara,
Krenarë që Kosova që atëherë ka zhvilluar institucione funksionale, multietnike të demokracisë që shprehin lirisht vullnetin e qytetarëve tanë,
Duke rikujtuar vitet e negociatave të sponsorizuara ndërkombëtarisht ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbi çështjen e statusit tonë të ardhshëm politik,
Duke shprehur keqardhje që nuk u arrit asnjë rezultat i pranueshëm për të dyja palët përkundër angazhimit të mirëfilltë të udhëheqësve tanë,
Duke konfirmuar se rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, i ofrojnë Kosovës një kornizë gjithëpërfshirëse për zhvillimin e saj të ardhshëm, dhe janë në vijë me standardet më të larta europiane për të drejtat të njeriut dhe qeverisjen e mirë,
Të vendosur që ta shohim statusin tonë të zgjidhur në mënyrë që t’i jipet popullit tonë qartësi mbi të ardhmen e vet, të shkohet përtej konflikteve të së kaluarës dhe të realizohet potenciali i plotë demokratik i shoqërisë sonë,
Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën,
Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.
Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.
Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.
Ne do të miratojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme një kushtetutë që mishëron zotimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, posaçërisht ashtu siç definohen me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kushtetuta do të inkorporojë të gjitha parimet relevante të Planit të Ahtisaarit dhe do të miratohet nëpërmjet një procesi demokratik dhe të kujdesshëm.
Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin tonë demokratik nëpërmjet të pranive ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999). Ne ftojmë dhe mirëpresim një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe një mision të sundimit të ligjit të udhëhequr nga Bashkimi Europian.
Ne, po ashtu, ftojmë dhe mirëpresim NATO-n që të mbajë rolin udhëheqës në praninë ndërkombëtare ushtarake dhe të zbatojë përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999) dhe Planit të Ahtisaarit, deri në atë kohë kur institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin këto përgjegjësi. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht më këto prani në Kosovë për të siguruar paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në të ardhmen në Kosovë.
Për arsye të kulturës, gjeografisë dhe historisë, ne besojmë se e ardhmja jonë është në familjen europiane. Për këtë arsye, ne shpallim synimin tonë për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian sapo që të jetë e mundshme dhe për të zbatuar reformat e kërkuara për integrim europian dhe euroatlantik.
Ne i shprehim mirënjohje Organizatës së Kombeve të Bashkuara për punën që ka bërë për të na ndihmuar në rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas lufte dhe ndërtimin e institucioneve të demokracisë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë në mënyrë konstruktive me Organizatën e Kombeve të Bashkuara gjersa ajo vazhdon punën e saj në periudhën në vijim.
Me pavarësinë vie detyra e anëtarësisë së përgjegjshme në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e pranojmë plotësisht këtë detyrë dhe do t’i përmbahemi parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, akteve tjera të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe parimeve të marrëdhënieve të mira ndërkombëtare që shënojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë ashtu siç janë paraparë në Aneksin VIII të Planit të Ahtisaarit, dhe do të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjithë fqinjve tanë. Kosova, po ashtu, do të përmbahet nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në cilëndo mënyrë që është jokonsistente me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.
Ne, nëpërmjet kësaj Deklarate, marrim obligimet ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë ato të arritura në emrin tonë nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), si dhe obligimet e traktateve dhe obligimet tjera të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ndaj të cilave obligohemi si ish-pjesë konstituive, përfshirë konventat e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ne synojmë të kërkojmë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, në të cilat Kosova do të synojë të kontribuojë për qëllime të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.
Kosova shpall zotimin e saj ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë të Europës Juglindore. Pavarësia jonë e sjell në fund procesin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Gjersa ky proces ka qenë i dhembshëm, ne do të punojmë pa pushim për t’i kontribuar një pajtimi që do të lejonte Europën Juglindore të shkojë përtej konflikteve të së kaluarës dhe të farkojë lidhje të reja rajonale të bashkëpunimit. Për këtë arsye, do të punojmë së bashku me fqinjtë tanë për të avansuar të ardhmen tonë të përbashkët europiane.
Ne shprehim, në veçanti, dëshirën tonë për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjtë tanë, përfshirë Republikën e Serbisë, me të cilën kemi marrëdhënie historike, tregtare dhe shoqërore, të cilat synojmë t’i zhvillojmë më tej në të ardhmen e afërt. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t’i kontribuar marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimit me Republikën e Serbisë duke promovuar pajtimin ndërmjet popujve tanë.
Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitatat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999). Ne shpallim publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë Deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, uroi vendin e tij për 11-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Një akt historik sipas tij, që institucionalizoi përpjekjet e shumta të Kosovës për liri.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës para njëmbëdhjetë vjetëve ishte akti historik më sublim që institucionalizoi përpjekjet tona për liri. Për këtë të arritur të gjithë qytetarët tanë janë meritorë. I falënderojmë të gjithë miqtë tanë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. U jemi mirënjohës përjetë”, shkruan Thaçi në rrjetin social Facebook.
I shoqëruar edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, liderët politikë të Kosovës, bënë homazhe tek varrezat e familjes Jashari.
Hashim Thaçi u shpreë se sakrifica e familjes Jashari është bazament i Pavarësisë së Kosovës dhe i së ardhmes euroatlantike.
“Sot jemi së bashku me kryeministrin Haradinaj, me kryetarin e Skenderajit z. Jashari, gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar për të bërë nderimet shtetërore Komandantit Legjendar dhe bashkëluftëtarit tonë Adem Jashari dhe familjes së tij, për sakrificën sublime që është bazament i lirisë dhe pavarësisë, por edhe të ardhmes euroatlantike të shtetit të Kosovës. Nderime dhe respekt të përjetshëm Komandantit Legjendar, familjes së tij dhe gjithë dëshmorëve të kombit” u shprehë presidenti.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PSD-së, dhe krijuesi i monumentit “NEWBORN”, Fisnik Ismajli, ka bërë të ditur se në Prishtinë NEWBORN është gati me ngjyra të reja.
Simbolika për këtë vjetor e NEWBORN është ambienti.
Ismali ka publikuar domethënien e secilës shkronjë për këtë vit: