TIRANË- Nxënësit e klasave të para në Shqipëri dhe në Kosovë, për herë të parë do të mësojnë me një abetare të përbashkët, duke sjellë kështu një risi për brezat e ardhshëm që do të vijnë. Një ditë para nisjes së vitit të ri shkollor, në një organizim të mbajtur këtë të diel në Tiranë në Pallatin e Brigadave, ku të pranishëm kanë qenë ministrat e Arsimit të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut, u prezantua Abetarja e unifikuar.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama u shpreh se ky është një moment shumë i veçantë i cili, sipas tij, vjen pas një pune intensive dhe të shkëlqyer, mes dy qeverive e cila u realizua në kohë.

Kreu i qeverisë, u shpreh se abetaren unike me të cilën do të mësojnë fëmijët në Shqipëri dhe Kosovë e kanë përqafuar edhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Këtë e pohoi edhe ministri i Arsimit në Maqedoninë e Veriut i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e prezantimit. Ministri Jeton Shaqiri tha se qeveria në Maqedoninë e Veriut ka nisur procedurat që edhe shqiptarët atje të mësojnë më të njëjtën abetare.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se sfida e madhe është që të ruajmë dhe të përforcojmë Gjuhën Shqipe. Për ministren Kushi, një abetare unifikuar për të gjitha trevat shqiptare, i kalon përmasat e aspektit arsimor, pasi do të ishte një arritje e të gjithë kombit shqiptar. 

Marrëveshja për një abetare të përbashkët Shqipëri-Kosovë, u nënshkrua në dhjetor të vitit të kaluar në Prishtinë, në një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive. Dakordësia për të patur një abetare të unifikuar u arrit në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës që u mbajt në Elbasan më 26 nëntor 2021.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:33
Rama: Nxënësit e shkollave '9-vjeçare' që i keqpërdorin librat, vitin tjetër s'i marrin falas

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në prezantimin e abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë iu përgjigj dhe komenteve dhe akuzve të opozitës lidhur me gjendjen jo të mirë të librave falas që iu jepen nxënësve  për klasat e 9-vjeçares, të cilat i cilësojnë si të pa përdorshëm.

Rama tha se qeveria shqiptare nuk po shpërndan librat të rinj çdo vit, jo se nuk i ka mundësitë, por sepse kërkon të edukojë brezat, një politikë që është marrë nga vende shumë herë më të zhvilluara se vendi ynë. Kryeministri nënvizoi se do të ketë ‘sanksione’ për ata fëmijë apo prindër që keqpërdorin dhe dëmtojnë librat, duke i penalizuar ata që vitin pasardhës të mos marrin më falas.

"Kam ndjekur disa kronika dhe komente për librat që që kalojnë dorë pas dore dhe një rregulli të caktuar, librat që jepen falas ka një cikël 3 vjeçar. Thonë se janë të përdorur. Kjo nuk është çështje parash apo se nuk i përmbahemi dot angazhimit apo nuk i përmbahemi premtimit për librat falas. Kjo është një politik, dhe nga vendet shumë vende të fuqishme që i edukon të rinjtë, tregon se është një pasuri që ndahet dhe më të tjerët, një vlerë që nuk të përket vetëm ty, është një send që  i kalon dhe të tjerëve. Ti merr një  libër të ri falas, kur të afrimit, prindërit ta dhurojnë një libër, ti duhet ta mirëmbash, librit duhet të jetojë dhe përtej kohës që të duhet ty për ta lexuar, ai do të kalojë  dhe te të tjerët. Librat i dorëzojnë në një gjendje që nuk mund të përdoren  më nga nxënësit e vitit të ardhshëm do duhet t’i blejnë. Normalisht jo nga shumica ,e  cila i kalon në gjendje të mirë te klasat e tjera.”, tha Rama

Ora 19:11
Abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë, Rama: Edhe shqiptarët në RMV e kanë përqafuar, të mbrojmë Gjuhën Shqipe nga kërcënimet

 

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në prezantimin e abetares së përbashkët Shqipëri Kosovë u shpreh se krijimi i abetares ishte një sfidë e madhe që u realizua në pak kohë.  Kryeministri Edi Rama u shpreh se abetaren unike me të cilën do të mësojnë fëmijët në Shqipëri dhe Kosovë e kanë përqafuar edhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

‘Është një moment i vecantë sepse kjo abetare e unifikuar, një punë mes dy qeverive ishte një sfidë me kohën pasi hapi vendimtar për tu nisur në rrugëtimin e realizimit të saj u hodh jo shumë kohë më parë në një mbledhje të dy qeverive dhe puna e kërkuar nga të dyja skuadrat e ngritura. Ja ku jemi sot me një abetare të unifikuar, një libër i njëjtë për nxënësit që hyjnë në shkollë për herë të parë në Shqipëri dhe Kosovë dhe një lajm i mirë është se edhe miqtë dhe kolegët tanë në Maqedoninë e Veriut e përqafuan këtë ide pak më vonë, sepse ideja fillimisht ishte produkt i dy qeverive dhe sot janë në momentin kur e kanë marrë vendimin për ta futur abetaren e unifikuar edhe në klasat ku mësojnë fëmijët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Gjuha Shqipe të mbrohet nga kërcënimet e mëdha. Ka qenë e vështirë rruga e përpjekjeve për të mos u asimiluar dhe zhdukur Gjuha Shqipe e cila vazhdon që të gjallojë në hapësirat që jetojnë shqiptarët, por për të cilën janë dashur sakrifica të jashtëzakonshme. Sot është më vlerë që kjo abetare vjen në 110 vjetorin e pavarësisë si një punë e nisur në vigjiljen e festës sonë kombëtare vitin e kaluar në Elbasan. Programi mes dy qeverive eci shumë shpejt. U ngrit komisioni i përbashkët që ndoqi gjithë procesin. Duhet nga ata që e kanë bërë dhe aprovuar. Kjo është një abetare ndryshe nga e mëparshmja dhe në aspektin e procesit të të mësuarit. Abetarja vjen për herë të parë edhe në versionin digjital që lehtëson punën e mësuesve dhe prindërve.

Ora 19:01
Prezantohet abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë, ministrja Nagavci: Me një punë të madhe arritëm një proces kaq të rëndësishëm! Do të kemi projekte të tjera

 

Ministrja e  Arsimit e Kosovës Arbërie Nagavci u shpreh se abetarja e re e përbashkët është një ndër gurët e parë në bashkëpunimin mes dy vendeve teksa njoftoi se në të ardhmen se do të ketë dhe projekte të tjera.

"Është kënaqësi dhe nder i veçantë për mua për  promovimin e abetares unike. Shpresojmë që sot të fillojmë mësimin e shkronjave me një abetare  te përbashkët. Vogëlushit tanë do të mësojnë gjuhën shqipe me  një abetare të përbashkët, do të bëjmë histori. Kemi jo vetëm një abetare të re, po një libër cilësor. Është detyra e jonë e  përbashkët për të vazhduar shembullin e mësuesve tanë të shembullt dhe të dashur.

Me një punë të madhe arritëm një proces kaq të rëndësishëm. Ndjehem e lumtur për këtë! Edhe unë besoj që është një ndër gurët e parë që kemi vënën bashkëpunimin e gjatë që do të kemi me Evsin . Kemi shumë ide për vazhduar dhe projekte të tjera të përbashkëtat.”, u shpreh ministrja e arsimit e Kosovës.

Ora 18:58
Ministri i Arsimit në Maqedoninë e Veriut: Kemi nisur procedurat që edhe shqiptarët atje të përdorin të njëjtën abetare

Ministri i Arsimit në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shaqiri në fjalën e tij në prezantimin e abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë tha se edhe qeveria në Maqedoninë e Veriut ka nisur procedurat që edhe shqiptarët atje të mësojnë më të njëjtën abetare.

‘Do të kemi një abetare të përbashkët. Dita e sotme përbën edhe një ditë historike, ku njerëzimit i kujton nevojën për të bërë për komunitetin. Shqiptarët pikërisht sot promovojnë abetaren e përbashkët dhe vendosmërinë e qeverisë së Shqipërisë e Kosovës e Maqeodnisë së Veriut që ne po bjëmë ndaj popullit e për një arsim më cilësor. Shqipëria dhe Kosova kanë qenë përkrahësit dhe mbështetësit më të mëdhenj për mijëra studentë nga trevat e tjera për tu arsimuar. Abetarja që sot promovohet konfirmon për nevojën e futjes së kësaj abetarje për të gjithë nxënësit shqiptar kudo që janë. Dua të ndaj me ju se kemi filluar procedurat në vendin tonë dhe jam i bindur që edhe në do të përdorim të njëjtën abetare. Një ide që tani kemi hedhur hapa drejt normalizimit është platforma online ku mësuesit do të angazhohen me disa orë në javë për t’u ligjëruar fëmijëve në diasporë gjuhën amtare.’- tha Shaqiri.

Ora 18:40
Ministrja e Arsimit: Sfidë të ruajmë gjuhën Shqipe! Një abetare unike për të gjitha trevat shqiptare, do ishte një arritje e madhe kombëtare

 

Ministrja e Arsimit në vendin tonë Evis Kushi tha se sfida e madhe është që të ruajmë dhe të përforcojmë Gjuhën Shqipe.

‘Na ka bërë më të vëtëdijshme për vlerat e gjuhës Shqipe. Prandaj punuam me shumë dashur e jemi të lumtur që ja dolëm që në Shqipëri dhe në Kosovë të kenë të përbashkët abetaren unike Shqiptare. Ky moment nuk është vetëm finalizimi i një procesi, por fillimi i një faze të re për të forcuar mësimin e Gjuhës Shqipe. Akademitë tona po punojnë për Enciklopedinë e Përbashkët. Sfida jonë është shumë e madhe që të bëjmë përpjekje për ta ruajtur gjuhën shqipe. Ajo që më gëzon sot është se përveçse kemi ministren e Arsimit të Kosovës, kemi edhe ministrin e Arsimit në Maqedoninë e Veriut. Ka shprehur dëshirën që të përfshihet. Një abetare unifikuar për të gjitha trevat shqiptare, i kalon përmasat e aspektit arsimor pasi është një arritje e të gjithë kombit shqiptar. Nesër fillojnë punimet e Kongresit të Arsimit, ku do shkëmbejmë mendimet tona që të përballojmë sfidën e kohës.’- tha Kushi.