Për artistët jeta është orë të tëra pa gjumë, ama mbushur me kujtime dhe emocione të pazëvendësueshme. Pikërisht këto të fundit na rrëfeu në “Esencë” kantautori Sajmir Çili. Mes fotosh, ai kujtoi jetën e tij në skenë dhe kohën e kaluar mes kolegësh e artistësh ,emrave më në zë në vend.
“Brezi im e ka ruajtur miqësinë me një lloj sinqeriteti të pashembullt. Kam kaluar kohë të vyer mes artistësh”, kujton Sajmiri.
Ftesa e parë për të marrë pjesë në festivalin e fundvitit i ka ardhur nga Luan Zhegu, një ftesë që ai e quan surprizuese pasi nuk mendoi fillimisht që e gjitha ishte serioze. Kështu erdhi pjesëmarrja e tij e parë në festival dhe më pas gjithë rrugëtimi në art.
Përveç muzikës një prej pasioneve të Sajmirit është fotografia. Ai ka dëshirë të përjetësojë çaste dhe këtë e ka bërë me aparatin e tij edhe në fotot që ruan ndër vite me familjarë, miq e kolegë. Ndërsa ndalon tek e bija, Isea e cila po ndjek rrugën e muzikës, ai thotë se nuk e ka dashur këtë gjë fillimisht,
“Më është lutur një vit që t’i bëj një këngë, të cilën e shtyja qëllimisht në mënyrë që përfshirja e saj të mos ishte aq e shpejtë.
Por tashmë i dorëzuar ai e ka pranuar që e bija do të ndjekë gjurmët e prindërve të saj.
“Jam detajist, dua të realizoj çdo gjë në perfeksion-shprehet Sajmiri kur kujton mënyrën sesi punon. Ai thotë se ende sot i shkruan vetë me laps partiturat dhe nuk pëlqen të përdorë variantin e printuar të tyre.
Ndërsa flet për vështirësitë e artit në vend, për sfidat e këtij profesioni ai citon se përkushtimi dhe serioziteti është një cilësi e brezave të shkuar të artistëve. Dy surpriza erdhën në program për kantautorin nga dy miq artistë Redon Makashi dhe Bledi Mbroci të cilët kujtuan edhe raportet si kolegë e si miq me njëri-tjetrin. Ai kujton se pasioni për futbollin e ka bërë bashkë me Redonin Makashin, një miqësi që i ka rezistuar kohës.
Një mesazh i fortë nga këngëtari erdhi në program edhe si një lloj kujtese për nevojën që kemi për dashuri dhe komunikim me njëri-tjetrin, në kohët kur virtualja dominon shume aspekte të jetës.