Nga Dritan Hila: Dita kur Ilir Meta vdiq

Nga Dritan Hila: Dita kur Ilir Meta vdiq

Dje, në një rrugë që ndodhet pikërisht aty ku dikur vjehrra e tij kishte shtëpinë dhe çifti Meta-Kryemadhi filloi jetën bashkëshortore, grupi operacional i policisë, me urdhër të SPAK, i jepte fund karrierës së njeriut që ka pasur poste shtetërore më shumë se çdo shtetar shqiptar.

Mënyra e arrestimit ishte fare e palavdishme, duke e tërhequr zvarrë dhe kjo jo për faj të policëve por të njeriut që nuk e kishte kuptuar se ylli i tij kishte perënduar përfundimisht, dhe nuk diti t’i jepte pak klas aktit të tij të fundit publik.

Një gjë është e sigurtë që emri i tij do mbetet në historinë e Shqipërisë, por aspak monumental. Karriera e tij ka të përpjeta e tatëpjeta, duke e mbyllur në fund me rrokullimë.

I ardhur në politikë si fëmija i privilegjuar i të majtëve, shumë shpejt provoi shijen e pushtetit, pa punuar asnjë ditë.

Pa eksperiencë administrative apo akademike, por me instinkt politik tipik oriental, ia doli që të ishte kryeministër i tyre, duke e shfrytëzuar pushtetin jo vetëm për të bërë para por edhe për të krijuar klanin e tij politik, pa pyetur për kriteret e promovimit në administratë, ku çdo injorant apo kalama merrte poste drejtuese, mjaft që të ishte besnik i tij, dhe nuk është se nuk ia doli.

Në momentin kur u shkëput nga PS, një pjesë e elitës së saj iu bashkuan, bashkë me një pjesë të elektoratit duke e çuar në humbje partinë e Nanos dhe fundin e karrierës së tij.

Në katër vitet kur LSI ishte në opozitë, ajo u shqua për beteja parimore për të arritur kulmin me grevën e urisë së deputetëve të saj, për shkak të ndryshimeve të ligjit zgjedhor. Ky katërvjeçar ishte edhe periudha kur elementë të spikatur të PS që nuk ishin dakord me politikat e Edi Ramës iu bashkuan LSI, e cila po shfaqej si konkurrente ideologjike e PS.

Por iluzioni nuk zgjati shumë. Në vitin 2009, që Berisha të qeveriste i duheshin votat e LSI. Me një kthesë 180 gradë, Meta i bashkohet qeverisë, pa vendosur asnjë kusht paraprak parimor, ku korrigjimi i ndryshimeve të vitit 2008, duhet të ishte i panegociueshëm. Mirëpo kjo nuk ndodhi.

Vetë Metës i pëlqente pozicioni dhe nuk donte konkurrentë të tjerë në rolin e kingmakerit, pa e kuptuar se me këtë akt vrau edhe veten dhe boshtin parimor dhe ideologjik të partisë së tij. Me tej e gjitha është histori.

Personalitetet u larguan nga partia e tij; pastaj erdhën filmimet e 21 janarit kur perceptimi publik për korrupsionin e LSI u dokumentuan nga videoja e Dritan Priftit, pastaj vrasjet e 21 janarit dhe cilësimi si “kokëpalarë” i viktimave, duke e bërë grupin që drejtonte nga një parti, në një bandë gjobëvënësish, barrë për çdo aleat të tij.

Dhe sot jemi në ditën kur stafi drejtues i PL janë ose njerëz pa emër ose qesharakë. Askush në atë parti nuk është personalitet në një fushë të caktuar apo i nivelit kombëtar. Janë vetëm papagaj që imitojnë fjalorin e Metës, fjalor i tmerrshëm për varfërinë e tij e nga ku natyrisht nuk mund të presësh ide.

Tani ai grupim nuk i duhet më as PD-së e cila ndjehet e çliruar nga barra e Ilir Metës që iu ngarkua që në vitin 2009. Në 33 vjet karrierë Meta ia doli të mbijetojë për shkak të intrigave dhe makinacioneve, por pa e kuptuar se ora e tij kishte mbaruar.

Kjo iu bë e qartë dje, në 21 tetor 2024, nga një grup policësh, në një shesh pa emër, nën shikimet indiferente të shoferëve, ku asnjë nuk u ndal as për kuriozitet. (Dritare.net)

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja