“Mbasi kam mbaruar shkollën e mesme, kam filluar punë në kooperativë. Aty kam bërë punë të ndryshme. Kryesisht karrocier kam punuar. Para viteve ’90, pas punës në kooperativë kam hyrë në punishten e artizanatit. Pas viteve ’90 nuk funksionoi më reparti me punime artizanale dhe fillova punë taksist në rrugën Kukës-Tiranë. Punova prej vitit 1993 deri në vitin 2010. Nga viti 2010 e deri më sot vazhdoj të punoj DJ.”
Kjo është historia e shumicës së shqiptarëve që ndryshimi i sistemit komunist i përballi me të panjohurat e kapitalizmit. Arsyeja që e sjellim rrugëtimin e jetës së Bardhyl Hoxhës është fakti që ai nuk e la fshatin për kryeqytetin, përkundrazi, provoi të përfshinte në Bicaj profesionet e përhapura në Tiranë.
Dhe nga karrocieri i kooperativës, u bë DJ i parë i fshatit Bicaj në Kukës.
Në krahinën e Lumës, përgjatë rrugës Kukës – Peshkopi, në mes Drinit të Zi e malit Gjallica, 10 km nga qyteti i Kukësit ndodhet fshati Bicaj. Bicaj është fshati më i madh i rrethit të Kukësit, që ka statusin e njësisë administrative. Në nivel njësie, në vitin 1992 ka patur 9200 banorë. Ndërsa në vitin 2023 është tkurrur në 4066 banorë. Aktualisht në fshatin Bicaj numërohen rreth 1000 banorë. Shpopullimi ka prekur të gjithë fshatrat e kësaj njësie administrative duke kërkuar një jetë më të mirë kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar. Ndër të paktët që kanë qëndruar është edhe 62 vjeçari i cili sot ka edhe një dyqan të vogël pranë shkollës së fshatit. Për shumëkënd është thjesht një vend pune. Por për Bardhyl Hoxhën është kujtesë, pasion dhe një mini–muze që ruan historinë e një kohe që po largohet.
“Jam shumë merakli për sendet e vjetra” shprehet 62 vjeçari.
Kur kthen kokën pas, kujton kohën kur nisi punën e tij të parë. Sapo kishte dalë nga bankat e gjimnazit dhe duhej të ndihmonte familjen. Punësimi në kooperativë ishte më e mundura. Aty punoi si karrocier duke transportuar prodhime bujqësore e blegtorale.
Me karrocën e tij përshkonte rrugët e zonës, ndërsa një radio e shoqëronte gjithmonë. Ishte Radio “Iliria”, të cilën e mbante me vete edhe gjatë punës. Zëri i saj thyente heshtjen e fushave dhe i bënte ditët më të lehta.
“Karroca ishte e vëllait dhe fillova dhe unë të punoj me të. Karrocës i kemi pas ndërtuar një kabinë, me perde dhe e zbukuruar. Mbaja gjithmonë edhe radio Ilirinë. Dëgjoja muzikë, më shumë të radios së Prishtinës, këngë popullore.Kënga që dëgjoja më shumë ishte ajo e Mahmut Feratit.
- Atëhere ka qenë e ndaluar Radio Prishtina, si ia bëje?
Problem ka qenë, por nuk na dëgjonte kush, vetëm kuajt nuk ishin spiuna, prandaj e ngrija zërin.” tregon Bardhyli.
Sot, ajo radio është pjesë e koleksionit të tij. E ka blerë vite më parë në një dyqan sendesh të vjetra në Peshkopi, për 45 mijë lekë të vjetra, një çmim që për të nuk matet me para, por me vlerë shpirtërore.
“Këto janë modeli i parë i radiove Iliria. Duhej t’i blije me autorizim.
Kanë qenë me kokrra ata që kanë pasur një radio Iliria. Unë këtë e bleva në Peshkopi, 45 mijë lek, një për vete e një për një mikun tim. Po t’i thuash dikujt që e kam blerë kaq lekë s’do ta besojë, po ai që ka marka nuk e llogarit çmimin.
Kam qenë edhe roje nate, roje bostani, në orën 5 kur fillonte radio Prishtina oshëtinte krejt fusha me këngët e Mahmut Feratit.
- Pse kjo nostalgji për sendet e vjetra?
-Ndoshta për të mos e harruar të vjetrën, se ne nuk mundemi ta harrojmë, ndërsa të rinjtë sot shohin vetëm përpara.” shpjegon 62 vjeçari nga fshati Bicaj.
Ky zdrukth i vjetër u bë shkak që Bardhyli të hapte portat e të shkuarës së tij.
“Ky zdrukthi është i gjyshit, që në kohën e Italisë”,- tregon Bardhyli.
Zdrukthi mban emrin e firmës Shelton e themeluar në vitin 1862, në Shelton, Connecticut dhe fillimisht prodhonte shporta. Më pas në vitet 1933 dhe 1940 morën patentat për prodhimin e zdruktheve të dorës që u bënë të njohur në mbarë botën. Njëri prej tyre ndodhet në dyqanin muze të Bardhylit, pasi është përdorur për shumë vite nga gjyshi i tij mjeshtër në punimin e drurit.
Artizanati u bë edhe më interesant për të teksa shihte pranë përroit të fshatit banorë të komunitetit rom që thurnin shporta me një mjeshtëri të rrallë.
Ambienti ku jetoi çdo ditë e ndihmoi për t’u punësuar më pas në repartin e shportave.
“Në fillim hyra për të bërë kallëpet e shportave. Vajzat dhe gratë punonin kryesisht, unë isha si mjeshtër për kallëpet e drurit që bënin format e shportave.Më pas filluam të bënim edhe karrige me thupra që gratë nuk mundeshin t’i realizonin.
Ishin thupra shelgu që i sillnin fshatarët nga zonat e tyre.
- Si e mësove?
Nëpërmjet jetës. Babain e kam pasur mjeshtër murator, gjyshin zdrukthtar, mësova duke parë ata.
Kur ishim të rinj rrëshqisanim me ski dhe sa herë kthehesha në darkë isha i tëri i lagur. Gjyshi dhe baba na i thyenin. Unë me vëllain punonin gjithë natën duke i bërë nga e para e në mëngjes i kishim gati skitë e reja.
Veglat i kishim të gjitha se gjyshi kishte një dhomë të madhe që e përdorte për zdrukthtari”,- kujton Bardhyli.
Për Bardhylin, çdo send ka një histori: enët prej bakri që dikur zienin ushqimin në oxhakë, orenditë e vjetra shtëpiake, veglat e punës që sot rrallë i gjen në përdorim.
“Këto janë ibrikë bakri për të zierë ujin. Edhe ky është trapan i vjetër.
Kjo është llampë benzine, më parë kamionët apo traktorët që nuk ndiznin në kohë të ftohtë, detyroheshin të ndiznin këtë llampën dhe e vendosnin poshtë te sodokardi i vajit dhe motorri fillonte të nxehej, i binin motorrinos dhe ndizej. Ka pasur edhe skoda të vjetra pa kalorifer, dhe këtë llampën e përdorin për ngrohje në kabinë. Pothuajse të gjitha janë të zonës së Bicajt.
- Si i gjen?
Andej këndej, shkoj nëpër shtëpi të vjetra, pyes: a mos keni ndonjë relike të vjetër?Një mik më dha këtë shekën siç i themi ne po në të vërtetë është kroçe kosi.Kjo llampë karbiti që e merrnin minatorët në minierë. Zgjaste 8 orë. Nuk e fikte as era e as shiu. Kjo është furkë e nanave tona që tirrnin leshin.Ky është dollapi i kafës, blenim 100gram në muaj sa e kishim racionin dhe e piqnim në prush. Me këtë mullirin e bluanim, madje nga skamja e përzienim me grurë që të shtohej kafja.” tregon Bardhyli për secilin objekt të vjetër që ka mbledhur.
62-vjeçari e ka prejardhjen nga Fani i Mirditës. Prej andej ka sjellë edhe vorbën, për të cilën thotë se do të ishte mirë që të mos zëvendësohet nga tenxherja me presion.
“Vorbën psh. ne nuk e kemi bërë por e kemi përdorur. Stërgjyrërit tanë janë Fani dhe kjo vorba prej andej është marrë. Këto enë nuk përdoren më, rroftë gazi dhe energjia elektrike.
Fasulet me mish të thatë t’i ziesh në vorbë nuk ka gjë më të shijshme, se e zien gjithë ditën avash-avash, kurse ne tani i fusim në tenxhere presioni, për 5 min janë gati. Është njësoj sikur një bimë, për 5 min me u mbjell, me u rrit, me u ngrënë. A haet ajo? Jo! Ashtu është edhe vorba”,- shprehet Bardhyli.
Lidhja e fortë me rrënjët e kanë frymëzuar në mbledhjen e këtyre objekteve të vjetra. Në shtëpinë e gjyshit, një bibliotekë e pasur ishte tregues thelbësor i kulturës familjare.
“Mendoj që më vonë të ndërtoj një dhomë këtu pranë dyqanit për ta bërë muze me këto sendet e vjetra, sikurse e ka pasur edhe gjyshi im në shtëpinë e tij një bibliotekë të vjetër, por që sot rinia e ka prish. Gjyshi im ka qenë mësuesi i parë i gjuhës shqipe edhe e gjithë nahija i ka pas thanë zotni Qamili. Po regjimi nuk e la, e hoqi edhe nga puna. Ai ishte njohës shumë i mirë i gjuhës frënge, madje kur vinte ndonjë frankofon, këta të partisë e thirrnin gjyshin tim për ta përkthyer. Dua ta ndërtoj këtë mini-muze në kujtim të gjyshit”,- tregon Bardhyl Hoxha.
Vlerësimi për çdo kohë të jetës të tij e ka bërë 62-vjeçarin që të improvizojë këtë muze të vogël në dyqanin pranë shkollës së fshatit Bicaj.
Jo çdo punë kishte luksin të udhëhiqej nga pasioni. Me ardhjen e demokracisë, reparti i shportave u mbyll, si çdo ndërmarrje shtetërore në Shqipëri. Ishte viti 1993 dhe Bardhyli vendos të marrë patentën si shofer dhe fillon punën e re: taksist në rrugën Kukës-Tiranë deri në vitin 2010. Ishte koha e rrugëve tejet të amortizuara.
“Asnjë ditë nuk pushonim, lëviznim edhe nëpër borë. Vetëm një herë jam bllokuar në Fushë-Arrëz. Frynte shumë erë edhe pse fadroma e kishte pastruar rrugën, për pak sekonda era e furishme e bllokoi përsëri.
U detyruam të flinim në Fushë-Arrëz. Kjo ka qenë e vetmja ditë që u bllokova, ditët e tjera non-stop”,- tregon Bardhyli.
Por pasionet e tij nuk ndalen vetëm te druri dhe sendet e vjetra.
Muzika ka qenë një tjetër dashuri e hershme. Pas viteve ’90, ai filloi të merrej seriozisht me të dhe prej gati 25 vitesh punon si DJ.
“Gjatë kësaj periudhe filluan të vinin në fshat disa DJ nga Kukësi. Organizonin mbrëmje në ambientet e shkollës. Atëherë i thirra nevojës, me ardhë tjetri me ma hangër copën e bukës këtu afër shtëpisë.
I telefonova vëllait në Itali që të më dërgonte një aparaturë për DJ. Pasi ma solli fillova me aktivitete me fëmijët e shkollës, më pas u angazhova edhe në dasma. Nga viti 2010 e deri më sot vazhdoj të punoj DJ.
Historia më e veçantë për mua është në kohën e pandemisë kur vetëm mizat lëviznin në Bicaj. Unë me aparaturën time dhe dy bokse të mëdhenj që i nxorra jashtë, fillova të bëj muzikë për katundin. Dhe hyja në facebook live, kisha shumë ndjekësa, sidomos kurbetqarët.Pas meje filluan të dilnin live edhe këngëtarët si Bujar Qamili dhe Artiola Toska, por unë kam qenë i pari që fillova live”,- tregon Bardhyli.
Në dyqanin–muze gjen edhe instrumente muzikore. Një tarabuk të vjetër dhe një fizarmonikë të markës ruse, që mbart tingujt e një kohe kur dasmat zgjasnin me ditë dhe muzika ishte gëzim i përbashkët.
“Këtë fizarmonikën e mora në shtëpinë e një shokut tim, se njëfarë kohe kam qenë pjesëtar i një grupi të vogël në fshat që shkonim në mbrëmjet që organizoheshin para dasmave.”
Bardhyli është nostalgjik, por jo i mbyllur në të shkuarën. Ai jeton me kohën, punon, krijon, përshtatet. Megjithatë, përmes mini–muzeut të tij, ai ruan një pjesë të identitetit të Bicajt dhe të gjithë zonës së Kukësit.
“Këtë pasion do ta kem deri sa të jem gjallë”,- na thotë Bardhyli.
Çdo vizitor që ndalet në dyqanin e tij nuk sodit vetëm sendet e vjetra, sheh një histori pune, pasioni dhe dashurie për trashëgiminë.
Komente









