‘Nga haremi me vajzat e reja, te Veliu që firmosi pavarësinë më 1912-ën dhe...’/ Historia e panjohur sarajeve të familjes Këlcyra

‘Nga haremi me vajzat e reja, te Veliu që firmosi pavarësinë më 1912-ën dhe...’/ Historia e panjohur sarajeve të familjes Këlcyra

Sarajet Këlcyra, të thirrura më së shumti kështu gjatë perandorisë osmane, gjithë historinë e tyre, e kishin vërtetë si të një kështjelle. Këtë mënyrë ekzistence, ia jepte vendndodhja e posaçme gjeostrategjike. Ishte ky funksion, që pati formuar historinë e saj shtatë shekullore dhe jo familja, që e vuri në dorë dhe më pas edhe e rindërtoi. Këta, banorët dhe njëkohësisht pronarët e saj, me hir apo me pahir, qenë të detyruar të ishin në lartësinë e rolit ushtarak të pozicionit. Ndryshe, vetë gjeostrategjia dhe jo fati i tyre personal, i hiqte qafe. Sepse, zotëronin epërsi të pazakonshme, për të kontrolluar të gjithë zonën përreth, madje, të ishin porta e hyrjes, nga veriu, i çdo sulmuesi, që donte të marshonte drejt trojeve jugore të shqiptarëve, ose porta e hyrjes, nga jugu, i gjithë agresorëve që mësynin prej viseve fundore të Ballkanit, a më tej, ushtarakët grekë e dogjën në 1914.

Ndërkohë e ritheksojmë: si relievi ashtu dhe kështjella e çuditshme, mbi thepa malesh, kanë ushtruar një ndikim të madh, tek politikani Ali Këlcyra. Në vitin 1272, gryka e Këlcyrës, Klissura, siç e shkruanin të gjitha hartat dhe dokumentet e kohës, u rigjallërua prej rishfaqjes tashmë, të një kështjelle me dimensione sa për të mbajtur një garnizon të vogël bizantin, i cili mbronte rrugëkalimin kyç. Në themelet e vjetra kishte, sipas thënieve, gjurmë ndërtimi venecian. Pas luftimesh të rrepta në ato krahina kokëforte, turqit, e vunë nën kontroll kalanë kyç, pas pesëdhjetë vitesh.

Dhe kjo kështjellë, tashmë osmane, në historinë themeluese të këtij momenti të ri, të fatit të saj, ka edhe një gjysmë legjendë, e cila duket edhe mjaft e besueshme. Nga luftimet me turqit, të gjithë mbrojtësit e kalasë, përfshi edhe komandantin e saj, vijues i familjes së vjetër me emrin e vendit, humbëm jetën. Mbeti vetëm një grua, e shoqja e komandantit. Ky, rrëfen legjenda, për t’u bërë ballë osmanëve, pati bashkëpunuar edhe me Skënderbeun. Kështu që pas kësaj për turqit, ishte mjaft i padëshiruar. Gruaja fillikate, kishte një djalë të vogël, krejt të mitur. Ai quhej Teodor dhe si e ëma dhe i ati, që nuk jetonte më, ishte i krishterë. Turqit, e kërkuan ta dërgonin në shkollën e Jeniçerëve pranë sulltanit, por e ëma, iu lut me lot në sy, madje u ra dhe në gjunjë, që t’ia linin. E kishte fëmijë të vetëm.

Turqit nuk pranuan. Një mashkull i krishterë dhe anti osman, siç e kish dëshmuar rezistenca e kështjellës së Këlcyrës, nuk mund të lihej në atë vend epërsie, gjeostrategjike. Por u treguan dinakë. Bënë sikur i hapën një shteg. I thanë se një zgjidhje për hallin e saj ekzistonte: ajo nënë, fillikate mund ta mbante djalin e saj në shtëpi, në rast se martohej me të. “Çdo gjë bëj, por këtë nuk mundem”, u qe përgjigjur prerë dhe shumë e tronditur ajo. Kështu, Teodori i saj i vogël, shkoi për në Stamboll, në shkollën e Jeniçerëve, dhe atje u bë Jakup. Me Jakupin, nisi periudha e re, ajo osmane, e dinastisë Këlcyra.

Këtë histori, ri themeluese të familjes së saj, Hana Klissura e ka dëgjuar nga e ëma. Avdije Dudush hanëm Vrioni, i ka pohuar se i patën blerë në Turqi, kur ishte vajzë e porsafejuar me Ali Këlcyrën, një libër për Shqipërinë. Në të mes të tjerash, flitej për këtë Teodor, të shndërruar në Jakup. Për sa e ëma i pati thënë, në këtë libër turqisht, ndodhej edhe stema e familjes Këlcyra, po ashtu edhe një pemë gjenealogjike e saj. Ajo kish parë që prej Jakupit, kishin rrjedhur dymbëdhjetë breza. Që të gjithë, qenë ndërruar me njëri-tjetrin, pa u larguar nga kështjella e tyre në thep të malit.

Çfarë shkruhet për sarajet-kështjellë?

Gryka e Këlcyrës, sipas “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar” të vitit 2008, është një: “Grykë lumore disa qindra metra e thellë dhe 13 kilometra e gjatë, në rrjedhjen e mesme të Vjosës midis Këlcyrës dhe Dragotit, përmes të cilës, kalon rruga automobilistike Përmet-Tepelenë. Ka pamjen e një kanioni shumë të thellë e të ngushtë, me shpate gati vertikale”. Shpjegimi thotë po ashtu se lumi, nëpër miliona vite, aty ka çarë dhe ka ndarë male. Shënohet gjithashtu se; “Në Grykën e Këlcyrës, Vjosa merr shumë burime nëntokësore”.

Sipas profesor Skënder Muçaj, për këtë kështjellë: “Të dhëna interesante trashëgojmë nga udhëtimi i U. M. Lik, në 16 tetor 1805. Lik-u, shkruan dhe për pushtimin e kalasë së Këlcyrës, nga Ali Pasha, gjatë vizitës së tij në Tepelenë, më 28 dhjetor 1804: “Tetë vjet më pare, Aliu hodhi në dorë Këlcyrën, duke vrarë nipin e gruas, beun, bashkë me vëllanë e tij, më të ri, kur i kishte joshur në Janinë, për të qenë të pranishëm në martesën e djalit të tij, Veliut. Me këtë veprim Aliu, pastroi pretenduesit për Këlcyrën, një pikë shumë e rëndësishme, që siguron Tepelenën dhe Përmetin, e hap rrugën për në Berat”.

Arkeologu Muçaj, po ashtu vëren se; Lik-u, ka vënë në dukje se në gjysmë të rrugës, ndërmjet kështjellës dhe lumit, ngrihet një saraj i ndërtuar kohët e fundit nga Ali Pasha. Studiuesi po ashtu spikat, edhe një burim tjetër informacioni: “Këtë të dhënë të Liku-t, e plotëson trashëgimtarja e familjes Këlcyra, Znj. Hëna Këlcyra, me anë të kujtimeve të transmetuara nga njeri brez tek tjetri, brenda familjes. Sipas saj, familja Këlcyra, para pushtimit të kalasë nga Ali pashë Tepelena, banonte në sarajet që ndodheshin brenda kalasë mesjetare.

Pjesëtarët e familjes që shpëtuan nga masakra e Aliut, u shpërngul në Konja të Turqisë. Hejbetullaja (vajza e Shanishasë, motër e Aliut), së bashku me dy djemtë e saj, pas vrasjes së Aliut, u kthye nga internimi dhe u kërkoi autoriteteve turke, që të banonte në sarajet e familjes, por ata nuk e pranuan se kalaja, i shërbente ushtrisë dhe kishte një pozitë të rëndësishme strategjike. Pas kësaj, ajo mori sarajet e ndërtuara në kohën e Aliut, nën kala, dhe filloi menjëherë ndërtimin, për zgjerimin e tyre, duke i përfunduar pas disa vjetësh. Hejbetullaja, i detyroi të gjithë banorët e fshatit, që i kishin banesat e tyre mbi saraje, të zhvendoseshin dhe vrau çdo fshatar që nuk donte të largohej”.

Jetesa e mbi dyqind vetëve, brenda sarajeve

Në këtë reliev, që ndryshon dhe transformohet furishëm, tamam si në grykën e një vullkani, qe mjaft karakteristike dhe jo e zakonshme, vendosja në afërsi e sarajeve të familjes shumëshekullore Këlcyra. Kompleksi i ndërtesave të forta e të qarkuara, prej një muri të trashë mbrojtës, vendosur tepër lart, pesë qind apo gjashtë qind metra mbi nivelin e detit, dukej si zot i tokës dhe i qiellit.

E mbushur me banorët e dinastisë dhe ndihmësit e tyre, ajo ngrehinë kështjellore, qe bërë vetëm për luftë mbrojtëse. Prej andej, nuk sulmohej kurrkush. Në kala, kishte përherë deri në dyqind luftëtarë vendas, të gjithë të armatosur mirë dhe të veshur me fustanellë shqiptare. Jetonin në kala, qenë vullnetarë. Ushqeheshin dhe stërviteshin atje, por nuk paguheshin. Nuk e dëshironin këtë lloj marrëdhënie. Qenë të bindur se, jeta e tyre, më shumë se familjes Këlcyra, i përkushtohej atdheut, në atë pikë delikate, prej ku, po të kapërcehej, shkoje drejt Shkumbinit dhe tërë trojeve amtare.

Ishin vullnetarë, me gjithë shpirt. Shpesh, kishin ardhur në kështjellën e Këlcyrajve, fare të rinj, sapo hedhur shtatin, por nuk qenë jeniçerë, siç ishte modeli i perandorisë osmane. Ky batalion, ishte garnizoni i përhershëm i kalasë-saraj. Si kështjellë e banuar nga shumë njerëz, ajo furnizohej me ujë të bollshëm, jo vetëm prej burimesh, të cilët përreth qenë të shumtë, por edhe nga vetë lumi, që rridhte i kaltër poshtë saj, tek këmbët e malit. Rruga furnizuese prej bedenave, ku patrullonin pa pushim rojet e garnizonit vullnetar, zbriste tek një shesh buzë tij.

Por kjo kala e çuditshme, e cila gjithçka e kishte larg kopjes së Top Kapisë në Stamboll, pallatit sulltanor, përmbante edhe një shumë dhomash të saj, një gjymtyrë të vet, një godinë, me emrin harem. Kjo, pjesë e jetës së brendshme të sarajeve Këlcyra, ngjante në pamje të parë, me një imitim të jetës së Oborrit të Sulltanit, por në të vërtetë, nuk kishte asgjë të njëllojtë.

Haremi i Këlcyrajve, qe mjedisi ku rrinin femrat që nuk kishin asnjë lidhje gjaku me dinastinë, por pa dyshim, ndjenin devotshmëri për ta. Vinin aty që të vogla, shpesh i sillnin vetë prindërit, prej pamundësisë për t’i mbajtur me bukë. Në saraje, ato kryenin shërbime të ndryshme. Në punët e ditës i drejtonin gratë me moshë të madhe, të cilat edhe ato qenë rritur aty.

Femrat e haremit, nuk merrnin asnjë pagesë, përveç grave që kryenin punën e kuzhinieres. Kur bëheshin njëzetë vjeç dhe dëshironin të iknin nga sarajet-kështjellë, pra pëlqenin të martoheshin dhe krijonin familje më vete, dinastia, u përballonte shpenzimet e domosdoshme të ceremonisë, përfshi edhe një pajë modeste. Doemos që, shumica e femrave të haremit, nuk iknin prej andej. Kështjella, u ishte bërë shtëpi e dytë. Ishin të betuara, për t’i shërbyer familjes Këlcyra, njëlloj si luftëtarët vullnetarë.

Trimi Veli bej Këlcyra

Ajo kështjellë-saraje, ishte themeluar dhe pati mbijetuar mbi të gjitha si kala shqiptarie. Kurora më e shprehur e këtij tipari themelor të familjes qe Veli beu, kur në 28 nëntor 1912, shkoi në Vlorë për t’iu bashkuar aksionit të Ismail Qemalit për shpalljen e mëvetësisë kombëtare. Veli bej Këlcyra, e ka firmën e vet tek Karta e Pavarësisë.

Ishte bir i Hysen beut. Xhelalin, të atin e politikanit Ali Këlcyra, e kishte vëlla, me nënë tjetër, gruan e dytë të Hysenit: Shega hanëm Frashër-Vila. Gruaja e parë e tij, qe Zejnepe hanëm Konica. Vetë Veli Riza beu, nuk u martua. Hana Klissura, e cila sa herë që e përmend, i thotë “xhaxhai i vogël i babait”, ka të ruajtur në përfytyrimin e saj, atë që ia ka treguar Ali Këlcyra.

Sipas të atit, ky politikan i familjes, sigurisht pararendës i vetë Aliut, në kështjellë lëvizte, kur donte të argëtohej apo të bënte sadopak gjimnastikë, me një biçikletë italiane “Bianchi”. Ishte një pamje e çuditshme, për atë kala në thep të malit, tamam, si të shihje pamje të një zhongleri, në një cirk. Veli beu, që nuk jetoi gjatë dhe vdiq në Zvicër në 1920, sa qe gjallë, ishte shumë mik me Syrja bej Vlorën, madje anësonte shumë në përkrahje të veprës së tij politike.

Përveç nënshkrimit të Kartës së Pavarësisë, një gjurmë dukshëm historike e familjes Këlcyra, Veliu do të ngulitej në kujtesën e familjes, por edhe të vetë Shqipërisë, me gjestin trimëror që kreu në vitin 1914. Ato kohë, e quajtura Qeveri Autonome Vorioepirote, e krijuar prej shqiptarit zagorit të helenizuar, Zografit, doli kundër vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, më 1913-ën, dhe shpalli marrjen nën administrimin e vet të krejt Jugut. Grupe të armatosura greke, me në përbërje 8070 ushtarakë, si edhe vullnetarë nga ishulli i Kretës, vunë nën dhunë gjithë territorin e pretenduar dhe mbërritën deri në grykën e Këlcyrës, tek sarajet-kështjella. Ishte muaji prill.

Shqipëria e para, pastaj sarajet e mia

Zografistët dhe tërë andartët grekë, mes shumë formave të frikësimit të shqiptarëve dhe me këtë rast, edhe për t’i sunduar, kryenin masivisht edhe djegiet e shtëpive të gjithë atyre, që nuk u binin në gjunjë. Në ndonjë rast u mjaftonte të ishin myslimanë, siç i nxiste kjo urrejtje fetare edhe ushtarakët italianë, të bënin të njëjtën gjë ndaj ortodoksëve. Një ditë, qenë duke drekuar Veli beu, me nipin e tij me moshë të re, Ali Këlcyrën, kur i njoftuan se tek porta e sarajeve, pati ardhur një gjeneral grek, i cili donte t’i takonte. E pranuan dhe e dëgjuan me mirësjellje.

Ushtaraku i lartë helen, që rezidencën e përkohshme e kishte tani në Gjirokastër, u propozoi të firmosnin hyrjen e familjes Këlcyra dhe të territorit që kishte pronë, brenda kufijve të qeverisë, së drejtuar nga Zografi. Veli beu, e kundërshtoi prerë, pa i lënë asnjë minutë mëdyshjeje. Atëherë, gjenerali tha se, pas kësaj, ishte i detyruar të vinte në dijeni Athinën. Qe ajo që e kishte ngarkuar me misionin e saj dite.

Kur ushtaraku i lartë helen, u rikthye në kështjellën e Këlcyrajve, solli me vete edhe një ultimatum të Athinës. Veli beut, përfaqësuesit kryesor të familjes, i jepeshin dyzetë e tetë orë kohë, që të mendohej nëse do të mbeste me vendimin e parë, atë të mos nënshkrimit të njohjes së qeverisë Zografi, apo më në fund, do ta firmoste. Ultimatumi, thoshte se pas dyzetë e tetë orësh, në rast refuzimi, sarajet do të digjeshin.

“Atëherë, shtoi gjenerali grek, ri takohemi pas dy ditësh!”

“Nuk ka nevojë, shqiptoi Veli beu, më mjaftojnë vetëm katër orë”. Ushtaraku helen ngriu. “Katër orë, më mjaftojnë të largoj njerëzit e mi dhe ju, të bëni atë që shkruan Athina”.

Veli beu, nuk kishte lënë të lirë gjeneralit asnjë minutë, më tepër se dyqind e dyzetë të tilla. Populli i vet, po të pranonte dyditëshin, do të keqkuptohej për lëkundje. Të pranishëm në këtë skenë, ishin edhe të gjithë vullnetarët, me fustanellë shqiptare, plot 118 luftëtarë. Këta kuptuan se; mbrojtja më e mirë i atdheut ato çaste, përballë asaj mizërie ushtarake greke, ishte jo përleshja me armë, por ajo që po kryente i pari i tyre, Veli beu.

Brenda katër orëve, tridhjetë kalorës prej vullnetarëve, veshur si përherë me fustanellën shqiptare, shoqëruan për në Korçë nënën e tij, Shegën. Tridhjetë kalorës të tjerë, shoqëruan për në Elbasan të motrën, Eminenë. Pastaj Veli beu, nxori jashtë sarajeve të dyzetë shërbëtorët dhe çdo njeri tjetër. Pas kësaj, iku i qetë, madje pa u mbushur plotësisht të katër orët.

Gjenerali grek, tashmë nuk kishte rrugë tjetër, veç ta zbatonte urdhrin epror, duke u munduar ndërkohë, ta gëlltiste sfidën që i ishte porsabërë nga beu shqiptar. Thonë se fillimisht, për të shfryrë inatin, ai urdhëroi të qëllohej me top kundër sarajeve, por kujtesa e vendasve dhe ajo e historisë kombëtare, ka regjistruar vetëm flakët. Ato dogjën çdo pjesë të drunjtë të sarajeve, pa mundur dot të rrëzonin muret e trashë, kështjellarë. Ata thjesht u nxinë.

Për disa ditë resht, tymi e mbuloi luginën e Këlcyrës, por ashtu kalaja, dukej edhe më shumë si një monument qëndrese, ndaj pushtuesit të huaj. Hana Klissura, tregon se i ati, në këtë ngjarje, djegien e sarajeve, nuk u ndodh, sepse kish shkuar në Teqenë e Sukës, për një rit bektashian, fe të cilën, Këlcyrajt e kishin zgjedhur me dëshirë të madhe, mes besimit mysliman. Madje, kishin edhe një teqe të tyre.

Nuk e pa në sy vënien e zjarrit të sarajeve, por Ali Këlcyrës, kjo skenë i mbeti në kujtesë, më fort se të kishte qenë i pranishëm. Kur më pas hyri për ta parë, ashtu të djegur, por me muret në këmbë, atij iu duk se jetën e vet, nuk mund ta ndërtonte, ndryshe nga fati i asaj kalaje: mos u dorëzo! Tashmë atë kështjellë, do ta kishte orakull. Sidomos mesazhin e saj: Shqipëria e para./Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Mirlind Daku shënon dy gola në Rusi, ia dedikon Martinit: Ai shndrit parajsën

VIDEO/ Mirlind Daku shënon dy gola në Rusi, ia dedikon Martinit: Ai shndrit parajsën