Ndonjëherë, për të gjetur paqen, duhet të arratisesh drejt egërsisë. Aty ku rruga mbaron, ku makinat dorëzohen dhe ku telefoni nuk ka më valë, nis aventura e vërtetë. Katër miq, një natë nën yje dhe një liqen i fshehur në zemër të vargmalit të Korabit. Një udhëtim mes adrenalinës, shijeve bio të staneve dhe qetësisë që vetëm mali mund ta dhurojë.

DITA E PARË

Udhëtimi i grupit nis nga Peshkopia në orën 14:00. Pasi lihet pas asfalti i fshatit Sllatinë, rruga kthehet në një sfidë të vërtetë për makinat e larta. Sokoli, Nekiu, Arturi dhe Mahiri kanë marrë me vete gjithçka që duhet për një natë kamping nën yje.

Rrugës ata bëjnë një ndalesë në pyll. Mbledhin me kujdes vetëm dru të rëna dhe të thata. Parimi i parë i malit: shijo natyrën, pa e dëmtuar atë.

Pas një ore e gjysmë udhëtimi, mali hapet. Mbi 2 mijë e 300 metra mbi nivelin e detit, aty ku qielli prek majat e vargmalit të Korabit, fshihet një nga xhevahirët e egër të Dibrës. Para tyre shfaqen pllajat e pafundme të Gramës dhe pasqyra e qetë e liqenit të saj. Vendi perfekt për ngritjen e kampingut.

Nuk ka kohë për të humbur, detyrat ndahen shpejt. Sokoli dhe Mahiri merren me ngritjen e çadrës komode. Arturi ndez zjarrin e kampit, ndërsa Nekiut i besohet sekreti i darkës së traditës.

Nata bie shpejt në bjeshkë. Mes ajrit të pastër që mbush mushkëritë dhe zhurmës mistike të liqenit, koha ndalon. Rreth orës 1 të mëngjesit, djemtë dorëzohen në gjumin e thellë që të fal vetëm ky masiv malor.

DITA E DYTË

Mëngjesi në Gramë ka shijen e ujit të ftohtë të liqenit dhe aromën e kafesë që fillon të ziejë mbi prush, teksa dita e re plot aventura bëhet gati të nisë.

Ndërsa Arturi qëndron për të ruajtur kampingun, pjesa tjetër e grupit niset drejt staneve të Kaloshit. Nga ky kep, peizazhi të merr frymën. Shtëpiza të vogla druri, të përshtatura bukur për turistët e aventurës, dëshmojnë se turizmi po zgjohet edhe këtu.

Bjeshkët e Gramës, shija është po aq autentike sa peizazhi. Grupi ndalon në baxhon e Nderim Çibakut. Me një përvojë plot 49-vjeçare, ai mban gjallë zanatin e përpunimit bio të qumështit të deles.

Pas vizitës në baxho, djemtë rikthehen në kamp për pjesën më emocionante të udhëtimit: pak rafting në ujërat e qeta të Liqenit të Gramës. Nën udhëheqjen e Sokolit, si një guidë me përvojë, gomonia çan ujin e ftohtë. Një dozë adrenaline e pastër në mes të një qetësie që nuk eksiston askund tjetër.

Pas drekës, vjen koha e largimit. Grupi paketon materialet dhe kujdeset që vendi të mbetet po aq i pastër sa u gjet.

Kampingu në mal është një përjetim unik. Ai bashkon adrenalinën e aventurës, qetësinë e natyrës dhe paqen shpirtërore nën një qiell plot yje. Bjeshkët e Gramës në Dibër mbeten ftesa më e bukur për të rigjetur veten dhe për të ndjerë magjinë e maleve në çdo hap.