‘Nexhmija, kishte në krahun e djathtë, shokun e saj të rinisë, Ramiz Alinë, për të cilën flitej se për shumë vjet, ishte…’/ Refleksionet e ish-të dënuarit politik

‘Nexhmija, kishte në krahun e djathtë, shokun e saj të rinisë, Ramiz Alinë, për të cilën flitej se për shumë vjet, ishte…’/ Refleksionet e ish-të dënuarit politik

Nexhmije Hoxha

Memorie.al / Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta,  (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’. Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991. Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm. E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.    

Vrasjet e Sigurimit jashtë shtetit

Sigurimi komunist shqiptar qysh në verën e vitit 1944, rekrutoi në forcat e armatosura shqiptare dhe në organizatat “Balli Kombëtar” dhe “Legaliteti” elementë të korruptuar, që për para ishin të gatshëm të vrisnin dhe baballarët e tyre. Një pjesë e këtyre elementëve, me urdhra tepër sekrete u arratisën gjoja nga rreshtat partizane dhe u bashkuan me forcat e shpartalluar të Ballit dhe Legalitetit, që u larguan jashtë Shqipërisë, në fund të vitit 1944. Ata u vendosën në kampet e emigrantëve në Italinë e jugut dhe në Greqi. Libri “Historia e Shqipërisë”, botim i vitit 1984, pohon se vetëm gjatë vitit 1951, nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar, janë organizuar 135 aksione kundër elementëve antikomunist brenda dhe jashtë shtetit, që sollën si rezultat 144 të vrarë.

Zakonisht janë asgjësuar elementët aktivë kundër qeverisë së Tiranës, politikanë të shquar antikomunistë, luftëtarë që dërgoheshin me shërbim nga zbulimet e huaja dhe njerëzit që gëzonin reputacion brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Gjer në fund të vitit 1948, aksionet për eliminimin e shqiptarëve jashtë shtetit, organizoheshin me ndihmën e zbulimit jugosllav, ndërsa duke filluar nga viti 1949, deri në vitin 1961, çdo veprim jashtë Shqipërisë dhe brenda saj bëhej nëpërmjet këshilltarëve të KGB-së sovjetike. Sigurimi i Shtetit Shqiptarë, luanin rolin e vrasësit ordiner, ndërsa projektet dhe planet djallëzore në të tilla aksione, përgatiteshin nga këshilltarët sovjetik të Zbulimit.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 3 dhjetor 1949, u gjend i vdekur në dhomën e tij në hotelin “Vonthrop” të Nju Jorkut, Kryetari i “Komitetit i Shqipërisë së Lirë”, Mit’hat Frashëri i sapo ardhur nga Franca. Thuhet se Mit’hat Frashëri, ka gjetur vdekjen nëpërmjet gazit helmues të hedhur nga vrima e çelësit në dhomën ku flinte. Këtë dyshim e konfirmon dhe FBI- amerikane, nëpërmjet kolonelit Lok. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë eliminuar nga Sigurimi shqiptar edhe Ahmet Kuka me pseudonimin “Ariu”, një nga drejtuesit e grupeve diversante më të suksesshme, i ardhur disa herë në Shqipëri në zonën e Labërisë. Po kështu ishte eliminuar me një “aksident” automobilistik në vitin 1986, ish-kampioni i Shqipërisë në ngritje peshash Aleksandër Kondo, arratisur nga Shqipëria në vitin 1985.

Në Damask të Sirisë, janë eliminuar me anën e helmimit në fillim të viteve ’50-të, ish-komandanti i Batalionit të “Ballit Kombëtar” të Kavajës, z. Liman Karuli dhe ish-nënkomandant i Policisë së Tiranës, z. Man Kukaleshi, i cili dinte shumë “sekrete” për udhëheqësit e Partisë Komuniste Shqiptare.

Ne Greqi është asgjësuar me anën e helmimit, në fillim të viteve ’60-të, Izet Vrazhdua, një nga komandantët e forcave nacionaliste të Labërisë, i ardhur shumë herë në Shqipëri me misione antikomuniste. Në Zelandën e Re, është asgjësuar në vitet ’70-të, Islam Kulla, djali i Begë Kullës nga Turani i Korçës, i cili luftoi heroikisht me forcat komuniste të Brigadës së Parë, gjatë viteve 1943-1944. Në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është asgjësuar në mënyrë misterioze në vitin 1986, shkrimtari antikomunist Bilal Xhaferi, i arratisur nga Shqipëria në vitin 1968. Pas disa atentatesh të dështuara ndaj Bilal Xhaferit, më në fund Sigurimi Shqiptar, gjeti mënyrën e zhdukjes së tij, duke e helmuar në një spital që ishte shtruar për kurim.

Në vitin 1982, Sigurimi Shqiptar helmon në Romë, gruan e z. Sabaudin Haznedarit, i vetëvrarë po atë vit në qytetin e Rrogozhinës, ku kishte ardhur së bashku me Xhevdet Mustafën. Më 8 shtator të vitit 1984, vritet në një hotel të Beogradit nga Sigurimi Shqiptar, i riu Ilir Pavllo, pasi kishte dhënë një intervistë në një emision televiziv në TV e Titogradit, pas arratisjes nga Shqipëria.

Sipas pohimit të ish-gjeneralit të Sigurimit Shqiptar, Halim Xhelo, i burgosur dhe i varur në spitalin burg të Tiranës, nga Sigurimi shqiptar, janë asgjësuar jashtë shtetit rreth 50 persona. Këto vrasje janë mbuluar me një mjegullnajë, që vetëm hapja e arkivave të ish-ministrisë të Punëve të Brendshme të Shqipërisë, mund të hedhë dritë mbi ato vrasje të mistershme.

Lufta brenda llojit komunist

Mendimtari italian, Françesko Niti, thotë se komunistët janë terroristë të terrorizuar. Dikush tjetër, thotë se komunizmi ishte si Kronosi i Mitologjisë Greke, që ushqehej duke ngrënë bijtë e vet. Kjo është vërtetuar plotësisht dhe në historinë e Partisë Komuniste Shqiptare, që u themelua e fundit në Evropë. Vrasjet brenda llojit, filluan fill që pas krijimit të Partisë Komuniste Shqiptare, me 8 nëntor të vitit 1941. Seriali i vrasjeve ndaj drejtuesve të Partisë Komuniste, fillon me vrasjen e Qemal Stafës, Sekretar i Rinisë Komuniste Shqiptare, më 5 maj 1942.

Nga të gjithë të dhënat e botuara nga shtypi i kohës gjatë periudhës 1991-2006 nuk ka asnjë dyshim se Qemal Stafa, është asgjësuar me denoncim në organet fashiste, nga udhëheqja e Partisë Komuniste Shqiptare të asaj kohe. U ekzekutua dhe u vra në mënyrë misterioze në vitin 1943, një nga komunistët e parë, Zef Ndoja, në shtëpinë e të cilit, ruhej arkivi i Partisë Komuniste. U vra mbrapa shpine në Gllavë të Tepelenës në vitin 1944, një nga kryetarët e Grupit Komunist të të Rinjve, Anastas Lula (“Qorri”), po kështu në vitin 1944, vritet mbrapa shpine në luftën e Krujës, një nga drejtuesit e Partisë Komuniste, Mustafa Kaçaçi.

Në vitin 1944, vritet misteriozisht në qarkun e Dibrës, një nga drejtuesit e luftës komuniste, Mustafa Gjinishi. Në Vlorë, vritet nga shokët e tij pa asnjë motiv, një nga drejtuesit e Partisë Komuniste të qarkut, Neki Ymeri. Në vitin 1947, e asgjësojnë duke e djegur në kaldajën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, një nga drejtuesit e njësive guerile të Tiranës, të periudhës 1942-1944, ish-majori i Sigurimit komunist, Galip Hatibi.

Në vitin 1946, u vra krijuesi i të parës parti komuniste shqiptare, të themeluar në vitin 1937, mësuesi Hasan Reçi. U ekzekutuan pasi ishin dënuar më parë nga gjyqi, me 10 vjet burgim, krijuesit e grupeve komuniste të Korçës, Andrea Zisi dhe Aristidh Qendro. Në vitin 1947, u gjet i vrarë në zyrën e tij anëtari i Byrosë Politike, një nga udhëheqësit e Partisë Komuniste shqiptare gjatë luftës, kryetari i Komisionit të Planit të Shtetit, Nako Spiru.

Në dy dhjetor të vitit 1948 arrestohet:

Nuri Huta, drejtor i propagandës pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Të gjithë krimet e kryera nga Partia Komuniste Shqiptare, deri në atë kohë, ju faturuan këtij grupi. Koçi Xoxe u dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 11 qershor 1949, kurse të tjerët u dënuan me burgime të rënda. Në vitin 1951, asgjësohet Njazi Islami, kandidati i Komitetit Qendror dhe ish-ministër. U fol se vrau veten! Po në vitin 1951, u gjet i vrarë afër Elbasanit, Sali Ormëni, ish-zv/ministër i Punëve të Brendshme. Në fillim u tha se kish vrarë veten, pasi ishte penduar që qe nisur për t’u arratisur në Jugosllavi! Në vitin 1954, kur Mehmet Shehu u emërua Kryeministër, nxiti Enver Hoxhën, për goditjen e Tuk Jakovës, ish-Zv/kryeministër dhe anëtar i Byrosë Politike.

Së bashku me Tuk Jakovën, u përjashtuan nga Byroja Politike edhe ish-ministri Bedri Spahiu, i vetmi kritikues i Enver Hoxhës në Komitetin Qendror të Partisë së Punës. Në vitin ’57, Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu, u dënuan, i pari me 20 vjet burgim dhe i dyti me 25 vjet burgim. Tuk Jakova, (sipas dëshmitares në gjyqin e Kadri Hazbiut), kompozitores Dhora Leka, e helmojnë në vitin 1959, në spitalin-burg të Tiranës, me urdhër të Mehmet Shehut.

Në vitin 1964, arrestohet dhe dënohet me 10 vjet burgim, gjeneral Gjin Marku, ish-anëtar i Komitetit Oendror të Partisë Komuniste. Gjin Marku ridënohet edhe me 10 vjet burgim dhe vdes në burgun e Burrelit. Në vitin 1960, një nga gjeneralët më të aftë të Sigurimit komunist shqiptar, Hilmi Seiti, shok i ngushtë i Kundëradmiralit Teme Sejko, helmohet se nuk pranoi të merrte përsipër rolin, që luajti Teme Sejko në komplotin e sajuar nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu.

Në vitin 1966 ish-gjenerali i Sigurimit të Shtetit, Halim Xhelo, dënohet me 15 vjet burgim dhe më vonë u gjet i varur në spitalin-burg të Tiranës. Në vitin 1956, në Tiranë u organizua Konferenca e Partisë së Punës (Komuniste) për kryeqytetin, që do t’i paraprinte Kongresit të Tretë të Partisë. Enver Hoxha, me anën e gruas së tij Nexhmies, që e kishte bashkëpunëtore të ngushtë në punët e shtetit dhe të partisë, organizoi me elementë naivë në Konferencë, një debat kundër kultit të individit, nën shembullin e Partisë Komuniste Sovjetike, të drejtuar në atë kohë nga Nikita Hrushov.

Debati në Konferencën e Tiranës, papritur e pa kujtuar doli jashtë kornizës të organizuar nga Nexhmije Hoxha dhe mori përmasa të frikshme për pushtetin e Enver Hoxhës. Ai erdhi urgjentisht në Konferencë, duke ndërprerë pushimet që po kalonte në Vlorë dhe me “kërbaç të hekurt” në dorë, godit shumë kuadro të partisë-shtet, si; Pajo Islamin, Vehip Demin, Ihsan Budon etj., të cilët u arrestuan, u nxorën para një gjykate me dyer të mbyllura dhe u dënuan me burgime dhe internime të zgjatura. Po kështu në vitin 1956, u nxorën para një gjyqi ushtarak, Liri Gega, ish-anëtare e Byrosë Politike të Partisë Komuniste Shqiptare, Dali Ndreu, gjeneral dhe komandant i Korparmatës së Parë dhe Petro Bollati, ish-drejtor i Sigurimit të Qarkut të Shkodrës. Të tre u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan brenda javës.

Më 27 maj të vitit 1961, u dënuan me vdekje së bashku me Teme Sejkon, një grup kuadrosh të partisë-shtet. Në vitin 1973, u dënuan me burgime të rënda, ideologët e Partisë së Punës, anëtarë të Komitetit Qendror, Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja. Ishte koha, që diktatori Hoxha, ishte goditur nga një iktus (hemorragji cerebrale) dhe në qarqet e larta partiake, po konturoheshin grupime rivale, për të marrë pushtetin në dorë, pas vdekjes së diktatorit. Grupimi më i fuqishëm ishte ai i trashëgimtares legjitime, Nexhmije Hoxhës (Xhuglinit), që kishte në krahun e djathtë shokun e saj intim të rinisë, anëtarin e Byrosë Politike, Ramiz Alinë, për të cilën flitej se për shumë vjet, ishte dhe shefi i Policisë sekrete të Enver Hoxhës.

Një grupim tjetër i fuqishëm, ishte klani i kryeministrit Mehmet Shehu, më në krye Kadri Hazbiun dhe një tufë ish-gjeneralësh të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Grupimi i tretë, më pak homogjen dhe më pak i përgatitur nga ana politike për qeverisjen e vendit, ishte ai ushtarak, më në krye ministrin e Mbrojtjes, Begir Ballukun. Grupimi i tretë kishte një avantazh që nuk e kishin dy grupimet e para, ata urdhëronin një ushtri të armatosur deri në dhëmbë dhe të bindur verbërisht ndaj urdhrave të tyre.

Në rast vdekje të diktatorit, grupimi i tretë, mund të ndërhynte kundër rivalëve të tij, për të marrië pushtetin, me anën e një grusht shteti ushtarak. Këtë rrezik, e nuhatën grupimi i Nexhmije Hoxhës dhe i Mehmet Shehut, të cilët megjithëse i qëndronin njëri-tjetrit me thikë mbrapa shpine, u bashkuan me këtë rast, për të shpartalluar grupimin ushtarak.

Në vitin 1974 me akuza nga më absurdet që mund të ekzistonin, u godit Ministria e Mbrojtjes, duke dënuar me vdekje ministrin Beqir Ballukun, shefin e Shtabit të Ushtrisë, ish-gjeneralin Petrit Dume, dhe drejtorin e Drejtorisë Politike, ish-gjeneralin Hito Çako. U burgosën me dhjetëra oficerë të lartë dhe disa qindra u nxorën në lirim. Midis të dënuarve me burgime të rënda ishin:

Shumë prej të cilëve humbën dhe jetën në burgun e Burrelit, si Abaz Fejzo, Vaskë Gjino, etj. Pas eliminimit të grupit të ushtarakëve, në vitin 1975 u arrestuan dhe u goditën me “shpatën e demokleut” nga Enver Hoxha, pjesëtarët e “Grupit Ekonomik”, ku bënin pjesë ish-zv/kryeministrat Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi. Përveç tyre, në këtë grup bënin pjesë edhe ministrat Kiço Ngjela dhe Vasil Kati. Dy zv/kryeministra u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan, ndërsa Kiço Ngjela dhe Vasil Kati, u dënuan me dënime të rënda.

Me “Grupin ekonomik”, komplikuan dhe anëtarin e Komitetit Qendror dhe sekretar i Komitetit të Partisë për rrethin e Fierit, Pirro Gusho, për të cilin u tha se vrau veten. Një tjetër personalitet i eliminuar ka qenë Koço Tashko, i dërguari i Kominternit në Shqipëri, që nga vitit 1937. Kryetar i Kontrollit të Revizionimit të Partisë. Arrestohet në vitin 1961 dhe dënohet me 10 vjet burgim. Pasi lirohet nga burgu, vdes në internim në fermën e Thumanës.

Pas eliminimit të grupimeve të mësipërme, shigjetat e padukshme u drejtuan kundër klanit të Mehmet Shehut. Sipas pohimeve të rojës personale të tij, Ali Çenos dhe të vetë djalit të Mehmetit, Bashkimit, Mehmeti ishte vënë në një survejim të vazhdueshëm dhe pothuajse të hapur, nga ana e grupit kryesor Nexhmije-Ramiz. Çdo lëvizje dhe bisedë e tij, regjistrohej dhe kontrollohej. Ish-kryeministri, jetonte në një gjendje ankthi. Vetëm një gjë mund ta shpëtonte Mehmet Shehun, vdekja e Enver Hoxhës.

Atëherë rruga për kryetarin e partisë-shtet, ishte e hapur dhe hakmarrja e tij ndaj klanit Nexhmije-Ramiz, do të ishte gjakësore dhe askush s’mund ta ndalonte. Parashikimi i një profesori mjek anglez, që kishte ardhur në Tiranë në mënyrë tepër sekrete, se diktatori Hoxha nuk do të kishte vdekje të shpejtë, por sistemi i tij nervor, do të vinte gjithmonë duke u acaruar dhe mjerë ata që kishte pranë, u vërtetua plotësisht.

Është mëse e vërtetë se në momente ndriçimi, Enver Hoxha jepte direktiva për punën e shtetit dhe të partisë dhe për asgjësimin e atyre që ai parashikonte se mbas vdekjes së tij, do të ishin të rrezikshëm. Metodat dhe kurthet, i përpunonte binomi Nexhmije-Ramiz. Kështu ia ngritën kurthin Mehmet Shehut, ish-kryeministrit për 27 vjet të Shqipërisë. Për vdekjen e tij më 17 dhjetor të vitit 1981, ekzistojnë disa variante, por më të besueshmit janë:

1) Mehmet Shehu, është helmuar nga gruaja e tij, Fiqrete Shehu (Sanxhaktari), të cilës iu premtua mos prekja e saj dhe e djemve pas eliminimit të Mehmetit, në qoftë se Fiqiretja merrte përsipër këtë detyrë, që ia ngarkonte partia, pasi ishte “vërtetuar” plotësisht që Mehmet Shehu, ishte poli-agjent i Fuqive Imperialiste Revizioniste. Komunikata zyrtare e partisë-shtet, që u shpall më 18 dhjetor, thoshte se kryeministri Mehmet Shehu, vrau veten në një moment nervozizmi.

2) Mehmet Shehu, është asgjësuar nga krahu i djathtë i tij, Kadri Hazbiu, i cili kishte nuhatur se grupimi i tyre, pritej të goditej nga dita në ditë. Ai e tradhtoi Mehmet Shehun dhe mori përsipër kryerjen e ekzekutimit të tij.

3) Mehmet Shehu, vrau veten natën 17 dhjetorit të vitit 1981, pas kritikave shkatërruese që iu bënë atij në plenumin e partisë dhe refuzimit të Enver Hoxhës, për ta pritur në takim atë natë. Ashtu si akrepi ku rrethohet me zjarr, pickon vetveten dhe asgjësohet, ashtu dhe sadisti Mehmet Shehu, bëri vetëvrasjen e tij.

Pas vrasjes së Mehmet Shehut, u arrestuan dhe u dënuan me vdekje ish-ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, ish-ministri i Shëndetësisë, Llambi Zeçishti, ish-ministri i Jashtëm, Nesti Nase dhe shumë kuadro të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si Llambi Peçini, Bato Karafili, Mihallaq Ziçishti, Idriz Seiti, etj. Cirkuitin e këtij rrethi vicioz, e mbylli ekzekutimi i Kadri Hazbiut në vitin 1983. Me gjak e nisën dhe me gjak e mbaruan jetën e tyre komunistët terroristë. Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Edi: 24/08/2023 22:14

    Ramizi shoku intim....,po para xa vitesh thonit qe ishte Qemal Stafa.Perversiteti i plehrave nuk ka kufi..

    Përgjigju
  • Shkodrani-Belgjine: 24/08/2023 10:10

    Pse nuk bani nje liber të ri. LIBRI I ZI PËR DEMOKRACINE NË SHQIPËRI. Do shihni çudira nga me te ndryshmet në këto 30 vjet demagogji, më shum se ai qe ka shkru për at kohë. Sot skan njerzit ftyr as ndjenja për te aferm e jo e jo per kombin.

    Përgjigju
  • lafi: 24/08/2023 08:55

    ska asnje fakt te vertete ne kete shkrim pervec deshires per ti bere i famshem me kete teorite idjote te konspiracionit! sander kondo eshte fut ne kthese me 80 ne ore pa frena sepse makina ishte karrakatine nuk kishte mundesi ekonomike ta mbante. vete sandri ishte katandis 60kg nga depresioni dhe punonte pastrus ne kishe! boll me budalliqe o i cmendur! sigurmi shtetit kane qene hajvan si ty analfabet pa asnje pergatitje inteligjente.

    Përgjigju
    • Moni: 24/08/2023 12:04

      Fiks

  • Vërtetësia?: 24/08/2023 08:33

    Mjaftë më me shkrime të kësaj natyre!Shkruesi i gjithmleruri i të 'vërtetave,deri te. krevati dhe vrima e...,çelësit,ka mundësi shumë që të jetë'larg o zot,nga ata të kamufluarit që kërkon të lajë m...n me urinë.Qëtë dyja bien erë.Si zakonisht Respekt dhe nqs nuk e botoni.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?