Kjo është leja e re e qarkullimit të mjetit, që prej të hënës do të jetë në fuqi për të gjitha mjetet që qarkullojnë në vend. Nga 6 qershori do të aplikohet formati i ri i Lejes së Qarkullimit për mjetet rrugore për të gjitha veprimet e reja me mjetin, ku sipas Kryeministrit Rama qytetarët do përfitojnë në cilësi, siguri dhe besueshmëri të produktit si edhe kosto të reduktuara ndjeshëm të shërbimeve.
Rama ka postuar foto në Facebook dhe shkruan se ky model i ri është plotësisht në standardet e Bashkimit Evropian.
“Stop orvatjeve dhe me një pagesë ku kostot ulen me 40%, tashmë leja e re e qarkullimit unifikon përfundimisht dokumentet e mjetit në një të vetme. Leja e re NUK do të jetë e detyrueshme për qytetarët që kanë lejen aktuale të mjeti”, shkruan Rama.
AVANTAZHET direkte për qytetarët sipas DPSHTRRR
- Sot paguhet 3,500 lekë për lejen aktuale, certifikatën e pronësisë dhe lejen ndërkombëtare të mjetit! Leja e re që unifikon dokumentat e mjetit në 1 do kushtojë vetëm 2,100 lekë, -40%!
- Leja e re nuk do ketë vula kolaudimi, pra nuk bëhet e pavlefshme nga mungesa e vendit për vula si leja aktuale!
- Leja e re nuk ka afat skadence!
- Leja e re përfshin të dhëna sipas kodeve të BE, datë regjistrimi për herë të parë, vit prodhimi, qiramarrës, etj!
- Leja e re unifikon të dhënat dhe eliminon Certifikatën e Pronësisë së Mjetit!
-Çdo vit, mbi 150 mijë qytetarë/subjekte që konsumojnë shërbime për regjistrime të reja mjeti, ndërrim pronësie, humbje/dëmtim, ndryshime konstruktive, e shërbime të tjera, dhe do të pajisen me Lejen e re të Qarkullimit, do t'u kursehen 210,000,000 lekë të reja, ose 1.75 milionë Euro!
- Leja e re është shumë rezistente, nuk dëmtohet nga lagështia ose palosjet!
- Leja e re përmban elementet e sigurisë si: watermark - logo identifikuese në brumin e letrës speciale që dallohet nëse shikohet përmes dritës; fluorescent fibres - fije fluoreshente që dallohen me rreze ultraviolet; fluorescent imprints - logo identifikuese e dallueshme me rreze ultraviolet; hologramë - stampë e shndërritshme e integruar në materialin e letrës me dizajn të personalizuar!
- Leja e re do ketë edhe QR code drejtpërdrejt nga sistemi eDPSHTRR, mikrotekst, vizatim e grafika që ndryshojnë ngjyrën në këndvështrime të ndryshme drite, etj!
- Personalizimi (teksti) me puntim!
- Cilësia dhe vetitë e letrës së lejes së re do të jenë speciale, e njëjtë me dokumentet e qarkullimit gjermane! Eliminohet mundësia e manipulimit të të dhënave, për pasojë garantohet besueshmëria në qarkullim për çdo verifikim nga autoritetet brenda/jashtë vendit!
- Leja e re do jetë më e vogël, me tre pjesë, më praktike si edhe me çdo të dhënë të mjetit, të kodifikuar!
- Leja e re, falë cilësisë, sigurisë dhe përputhshmërisë me Direktivën 1999/37/EC e 29 Prillit 1999 (e përditësuar, 2014), eliminon nevojën për Leje Ndërkombëtare Mjeti! Qytetari lehtësohet nga një tjetër kosto e angari që përsëritej çdo tre vjet!
SQARIM:
- Leja e re do të jepet për veprimet e reja me mjetin! Leja e re NUK do të jetë e detyrueshme për qytetarët që kanë lejen aktuale të mjetit!