Nga Arben Puto: Deklarata e parë
për lirimin e të burgosurve politikë

Nga Arben Puto: Deklarata e parë<br />për lirimin e të burgosurve politikë
TIRANE- Kjo intervistë është bërë në emisionin shqip të “Zërit të Amerikës” me kërkesë të kryeredaktorit Elez Biberaj që më kishte kontaktuar gjatë vizitës sime në Paris, ku isha ftuar në aktivitetin e 100-vjetorit të gjeneralit De Gaulle (nëntor 1990).

M’u bënë disa pyetje. Unë iu përgjigja dhe ngrita çështjet më të mprehta që shtroheshin në atë moment: 1) Është koha e vendosjes së sistemit shumëpartiak; 2) Të lirohen të gjithë të burgosurit politikë; 3) Dalja nga izolimi dhe vendosja e marrëdhënieve normale me shtetet e tjera, veçanërisht me SHBA për të rikthyer traditën. Leximi i plotë i tekstit jep një ide më të qartë.
 
Teksti i intervistës
 
Radio “Zëri i Amerikës”: Në vazhdim ju ftojmë të ndiqni një intervistë telefonike që bashkëpunëtori ynë Elez Biberaj zhvilloi me profesor Arben Puton:
 
Profesor Puto, për një kohë të gjatë është thënë se Shqipëria nuk paraqet një terren të përshtatshëm për pluralizmin politik. Kohët e fundit ju botuat librin “Demokraci e rrethuar”. Çfarë mësimesh mund të nxirren nga përvoja e eksperimentit politik të viteve ’20, pasi duket se Shqipëria po shkon në drejtim të krijimit të një sistemi shumëpartiak.
-Do ta filloj me Kongresin e Lushnjes. Unë mendoj se një nga aspektet më të rëndësishme të veprës së Kongresit të Lushnjes është ajo vendosjes së rendit demokratik në Shqipëri. Ky aspekt nuk është vënë në dukje në atë shkallë që meriton, sipas mendimit tim.

Në të vërtetë me Kongresin e Lushnjes, me Këshillin Kombëtar fillon një jetë politike sipas disa rregullave të demokracisë. Në fakt periudha nga viti 1920 deri më 1924-n është periudha e parlamentarizmit në Shqipëri. Në parlament dhe jo vetëm në shtyp, në opinionin e gjerë, ballafaqohen atëherë dy forca politike, dy rryma kryesore: do të thosha konservatorët, shprehësit e shtresave të privilegjuara dhe progresistët që ishin për një shoqëri moderne, për një shoqëri të hapur demokratike me një program reforamsh në dobi të shtresave të ulëta.

Formalisht këto forca nuk kanë pasur struktura të qëndrueshme. Ashtu sikurse mund ta kuptojmë sot. E megjithatë ato kanë zhvilluar luftën politike në parlament sikur të ishin në parti. Historia tregon se populli shqiptar ka qenë i përgatitur. I pjekur, jo vetëm për jetë të pavarur, por edhe për demokracinë. Pra rregullat e demokracisë e kanë bërë provën e tyre me sukses që në vitet ‘20, këtu në vendin tonë. Kjo është një traditë që vihet në radhë të parë me vlerat e tjera të mëdha të popullit shqiptar. Këtë vlerë duhet ta përtërijmë, por doemeos në një nivel më të lartë.

Mua më duket se është momenti të flasim për demokracinë në shkallën më të lartë. Ajo që ndodhi këto javë në angazhimin e vendosur, por edhe në qëndrimin e sjelljes qytetare të rinisë dhe të studentëve është padyshim një pikë kryesore në historinë e Shqipërisë pas Luftës së Dytë...(shkurtohet-red) Është hapur kështu rruga për një shoqëri tjetër, një shoqëri moderne, pluraliste, demokratike, sipas standarteve europiane.

Demokracia sigurisht nuk është e thjeshtë. Ngjarjet e këtyre dy-tri ditëve të fundit sa janë të dhimbshme e të dënuehsme, aq janë do të thosha edhe një provë se do të ketë pengesa. Do të ketë të papritura. Megjithatë kthesa, domodoshmëria e saj është e padiskutueshme. Prandaj, jo vetëm duhet pranuar kjo kthesë, por edhe edhe përshëndetur, duhet përkrahur, duhet adminstruar me kujdes, me maturi, që të mos ketë rënie rrënuese.

Që kjo kthesë të na çojë në përparimin e gjithanshëm të kombit në begatinë e tij dhe në ekzaltimin e vlerave autentike të tij. Ky është një moment me rëndësi vendimtare për kapërcimin me sukses të kësaj faze delikate dhe komplekse. Dhe kjo vlen për të gjithë. Vlen për të gjitha forcat politike, të reja dhe të vjetra qofshin ato.

Vlen në radhë të parë për partinë që është në fuqi. Partia e Punës ka padyshim një parim që mund të nënvleftësohet, atë të rolit udhëheqës në luftën për çlirimin nga okupatorët nazifashistë të këtyre 40-45 vjetëve që kanë kaluar pas Luftës së Dytë... Por në këtë fazë të re duhet shkuar me guxim, duhet të jemi konsekuentë dhe në radhë të parë unë mendoj se duhen marrë masat që kërkon momenti. Unë do të thosha se ka ardhur momenti që të merren masat e lirimit të të gjithë të burgosurve politikë.

Një tjetër çështje që do të thosha është t’i hedhim një sy të kaluarës, të shikojmë ç’është bërë e ç’nuk duhej bërë. Në anën tjetër do të thosha se dalin probleme edhe përsa u përket marrëdhënieve me jashtë. Unë mendoj se zhvillimet e fundit në Shqipëri kanë hedhur poshtë çdo pengesë për normalizimin e marrëdhenieneve midis shteteve të tjera, e veçanrisht me shtet e mëdha. Kam parasysh në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse ka pasur gjer tani ndonjë rezervë, kjo rezervë tanimë ka rënë.

Duhet menjëherë të vendosen marrëdhëniet normale mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Unë mendoj se kjo është me rëndësi të veçantë, sepse Amerika gjithnjë historikisht dhe aktualisht ka treguar një sensibilitet të madh, përsa i përket çështjes shqiptare.

Unë mendoj se këtë sensibilitet do ta tregoj edhe në të ardhmen. Ka ardhur koha që edhe Komuniteti Europian, fuqitë perëndimore të hedhin poshtë çdo rezervë dhe të pranojnë Shqipërinë në KSBE (OSBE). Unë mendoj se kjo është e domosdoshme për suksesin e kthesës që ëdhtë filluar në Shqipëri, për suksesin e plotë të demokracisë në Shqipëri. Dhe unë do ta mbaroj këtë me një thirrje që t’i vihet në ndihmë Shqipërisë, të mos bëhet vetëm sensacion me ngjarjet që po ndodhin në Shqipëri.
(Intervista vijon në libër, faqe 46...)
 
Shënim: Lajmi i intervistës u përhap menjëherë. Pati një jehonë të gjerë. Puto shkruan në këtë libër se ka marrë shumë përgëzime, por edhe kërcënime nga ata që kishte përfaqësuar para ‘90-s, që e merrnin në telefonatat anonime dhe i thoshin tradhëtar e renegat.  


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 4 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?