Siç mora vesh më pas, ky stadium ishte ngritur nga pushtuesit italianë dhe pas kapitullimit të tyre në vjeshtë të vitit 1943, nazistët gjermanë që kishin zënë vendin e tyre, e kishin kthyer në… parking për makina dhe tanke.
Pikërisht në këtë stadium po zhvillohej ndeshja midis përfaqësuesës së Tiranës dhe Maqedonisë, të cilën tanët e fituan, madje 5- 2. Ishte një nga ndeshjet e shumta që kishim nisur të zhvillonim me skuadra jugosllave, “Budusnoçt” i Titogradit, “Lubjana”, “Crvena Zvezda’ dhe “Partizan” i Beogradit, “Spartaku” i Moskës, madje dhe me skuadra kosovare të Prizrenit dhe Prishtinës, me të cilat edhe humbnim, por edhe fitonim.
Pashë që tre nga golat i shënoi një lojtar i gjatë dhe i hijshëm. Ky ishte Loro Boriçi nga Shkodra. Dhe, meqë dhe nënën e kisha shkodrane, unë u bëra tifoz i Loros dhe, s’do mend, dhe i Shkodrës, pra i “Vllaznisë”, ndonëse babanë e kisha tiranas. Për më tepër, atë vit “Vllaznia” kishte mundur dy herë Tiranën në kryeqytet dhe në Shkodër me të njejtin rezultat 2-1 dhe për herë të parë ishte bërë kampione e Shqipërisë.
Mbaj mend se në qershor të vitit 1946 shkodranët, me Loro Boriçin në krye, po në këtë stadium mundën bujshëm SK Tiranën 5-1 dhe pasi mposhtën “Flamurtarin”, fitues i grupit tjetër, për të dytën herë u bënë kampionë të vendit. Por jo më shumë, sepse, me sa dukej, nga Shkodra u largua Loroja dhe dy a tre të tjerë. Më saktë, sepse u thirrën ushtarë dhe kësisoj më 1947 nisën të luanin me “Partizanin” e Ministrisë së Mbrojtjes, që atë vit, më 1948 dhe ’49 u shpall tri herë radhazi kampion.
Thashë se që në fillim të vitit 1945 skudrat tona kishin nisur të ndesheshin me skuadra të Jugollavisë së druzhe Titos, me të cilën Enveri ynë kishte zënë “sevdanë” e parë të… përmallueshme. Kështu, krahas mësimeve marksiste të diktaturës së proletariatit se si të ndërtohet komunizmi nga ky Tito, të cilit, nga ana tjetër ato ia kishte mësuar më parë xha Stalini, meqë jugosllavët kishin krijuar skuadrën të quajtur “Partizani’ dhe që ishte e ushtrisë, dhe te ne kjo skuadër e re u pagëzua po me këtë emër sepse dhe ajo ishte e ushtrisë.
Por, para se të vazhdoj të rrëfej shkurt për kampionatet tona të përiudhës komuniste, po ndalem te një nga ngjarjet më në zë të futbollit tonë, te Lojërat Ballkanike që u zhvilluan në tetor të vitit 1946 në Tiranë, pra 70 vjet më parë.
Me punë të të rinjve të kryeqytetetit, që quri të quhej vullnetare, por që nuk ishte gjithmonë e tillë, brenda disa mujash fusha e rjepur dhe e stadiumit e bë e gjelbër dhe me kanalizime të nëndhshme; u ndërtua dhe pista e vrapimit, kurse në shkallët e fundit u ngritën rrjeta me tela. Kështu stadiumi mori një pamje tërheqëse dhe u quajt “Qemal Stafa”, megjithëse heroi i ynë i nderuar nuk kishte qenë sportist.
Unë dhe im vëlla, si kalamaj të tjerë të asaj mëhalle ku banonim, ngaqë nuk na e kërciste xhepi që veç bilatave për të shkuar në kinema të blinim edhe bileta sporti, mundëm të shihnim vetëm pjesët e dyta të ndeshjeve, sepse atëherë hapeshin portat dhe kushdo mund të futej lirisht në stadium.
Mirëpo edhe pjesët e para nuk linim pa i parë, por nga pemë të larta te kodrat jugore të stadiumit, ku për fat të keq, dukej… vetëm gjysma e fushës, ajo nga shtëpitë e kryeqytetit. Dhe ia kishim zili atyre bashkëmoshatarëve tanë, që qysh në pjesën e parë kacavireshin mbi mure, u përvidheshin policëve dhe futeshin brenda në stadum, bëmë trimërore, së cilës mua dhe vëllanë nuk na shkonte ndërmend t’ia hynim, sepse ishim disi të urtë…
Pamë kështu dhe ndeshjen e fundit të Shqipërisë me Rumaninë të cilën e fituam me një gol “antologjie”, siç i quante Anton Mazreku në shkrimet e tij, të kavajasit Teliti dhe kështu me golavarazh më të mirë se jugosllavët që na kishin mundur 3-2, kur në pjesën e parë fitonim 2-0, ne u bëmë kampionët e parë të Ballkanit, arritje të cilën mjerisht nuk e kemi përsëritur edhe sot.
Që kishim “nivel të lartë”, siç shkruhej në gazetën “Sporti”, të cilën kisha nisur ta lëçisja që i mitur, këtë ne e dëshmuam dhe ndeshjet e Kampionatit të Evropës Qendrore, ku i mposhtëm rumunët mu në shtëpinë e tyre, 1-0, barazuam 0-0 me Hungarinë në Tiranë, po me këtë rezultat dolëm barabar dhe me Jugosllavinë e Titos, si më 27 qershor të vitit 1948, pak ditë para se të shpallej Rezolucioni i Byrosë Infornative të vendeve komuniste, me anë të së cilës Stalini dëbonte Jugosllavinë nga vatha e tij dhe si pasojë edhe xhaxhi Enveri prishte sevdanë me jugosllavët tek të cilët deri atëherë ishte shitur kokë e këmbe, për të filluar pastaj sevdanë më rusët, që edhe ajo nuk do të ishte kaq e gjatë.
Mirëpo viti 1950 shënoi një dramë që tronditi themelet e futbollit shqiptar. Në verë të atij viti kur ekipi ynë përfaqësues po udhëtonte në rrugë detare për një turne ndërkombëtar, dy futbollitë të njohur, Bule Vathi dhe Bahri Kavaja, u hodhën nga anija me të cilin udhëtonte ekipi në Dardanele dhe u zhdukën. Bulja, sic më ka treguar më 1994, kur u kthye në atdhe, pasi ndenji pak muaj në Turqi, kaloi në Itali dhe u vendos përfundimisht në Amerikë, kurse Bahri Kavaja u nis dhe mbeti në Australi.
Si pasojë, përfaqësuesja jonë humbi 3-0 me Cekosllvakinë në Pragë, 12-0 me Hungarinë në Budapest dhe 6-0 me Rumaninë në Bukuresht.
Janë reultate që kurrsesi nuk përfaqsonin nivelin e futbollit tonë që, siç e pamë, më 1948 kishte mundur Rumaninë në shtëpinë e vet 1-0 dhe një vit më pas kishte barazur po në Bukuresht me të 1-1, po me këtë rezultat kishte barazuar në Sofje më Bullgarinë, më 1952 kishte mundur Çekosllovakinë 3-2 dhe 2-1 dhe më 1953 kishte fituar 2-0 kundër Polonisë, ndeshje të gjitha të luajtura në Tiranë.
Të kthehemi tani te kampionatet. Nuk ishte e thënë që hegjemonia e ”Partizanit” të vazhdonte gjatë, sepse, ashtu si një këpurdhë që mbin pas shiut, më 1950 u krijia një skuadër tjetër. Ishte ”Dinamo” e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Madje me shumë vonesë, sepse në vende të tjera socialiste, duke përfshirë edhe Jugosllavinë, tashmë revizioniste, ishin krijuar prej vitesh.
Kadri Hazbiu, që aso kohe ishte bërë zëvendës i Mehmet Shehut në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i cili, siç dihej kishte haber për të vrarë, madje me dorën e tij njerëz, por nuk kishte fare haber në sport, tamam eprorit të tij xhelat, të cilit i ishte mirënjohës që i kishte mësuar zanatin e gjakësorit, i tefterosi se në Bashkimin e madh Sovjetik të Stalinit, ashtu siç kishte një skuadër futbolli të ushtrisë, kishte dhe një skuadër futbolli të ministrisë që “syçeltësonte” ndaj armiqve të brendshëm dhe të jashtëm.
Dhe Mehmet Shehu, që një vit më vonë do të bëhej kryeministër, pranoi pa teklif e kështu brenda janarit të vitit 1950, duke kërryer nga lojtarët më të mirë kudo në Shqipëri, madje dhe nga “Partizani”, u krijua “Dinamo” e Ministrisë së Brendshme dhe në korrik të po atij viti na u bë dhe kampione. Rekord për t’u futur edhe në librin e rekordeve “Gines”.
Nuk mjaftoi kjo, por ”Dinamo” i rrëmbeu “Partizanit” edhe kurorën e kampionit edhe më 1951, 52, 53, për t’ia lëshuar vetëm më 1954, por për t’ia rimarrë më 1955. Pastaj do të niste era “Partizani’, që në vitet 1956, ‘57, ‘58, ‘59 do të bëhej sërishmi kampion.
Vetëm më 1960 “Dinamo” do të shënonte përkohësisht emrin në librin e artë të kampionateve. Them përkohësisht, sepse më 1961, ‘62 – ‘63 dhe ‘63-‘64 kampionatet do t’i fitonte përsëri “Partizani”.
Në kampionatin e vitit 1961 u shënua një rekord original. Meqë këto dy skuadra në fund të tij kishin të njejtat pikë, dhe golaverazhi nuk u mor parasysh, u zhvillua një ndeshje finale. Mbaruan 90 minutat dhe rezultati ishte i bardhë 0-0.
Disa minuta para se takimi të mbyllej, shënoi Resmja i “Partizanit’, por pas pak barazoi Lubonja i “Dinamos”. U desh një tjetër ndeshje, se atëherë nuk kishte dalë moda e penallitive të famshme!... Pas 120 minutash 0-0.. Edhe një shtesë prej 15 minutash dhe Pano më së fundi shënoi për “Partizanin”, kur të dyja skuadrat ishin bërë…telef, si unë dhe Ismet Bellova që komentonim këtë maratonë.
Sidoqoftë, sundimi i “Partizanit’ dhe ”Dinamos” nuk do tëvazhdonte gjatë, më gjatë, sepse, siç do të shohim, në vazhdim të këtyre meditimeve, në horizontin e futbollit tonë do të shfaqej “17 Nëntori” i Tiranës. Kjo skuadër do t’i eklipsonte këto skuadra që mbijetonin duke gllabëruar çdo vit lojtarët më të mirë të skuadrave të qyteteve të tjera, duke i mobilizuar ushtarë dhe pas shërbimit ushtarak, drejtuesit e lartë ushtarakë të tyre i joshnin të luanin po me këto skuadra duke u siguruar punë, kushte të mira jetese dhe shtëpi.
Eshtë për t’u habitur se si duke qene deri më 1961 satelit i Bashkimit Sovjetik, duke pasur me të dhe vende të tjera socialiste marrëdhënie edhe në fushën e sportit, që nga viti 1953 deri në vitin 1958 habitërisht kufizuan ndeshjet e përfaqësueses sonë në futboll.
Ja përse gjatë kësaj periudhe ajo zhvilloi vetëm një ndeshje miqësore me perfaqësuesen e Kinës, (2-3) në Pekin më 1956, dhe një tjetër në Tiranë më 1958 me përfaqësuesen e RD Gjermane (1-1). U kufizuan edhe ndeshjet e klubeve, nga të cilat veçojmë takimin e “Partizanit’ me CDNA-në e Sofjes, 2-2.0. Por, ndërkohë “Partizani“ zuri vendin e dytë në turneun e futbollit të vendeve socialiste, zhvilluar në Lajpcig më 1958, sukses ky jo i vogël.
Dhe pasi Enver Hoxha prishi dhe sevdanë e tretë me Hrushovin duke u lidhur me Kinën e Mao Ce Dunit, nga i cili do të shkëputej përfundimisht më 1978, nisi dhe ngrirja e takimeve sportive dhe doemos edhe të futbollit me skuadra të vendeve socialiste të quajtura tani revisioniste, si dikur Jugosllavia.
Loro Boriçi
Por, për fat të mirë, më 1961 lindi Kupa Ballkanike në futboll midis skuadrave të dyta dhe mbi të gjitha, u hap dritë e gjelbwr për të marrë pjesë në Kupën e Kampionëve të Evropës, sot Champions Ligue, dhe më 1963 Shqipëria mori pjesë në ndeshjet përcilësuese të Kampionatit Evropian të vitit 1964, për të cilat do të bëjmë fjalë në vazhdim.
(Vijon nesër)
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)