Një 36-vjeçar shqiptar, i punësuar si oficer emigracioni në Mbretërinë e Bashkuar, po përballet me akuza të rënda penale, pasi dyshohet se ka vjedhur para nga emigrantët që mbërrinin në Angli me gomone përmes Kanalit të La Manshit.
Bëhet fjalë për Besmir Matera, i cili akuzohet se së bashku me katër kolegë të tjerë përfitonte para nga emigrantët në momentin kur ata silleshin në portin e Doverit, pasi shpëtoheshin në det. Ngjarjet dyshohet se kanë ndodhur gjatë viteve 2021 dhe 2022.
Sipas prokurorisë, oficerët kontrollonin sendet personale të emigrantëve dhe mbanin për vete shumat e parave që gjenin, të cilat më pas i ndanin mes tyre.
Rasti ka tërhequr vëmendje edhe për shkak të së shkuarës së Materës.
Ai akuzohet se kishte hyrë vetë ilegalisht në Britaninë e Madhe rreth viteve 2003–2004, kur ishte vetëm 14 vjeç. Sipas dosjes, ai kishte shkuar në Britaninë e Madhe nëpërmjet një udhëtimi shkollor dhe më pas ishte zhdukur, duke mos u kthyer me grupin në Shqipëri.
Autoriteteve britanike u ishte prezantuar si shtetas nga Kosova dhe kishte aplikuar për azil me identitet të rremë. Ndaj tij rëndojnë edhe akuza për përdorim dokumentesh false, përfshirë pasaporta dhe patentë drejtimi, në periudha të ndryshme deri në vitin 2022.
Në total, gjashtë oficerë emigracioni janë akuzuar për këtë çështje. Të gjithë janë pezulluar nga detyra dhe janë liruar me kusht. Ata pritet të dalin më 26 shkurt para Gjykatës së Kurorës në Southwark, ku do të zhvillohet seanca përgatitore e gjykimit.
Komente








