Burime nga ky dikaster sqaruan për gazetën, se ashtu si një vit më parë, shpërblimet pritet të jepen edhe këtë vit për pensionistët, ushtarakët, invalidët dhe një sërë kategorish të tjera. Ministria e Financave nuk ka përcaktuar ende skemën e shpërblimeve, por po diskutohen disa varjante, mes të cilave edhe skema e dhënies së 4-5 mijë lekëvë të rinj për të gjithë pensionistët dhe kategoritë e tjera.
Ndihma ekonomike
Rreth 80 mijë familje me ndohmë ekonomike do të marrin shpërblimin e fundvitit, thuhet në relacionin e Ministrisë së Financave, por masa e shpërblimit nuk është përcaktuar ende. Vitin e kaluar kjo kategori përfitoi shpërblim 2500-3000 lekë. Këtë vit qeveria është e lirshme të japë shpërblimet e fundit te vitit për shkak të ecurisë pozitive te të ardhurave buxhetore. Gjithashtu Ministria e Financave sqaron se mbi 32 mijë familje që janë pjesë e ndihmës ekonomike do ta marrin deri në fund të vitit një pagese mujore dy-trefish më të lartë.
Kategoritë
-Të gjitha familjet me ndihmë ekonomike
-Pensionet e invaliditetit
-Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën nga 1.10.1993 deri në 31.12.1993.
-Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën 1.1.1994 deri në 30.9.1994, me masë pensioni në këtë periudhë, pas rillogaritjes sipas ligjit nr.9588, datë 25.7.2006, “Për rillogaritjen e pensioneve”.
-Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën nga 1.10.1994 deri në 30.4.1995, me masë pensioni në këtë periudhë, pas rillogaritjes sipas ligjit nr.9588, datë 25.7.2006, “Për rillogaritjen e pensioneve”.
-Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën nga 1.5.1995 deri në 30.9.1995, me masë pensioni në këtë periudhë, pas rillogaritjes sipas ligjit nr.9588, datë 25.7.2006, “Për rillogaritjen e pensioneve”.
-Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën nga 1.10.1995 deri në 31.3.1996, me masë pensioni në këtë periudhë, pas rillogaritjes sipas ligjit nr.9588, datë 25.7.2006, “Për rillogaritjen e pensioneve”.
-Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën nga 1.4.1996 deri në 31.12.1996, me masë pensioni në këtë periudhë, pas rillogaritjes sipas ligjit nr.9588, datë 25.7.2006, “Për rillogaritjen e pensioneve”.
-Pensionet e pleqërisë të punonjësve të nëntokës dhe ato të grave të punësuara në arsim dhe kulturë, të caktuara me nenin 97, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, kur llogariten si pensione të plota, pavarësisht kohës kur kanë kaluar si të tilla.
Skemat
Gjatë vitit 2018 pritet të jetësohet një projekt që rrit efikasitetin dhe transparencën e skemës së ndihmës ekonomike nëpërmjet administrimit të regjistrit elektronik kombëtar dhe përdorimit të sistemit të pikëzimit. Qëllimi është rritja e shenjëstrimit dhe mbulimit të familjeve të varfra, krijimi i një sistemi të paanshëm dhe transparent, duke ulur subjektivitetin në vendim-marrje, si dhe rritja e efiçencës në administrimin e skemës. Targetimi i më të varfërve do të bëjë të mundur “pastrimin” e skemës nga abuzuesit dhe futjen në skemë të familjeve më në nevojë.
Brenda vitit 2018, skema do të shkrihet në nivel kombëtar duke përdorur kritere të reja gjithëpërfshirëse. Riintegrimi nëpërmjet krijimit të paketës për krijimin e mundësive për punësim synon të përfshijë në politikat aktive të tregut të punës 5% të përfituesve të Ndihmës Ekonomike. Për vitin 2018 janë parashikuar të përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike 79,891 familje. Gjithashtu parashikohet të trajtohen me pagesa të aftësisë së kufizuar 164,410 persona (persona me aftësi të kufizuar, kujdestarë të PAK dhe invalidët e punës).
Shpërblimi 1 vit më parë
Një vit më parë pensionistët në të gjithën vendin përfituan 2500 lekë deri në 3000 lekë shpërblim për festat. Konkretisht, sipas skemës, përfituan shpërblim prej 2500-3000 lekësh rreth 372.932 pensionistë, që merrnin pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, si dhe 145.580 pensionistë që merrnin pension fshati.
Përfitues të shpërblimit ishin edhe 81 mije kryefamiljarë që përfitojnë nga skema e energjisë elektrike, si dhe 68 mijë nga kategori të veçanta në statusin e personave me aftësi të kufizuara. Përfitues të skemës së shpërblimeve për fundvit ishin edhe 3,595 persona që marrin trajtim të veçantë për punën e kryer në miniera dhe në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake dhe 10 600 persona që merrnin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Vlera e shpërblimit për këto kategori ishte 2500 deri në 3 000 lekë.
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com