Më 1 tetor faturimi i energjisë elektrike nuk do të jetë i njëjtë për të gjithë, si aktualisht me 9.5 lekë për kilovat. Këtë dimër, faturimi do të bëhet me fasha, kush shpenzon mbi 800 kilovat do të paguajë më shtrenjë. Nën këtë vlerë do paguhet 9.5 lekë/kilovat.

1 muaj larg faturimit me fasha, ende nuk është caktuar se cili do të jetë çmimi i ri për familjet që shpenzojnë mbi 800 kilovat që qeveria i konsideron familje të pasura.

“Është bërë studimi se sa familje preken dhe sa do jetë ky çmim. Synojmë të mos prekim çmimin e tregut. Mbrëmë në orën 20:00 çmimi në bursën hungareze që i referohemi edhe Shqipëria arriti në 1040 euro për megavat. Mund ta llogarisni vetë sesa është kilovati për orë dhe nëse do ti ekspozonim qytetarët tanë përballë këtyre çmimeve do të ishte e pamundur. Megjithatë fasha 800 kilovat ka disa propozime nga Operatori i Shpërndarjes dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilat do të diskutohen nga Këshilli i Ministrave për t’u zgjedhur ajo që do të jetë më e mirë edhe për të optimizuar financat e sektorit, por edhe për të diferencuar mburojën sociale që i japim qytetarit për nevojat që një familje sa i përket energjisë elektrike dhe pastaj ata qytetarë që vendosin të shpenzojnë më shumë por që mbetet në diskrecionin e tyre për të paguar një çmim më të lartë”, tha Balluku.

Por sa është numri i familjeve që edhe pse mund të shpenzojnë njësoj, nga 1 tetori do të preken nga shtrenjtimi i faturës së enegjisë elektrike?

Report Tv mëson se afro 30% e familjeve në vend konsumojnë më shumë se 800 kilovat orë në muaj.

Energjia me fasha një nga masat që qeveria merr për të përballuar krizën globale të energjisë që ka sjellë çmime stratosferike për megavat. Të martën në bursë çmimi arriti deri në 1047 euro megavati. Aktualisht qeveria që po e blen më shtrenjtë energjinë në tregjet ndërkombëtare, nuk e ka prekur çmimin për qytetarët dhe diferencën po e përballon nga buxheti i shtetit.

Nëse aktualisht qytetarët do ta paguanin energjinë me çmimin e tregut, fatura do ishte gati e papërballueshme, pasi aktualisht qytetarët paguajnë 9.5 lekë për kilovat ose 9500 lekë një megavat, ndërkohë që në bursë 1 megavat kushton 10 fish më shumë.  Për Rithemelimin në PD, Rama duhet t’i kthejë sytë nga vendimi i qeverisë Berisha.

“Edi Rama ka muaj që zotohet se çmimi i energjisë për familjaret dhe biznesin e vogël nuk do të preket, por sipas zakonit, po bën ekzaktësisht të kundërtën. Për kujtesë, qeveria e Partisë Demokratike aplikonte një fashë prej 300 kwh në muaj për të mbrojtur familjet e varfra, që konsumonin pak energji. Edi Rama e hoqi këtë fashë duke e rritur ndjeshëm çmimin, për afro 75% të konsumatorëve. Tetë vite më vonë po bën të kundërtën. Fasha që do të vendoset ne emër të kursimit, është fasha e shkatërrimit, dhe jo e kursimit. Vetëm në një gjë Rama nuk gënjen: kur thotë se situata në sektorin energjetik është katastrofike”, thotë anëtari i Kryesisë së PD, Eno Bozdo.

Situata eergjetike në vend nuk duket aspak optimiste. Niveli i Fierzës ka rënë me 10 metër në një muaj, pasi KESH ka prodhuar në kaskadë për të shmangur importin me çmime të larta. Sakaq, INSTAT raporton se prodhimi vendas i energjisë u ul me 38,1 % në  tremujorin e dytë të vitit, vetëm 1.647 gigavat nga 2.660 gigavat energji të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2021.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:21
Kriza energjetike, KESH: Nëse çdo familje fik 2 llamba për 4 orë, do kursehej 393 mln lekë në vit

1661963011_kk.JPG

KESH (Korporata Elektroenergjitike Shqiptare) ka bërë një sugjerim që të gjithë familjet të fikin 2 llamba për 4 orë në mënyrë që të kursehet energjia elektrike dhe kostoja që duhet të paguajnë në fund të muajit.

Sipas KESH kjo do të sillte 654 lekë më pak në faturë dhe do të kursente 3,500 MWh dhe 39,3 milionë lekë në vit

“Kursejmë energjinë që ta kemi!Sa herë që kursen energji, ti ke kursyer para! Fikni 2 llamba për 4 orë, çdo ditë dhe kjo do të përkthehet në 58.4 kWh të kursyer në vit dhe 654 lekë më pak në faturën tuaj. Sikur këtë veprim ta kryejë çdo familje e një qyteti në vend, do të kursehej mesatarisht 3,500 MWh dhe 39,3 milionë lekë në vit, ndërsa sistemi energjetik do të kursejë nga kostot e importit në kushtet e sotme, mesatarisht 307 milionë lekë në vit për çdo qytet”, shkroi KESH në një postim.