Kombëtarja e Brazilit do të duhet të bëjë edhe një herë pa shërbimet e Neymar, pasi sulmuesi nuk është grumbulluar për ndeshjen e dytë të fazës së grupeve në Kupën e Botës 2026.

Ylli i Santos nuk figuron në listën e lojtarëve të përzgjedhur për sfidën ndaj Haitit, e cila do të zhvillohet të shtunën në orën 02:30 sipas kohës shqiptare. Kjo do të jetë ndeshja e dytë radhazi që Neymar humbet në këtë turne, ndërsa vazhdon procesin e rikuperimit fizik.

Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka vendosur që 34-vjeçari të mbetet në qendrën stërvitore të ekipit në New Jersey, ku do të vijojë punën individuale me stafin mjekësor. Objektivi është që rikthimi i tij të bëhet vetëm kur futbollisti të jetë plotësisht i gatshëm, duke shmangur çdo rrezik për një dëmtim të ri.

Për momentin nuk ekziston një datë zyrtare për rikthimin e Neymar në fushë. Megjithatë, mediat braziliane raportojnë se sulmuesi pritet të jetë sërish në dispozicion të “Seleçaos” pas përfundimit të fazës së grupeve.

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.