Nga Onufri tek Idromeno
piktorët e dy rilindjeve

Nga Onufri tek Idromeno<br />piktorët e dy rilindjeve
TIRANE - Arti i Rilindjes, duke qenë një art thellësisht realist u mbështet kryesisht në subjekte folkolorike etnografike, duke zbuluar dhe konfirmuar ndër të tjera bukurinë e kesaj etnografie nderkohe qe shfaq dhe ndjenjat dhe qendrimin patriotike. Bashkëpunimi dhe përdorimi i elementeve etnografikë në artin shqiptar ka nisur shumë herët. Sipas të dhënave rezulton që shenjat e para shfaqen në artin bizantin dhe posbizantin, sigurisht pa analizuar periudhat historike më të hershme neolitike, deri në periudhat e artit ilir.

Ka dëshmi arkeologjike, sidomos për zbukurimoret e grave ilire dhe atyre Arbënore, që tregojnë për vlera të rralla përpunuese të bronzit,hekurit,e deri tek argjendi. Sipas këtyre të dhënave këto elemente përdoreshin për zbukurimin e veshjeve të kohës veçanërisht në veshjet e grave dhe vajzave të reja. Ndërsa piktorët mesjetarë ikonografë, përveç zbatimit të kanoneve të rrepta, në veprat e tyre mistike kishtare, herë pas here fusnin në veprat e tyre edhe ndonjë element të etnografisë lokale.

Dy artistët më të njohur të kësaj kohe, Onufri dhe biri Nikolla, ofruan disa elemente apo pjesë të shkëputura nga jeta e përditëshme tokësore. Dhe për këtë studiuesja Dhorka Dhamo ka shkruar “Në veprën e tyre të cilësisë të lartë pasqyruan në një masë të gjerë elementin etnografik dhe e shfrytëzuan në mënyrë të ndërgjegjshme disa tipare të stilit të artit popullor. Ata krijuan në këtë drejtim një traditë tonën shumë të çmuar që u ndoq dhe u pasurua më tej në shekuj të më vonshëm e që ka luajtur një rol shumë pozitiv në formimin e një arti me tipare shqiptare”.

Në pamje të parë duket si paradoks që këta piktorë ikonografë, arritën të kapërcejnë kanonet e rrepta të artit bizantin, për të pikturuar disa elementë të etnografisë lokale. Këta piktorët mesjetarë, janë formuar dhe edukuar në malin Athos përgjithësisht, vend ku mësohej zanati i piktorit dhe kanonet strikte të artit kishtar.

Ikonografët me origjine Shqiptare, sipas të dhënave biografike,jetuan e krijuan në në mjediset e vendit të tyre. Ata pikturuan barinjtë  bazuar mbi një legjendë popullore si “Barinj apokrifikë”. Pikërisht në pikturimin e tyre, kemi përshkrim e veshjes lokale, por dhe një ndjesi e lehtë jetësore. Prof. Adromaqi Gjergji na jep të dhëna për këto veshje ”E njëjtë është veshja e bariut të ri, me atë këmishë të hollë me mëngë të gjëra ose të ngushta,e mbledhur për mesi me rrip dhe e plotësuar ndonjëherë me mbathje të puthitura pas këmbëve në formë getash,të lidhura me gjalmë nën gju, si dhe kapela me majë të lartë e me strehe të gjerë anash për hije”.
 
BARIU I ONUFRIT, LIDHJE ME REALITETIN TOKËSOR

Piktura mesjetare me gjithë frymën mistike dhe kanonizimin e rreptë,nuk mundi të pengojë Onufrin që bariut t’i vendosë në kokë një kapele tradicionale dhe të varë në brez një kungull.

Gjithashtu ka edhe dokumente piktorike të tjera si, afresku i vitit 1757. Studiuesja Andromaqi Gjergji e ka përcaktuar figurën e aktorit, të ulur në gjunjë, me veshje popullore. Ai paraqitet i veshur me një këmishe të gjatë me mëngë, ndërsa sipër ka një kaporane me mëngë të shkurtra dhe në kokë mban një takije të bardhë. Pra janë pikërisht këto elemente të pakta të veshjes, që shfaqen në afresk. Ato përbëjnë shenjat e para të lidhjes me realitetin tokësor dhe etnografinë tradicionale.

Kjo për piktorët ikonografë shqiptarë, ka qenë një ndjesi,frymëzim që arrinte shprehje artistike me profesionalizëm të lartë. Këto vepra na afrojnë me shumë delikatesë dhe art, një mjedis real folklorik dhe etnografik, me shenja të qarta lokale. Më vonë mbështetja e artistëve, në jetën reale dhe veshjet popullore, apo elemente të saj, bëhen më direkte.
 
SI I PIKTUROI KOSTUMET KOMBËTARE DAVID SELENICASI
 
Piktori David Selenicasi, (shek XVIII) shfrytëzon elemente të veshjeve popullore, për të treguar preferencën individuale, duke modeluar personazhe të vërtetë të kohës. Një portret i tillë është i një njeriu real, ktitorit Haxhi Jorgji, që paraqitet me veshje tradicionale. Ai mbështillet nga një pelerinë me push përpara. kjo veshje përdorej nga pasanikët e qytetit të Voskopojës në atë kohë. Ndërsa figura “Hedhësi i farës” na paraqitet krejt ndryshe.

Veshja e tij,duke filluar me kapelën që mban në kokë,këmishën e bardhë me një tip qillotash dhe me çantën dekorative, hedhur krahëve, ndërsa në këmbë ka mbathur opinga me retra. Kjo lloj veshje padyshim është jashtë përfytyrimit kanonik kishtar, duke ngjarë më shumë me një figure reale, se sa të një shenjti. Kjo është një tjetër lidhje dhe bashkëpunim i etnografisë tradicionale me artin. Kjo traditë vazhdon dhe më vonë,me ikonografinë tonë, vëllezërit, Zografi, Cetri, por dhe të tjerë, si Zengo,të cilët bënë një art ikonografik,duke shfrytëzuar elemente të jetës reale pavarësisht kanoneve përcaktuese dhe mjaft të rrepta në periudha të ndryshme.

Në rrethoren e viteve 1880 jeta shqiptare paraqitet shumë delikate nga pikëpamja sociale, politike, ekonomike dhe kulturore. Shoqëria më e përparuar e kohës, me gjithë problemet e mëdha që ekzistonin, bëri përpjekje për një zhvillim dhe emancipim në marrëdhëniet social politike. Në historinë e artit shqiptar,kjo periudhë përcaktohet në këtë mënyrë:
“Nga mesi i shekullit XVIII, deri në fund të shekullit XIX, arti dekorativ e ornamental popullor pati një periudhë shkëlqimi …Pasuria dhe larmia e madhe kishin karakter të theksuar patriakal, jeta ishte shumë e mbyllur dhe me kushtëzime kanonesh të rrepta.

Meqenëse mungonte një klasë borgjeze, apo kapitaliste, nuk mund të kishte një zhvillim shoqëror të tillë që të mundësonte emancipimin tërësor të jetës shqiptare. Familjet tradicionale ruanin marrëdhëniet e vjetra me doket dhe zakonet e veta; jeta publike ruante ato mentalitete shekullore”

Kjo natyrisht ishte shume e dukshme, nostalgjike, interesante dhe poetike në qytete si Shkodra, Korça, Elbasani, Gjirokastra, Berati etj. Këto janë qytete që dallojnë për arkitekturën e pasur me karakteristika të veçanta, unike që kanë  harmoni elementesh dekorative, raporte të gjetura dhe të studiuara mirë të masës arkitektonike me njeriun.

Një tipar i dukshëm i vlerës është kontrasti i ekuilibruar grafik dhe transparenca hapësinore. Arkitektura e këtyre qyteteve ka ornamentikë të pasur, ngjyra të përmbajtura, por me kontraste,lidhet bukur me relievin dhe  banorët që jetojnë në këto banesa. Interesante paraqiten këta banorë, me veshjet tradicionale plot ngjyra,duke u kthyer dhe në dekor të bukur lëvizës, në raporte me rrugët dhe mjediset e këtyre qyteteve.

Të dyja i japin mjedisit të qyteteve,një ansambël ngjyrash plot dritë poetike e romantizëm. Veshja tradicionale popullore si koncept artistik, përmbledh ndërtimin e strukturës kompozicionale, raportin piktorik, kontrastin grafik, dekorativitetin dhe zbukurimet. Nga një lexim abstragues i shumë të dhënave, rezulton se shumë elementë të saj, nga pikëpamja e zgjidhjes dhe konceptin estetik, lidhen, harmonizohen, dhe ndërthuren në mënyrë organike,grafikisht, me mjedisin dhe arkitekturën popullore.

Në këtë rast nënvizoj një konstatim interesant të studiuesit dr. Andon Kuqali me të cilin ndaj të njëjtin mendim:
 ”Në kontrastin grafik të veshjes popullore vëren raporte me atë të banesës qytetare të Beratit, Korçës, Gjirokastrës,Prizrenit Malësisë se Gjakovës ”etj. (4)
Pra kjo është atmosfera e kësaj periudhe, duke përfshirë tërë elemtentet përbërëse. Nga një anë kemi atmosferën krijuese, sociale, politike, ekonomike dhe nga ana tjetër, vlerën e arkitekturës, folklorit dhe etnografisë tradicionale.

Këto vlera do çonin shumë shpejt drejt një arti të ri, që largohet përfundimisht nga ikonografia dhe arti kishtar. Arti i ri është realist në trajtimin piktorik dhe laik në lëvrimin e tematikës dhe subjekteve. Ky art fillon te trajtoje subjekte dhe motive nga jeta dhe realiteti tokësor. Arti i kësaj periudhe do cilësohej nga historiografia e artit si “Art i Rilindjes Kombëtare”. Përveç vlerës si një lëvizje e përparuar artistike, ndikoi dhe atmosfera patriotike në vitet 1880.

Arti i ri qe filloi, dalloi për realizmin e thellë dhe frymën romantike që e përshkruan. Arti i rilindjes kombëtare fillon të trajtojë si subjekt primar mjedisin folkorik Shqiptar, ku përfshihen momente interesante nga jeta dhe tradita popullore, ku etnografia është pjesë e pandarë e vlerës. Në këtë kohë artistët gjetën një burim frymëzimi te përmbajtja folklorike, duke shfrytëzuar bukurinë e veshjeve tradicionale. Arti i Rilindjes është padyshim art i folkorit dhe etnografisë dhe patriotizmit. Përfaqësuesi më i spikatur i saj padyshim është piktori Kol Idromeno.

Duke parë vlerat e veprës së Kol Idromenos kemi vlerësuar trajtimin piktorik realist me shumë karakteristika të veçanta. Vepra e tij është përgjithësisht folklorike, me elemente thellësisht etnografike. Historia e Artit Shqiptar ka vlerësuar mjeshtërinë, profesionalizmin dhe vlerat e një realizmi unikal. Ai arriti përmes artit të sjellë një ndryshim të madh konceptual në pikturën e kohës. Aplikoi për herë të parë në Shqipëri një art të ri laik.

Hyjlindësja Mari e Onufrit
(Në foto: vepra "Hyjlindësja Mari" e piktorit Onufri)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 23.08.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'