Nga libri i Mero Bazes: Të panjohurat e kontakteve të para mes LDK-së dhe Shqipërisë

Nga libri i Mero Bazes: Të panjohurat e kontakteve të para mes LDK-së dhe Shqipërisë

Ramiz Alia dhe Bujar Bukoshi

Në librin e tij “Republika Parë”, gazetari Mero Baze, ka treguar në detaje sesi udhëheqësit e Kosovës krijuan marrëdhënien me Shqipërinë e viteve 90 të shekullit të shkuar.

Në pjesën e librit që po botojmë më poshtë flitet për kontaktet e para të udhëheqësve politikë të Kosovës, pikërisht kur nisën ndryshimet e mëdha politike në Shqipëri në dhjetorin e vitit 1990. Episode politike që rrëfehen për herë të parë, ku nuk mungojnë absurdet politike shqiptare, por edhe ngjarjet emocionale të ndarjes së madhe që shkaktoi “Muri shqiptar i Berlinit” mes familjeve.

E absolutisht e panjohur është historia e Bujar Bukoshit, zyrtarit të parë politik të Prishtinës që lidhi kontaktet me Tiranën, por edhe takoi vëllanë e tij që jetonte në Berat. I cili prej vitesh ishte arratisur nga Kosova, por që u burgos nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës…

Kontaktet e para me Shqipërinë

Një ditë dhjetori të vitit 1990, Bujar Bukoshi udhëtoi për në Tiranë nga Gjermania. Në Shqipëri ishte shpallur pluralizmi politik dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e ngarkoi atë, të vendoste kontakte me autoritetet shqiptare. Januzi, veprimtar i LDK në Gjermani kishte kontakte me ambasadën në Bon dhe kishte rregulluar udhëtimin. Ai kujton:

“Nga Rinasi më përcollën në vilat qeveritare në Durrës. Ishte ditë e ftohtë dhjetori, vila që kishin bërë gati për të qëndruar unë, ishte e ftohtë, e pa ngrohur dhe e parehatshme.

Aty më pritën disa oficerë, më treguan ku do të flija dhe çfarë kërkesash kisha. Më thanë po ashtu se nesër do të kisha takim me Sofo Lazrin, njeri të afërt të Ramiz Alisë.

Lazri erdhi të nesërmen në orën e caktuar. Ishte fytyrë e ndryshme nga shumica e portreteve që nuk rrezatonin inteligjencë. Folëm shkurt për situatën në Kosovë. Ndihej mungesa e lirshmërisë për çfarë flisnim. Unë përpiqesha t’i tregoja për vendimet që po merrnim, ai përpiqej të më tregonte se i dinte, por pa ndonjë entuziazëm.

Ramë dakord që Rugova me një përfaqësi të nivelit të lar- të të LDK, të vinin muajin e ardhshëm në Tiranë. Për më shumë hollësi vendosëm të takoheshim përsëri.

U ndava me të, me lehtësinë e njeriut që e ka kryer punën e ngarkuar. Kërkesa ime e dytë ishte private. Duhet të shkoja në Berat të takoja vëllain, Hysenin. I arratisur prej vitit 1968, nga Kosova në Shqipëri, ai kishte krijuar familje në Berat, ishte burgosur, kishte dalë nga burgu dhe ne nuk ishim takuar kurrë...

Takimi me të ishte dramë e vogël emocionesh dhe lehtësim i madh. Gruaja e tij, Zoica, ortodokse e Beratit, më dukej si perëndeshë që i kishte dhënë atij jetën e re në Shqipëri dhe kishte sfiduar regjimin duke i qëndruar besnike dhe pasi ishte burgosur.

Bëmë shumë humor atë ditë. I tregova atë historinë kur babai kujtonte se kampi i riedukimit ishte shkollë. Më tregoi plot detaje nga jeta e vështirë e kosovarëve në Shqipëri, përballja me një diktaturë të re dhe humbja e iluzioneve patriotike.

I lehtësuar që u ritakuam, u ktheva përsëri në Kosovë nëpërmjet Gjermanisë. Aq i lehtësuar isha sa në aeroport të Rinasit e harrova dhe pallton dhe hipa në avion me xhaketë, ashtu siç isha ulur në kafe. U ktheva, raportova në Kosovë për takimin në Tiranë. U tregova se do na njoftojnë për takimin e nivelit të lartë.

Ndërkohë, Partia Demokratike që sapo ishte formuar, nën entuziazmin e një partie të re, pluraliste kishte bërë deklarata të forta për Kosovën. Ata kishin folur për Bashkimin Kombëtar dhe njohje të institucioneve të reja të Kosovës.

Rugova më tha se duhet t’i takonim patjetër, kur të shkojmë në Tiranë. Para se të vendosnim takimin e Tiranës, nga aty na njoftuan se duhet të fiksonim detajet e fundit me Sofo Lazrin. Për këtë, së bashku me Ali Aliun shkuam në ambasadën shqiptare në Vjenë, ku u takuam me të. Ramë dakord për agjendën dhe gjithçka tjetër.

Udhëtimi për Tiranë do të bëhej më 21 shkurt. Kur ne mbërritëm në Tiranë, vendi dukej se ishte kthyer përmbys. Statuja e diktatorit Enver Hoxha ishte rrëzuar dhe ishte hequr zvarrë për te studentët. Pasiguria ndjehej gjithandej. Dukej sikur vendi do të niste një kalvar të gjatë ndarjeje dhe lufte civile. Në mbrëmje ushtarët u panë në rrugët e Tiranës dhe të nesërmen më 22 shkurt, flitej për një trazirë nga shkolla e oficerëve.

Shteti amë që ne shpresonim të ishte krahu ynë i djathtë, tashmë ishte në ditët e tij më të vështira.

Për një moment mendova se na kishin harruar fare dhe nuk do dilnin as në Rinas. Jo vetëm që kishin dalë, por kishin dalë të dyja palët; edhe socialistët, edhe demokratët.

Delegacioni shtetëror na priste i pari, me në krye Sofo Lazrin dhe pas tyre delegacioni i PD, i kryesuar nga Gramoz Pashko. Urimi formal i mirëseardhjes në hollin e aeroportit ishte si i ngrirë.

Të dyja palët që na prisnin kishin emocione të kundërta për atë që kishte ndodhur një ditë më parë.

Rugova, i cili në këto raste ishte shpëtimtar i situatës, tha me qetësi atë frazën e tij legjendare:

- Po më vjen mirë që ju shikoj bashkë të dyja palët...

Në fakt, ata ishin në një vend, por jo bashkë.

Ishin më larg se kurrë nga njëri-tjetri.

Por dogma e tij e bëri punën e vet. Të dyja palët filluan të flasin për Kosovën dhe aty kuptova se asnjëra nuk dinte asgjë se çfarë ndodhte aty. Ishin të përciptë, patetikë dhe të painformuar. Mbi të gjitha, të painteresuar për thelbin e asaj që po ndodhte.

Me sa kuptova, mendonin se ne i kishim rregulluar punët tona dhe tani ata duhet thjesht të na përshëndesnin. Në fakt ishte e kundërta. Ne ende nuk i kishim filluar nga puna.

Për të fjetur na çuan në Pallatin e Brigadave, te një vilë e ftohtë dhe e mobiluar keq.

Ramiz Alia na priti në holl të Pallatit të Brigadave, me Xhelil Gjonin dhe Sofo Lazrin. Në takim u fol pak për Kosovën. Ramiz Alia po menaxhonte situatën e rrezikshme pas rënies së monumentit dhe po zbrazej ndaj nesh për Partinë Demokratike. Po fliste se do të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme, do të krijonte Këshillin Presidencial etj. Dhe atë ditë tha atë fjalinë e rëndë, se pa Shqipëri nuk ka Kosovë. Kjo ishte e vetmja që më mbeti në mendje nga gjithë takimi. Nuk bëmë komente, por uruam që situata të kalonte sa më shpejt dhe pa probleme.

Të nesërmen, shoqëruar nga një njeri i protokollit të shte- tit shkuam të vendosnim lule te monumenti “Nënë Shqipëri”, bashkë me Ibrahim Rugovën dhe Ali Aliun. Ndalëm veturën pak larg monumentit. Na ofruan kurorën e luleve. U afruam me hap ceremonial pranë monumentit dhe vendosëm kurorën. U përkulëm dhe u matëm të niseshim.

Një grup veteranësh ishin rreshtuar në krah të monumentit dhe po na shikonin gjithë ankth. Rugova, qysh dinte të ishte i qetë në raste të tilla, i përshëndeti ata duke u buzëqeshur. Ndërkohë afrohet shefi i protokollit dhe na ofron të vëmë kurorë edhe te varri i Enver Hoxhës.

Rugova e shmangu me qetësi, duke i thënë: - Faleminderit shumë! U kry...

Dhe hipëm në veturë. Pashë që fytyrat e veteranëve u egërsuan dhe disa bënin kundër nesh grimasa duke ngritur grushtin.

Ndërsa po dilnin nga varrezat, vetura ndaloi. Diçka kishte ndodhur te dera. Nuk morëm vesh gjë, por kaluam. Më vonë kam kuptuar se dy ushtarakë aty ishin revoltuar dhe ishin betuar se do të na vrisnin si spiunë të Serbisë, sepse nuk kishim nderuar Enver Hoxhën. Por aty nuk hetuam asgjë, përveç dëshpërimit të veteranëve.

Nga Tirana u larguam më 25 shkurt, nëpërmjet Maqedo- nisë. Duke u kthyer për Prishtinë, patëm një incident të rëndë në Ferizaj, ku policia na rrethoi dhe na çoi të gjithëve në rajon të policisë, ku na mbajtën ca orë, gjoja për mosrespektim të policisë. Përpara se të mbërrinim ne, në Kosovë ishin transmetuar pamjet e takimeve tona me Ramiz Alinë, nga televizioni i Beogradit. Dhe po na prisnin...”

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë