Ismael Saibari po jeton momentet më të mira të karrierës së tij, teksa mesfushori i Marokut është kthyer në një nga protagonistët kryesorë të Kupës së Botës 2026 dhe një kandidat serioz për “Këpucën e Artë” të këtij turneu.

Vetëm pak muaj më parë, emri i tij ishte në qendër të vëmendjes për arsye krejtësisht të tjera. Gjatë finales së Kupës së Kombeve të Afrikës mes Marokut dhe Senegalit, Saibari u bë viral pas një incidenti me portierin senegalez Edouard Mendy, kur kamerat e kapën duke tentuar t’i merrte peshqirin gjatë një momenti tensioni në ndeshje, kjo për mos e lënë kundërshtarin që të shihte krahun e goditjes së penalltive.

Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale dhe futbollisti maroken u përball me kritika të shumta. Megjithatë, ai reagoi me pjekuri, duke shkuar personalisht në hotelin e kombëtares së Senegalit për t’i kërkuar falje Mendyt dhe pjesëtarëve të ekipit. Gjesti i tij u vlerësua si një shenjë respekti dhe sportiviteti, duke mbyllur një episod të pakëndshëm.

Sot, situata ka ndryshuar tërësisht. Në Kupën e Botës 2026, 25-vjeçari ka qenë një nga surprizat më të mëdha të turneut. Ndërsa vëmendja ishte e përqendruar te emra si Lionel Messi, Kylian Mbappe, Cristiano Ronaldo, Erling Haaland apo Vinicius Junior, Saibari ka rrëmbyer skenën me paraqitje mbresëlënëse.

Mesfushori maroken ka shënuar në të treja ndeshjet e fazës së grupeve, duke gjetur rrugën e rrjetës kundër Brazilit, Skocisë dhe Haitit. Goli ndaj Brazilit, në barazimin 1-1, tregoi qetësinë dhe cilësinë e tij përballë portierit Alisson, ndërsa ndaj Skocisë realizoi pas vetëm 71 sekondash lojë, duke regjistruar golin më të shpejtë të turneut deri në atë moment dhe më të shpejtin në historinë e Marokut në Kupat e Botës.

Ai ishte vendimtar edhe në përballjen ndaj Haitit, ku shënoi golin e barazimit në suksesin 4-2 të kombëtares së tij.

Falë këtij starti të jashtëzakonshëm, Saibari ka hyrë në histori si lojtari i parë maroken që shënon në secilën nga tre ndeshjet e para të një Botërori. Po ashtu, ai është bërë futbollisti i parë afrikan që realizon gol në secilën prej tre paraqitjeve të tij të para në Kupën e Botës.

Paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re as nga klubet më të mira në botë. Bayern Munich ka siguruar shërbimet e mesfushorit me tipare sulmuese për 55 milionë euro, me Saibarin që do të jetë pjesë e gjigantit bavarez deri në vitin 2031.

Ismael Saibari

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.