Forma e mirë e Vedat Muriqit me Mallorcan nuk ka kaluar pa u vënë re, teksa gjigantët e Barcelonës e kanë përfshirë sulmuesin shqiptar në listën e objektivave për repartin e avancuar për sezonin e ardhshëm.

Katalanasit po kërkojnë alternativa më ekonomike për sulmin, duke pasur parasysh se objektivi kryesor, Julian Alvarez, ka një kosto që varion nga 100 deri në 150 milionë euro. Në këtë kontekst, Muriqi shihet si një opsion më i përballueshëm financiarisht.

Një tjetër emër në listë është Alexander Sorloth, ndërsa drejtuesit e klubit po analizojnë disa profile që mund të përshtaten me buxhetin aktual.

Sulmuesi i Kosovës ka kontratë me Mallorcan deri në vitin 2029, por një transferim gjatë merkatos së verës mbetet i mundur. Vlera e tij në treg llogaritet mes 5 dhe 10 milionë euro, duke e bërë një alternativë tërheqëse.

Në aspektin sportiv, Muriqi po kalon një sezon mbresëlënës në La Liga, ku ka realizuar 21 gola, vetëm dy më pak se ylli i Real Madrid, Kylian Mbappe.

Interes për shërbimet e tij ka shfaqur edhe Fenerbahçe, që synon rikthimin e sulmuesit në Turqi. Ndërkohë, në listën e Barcelonës përmendet edhe Fisnik Asllani, megjithatë ai nuk konsiderohet një “9” tipik për skemat aktuale të ekipit.