Nga plagjiaturat, tek futja e 'të fortëve' në politikë. Quo Vadis Shqipëri?

Nga plagjiaturat, tek futja e 'të fortëve' në politikë. Quo Vadis Shqipëri?

Kur skandalet në një vend plasin në mënyrë periodike, kur akuza për afera të larta korruptive mbushin kryetitujt e mediave, por në fund i lihen harrimit e jo marrjes së përgjegjësisë, njerëzit vërtet mësohen me të keqen, por humbasin besimin tek ata që kanë në krye. Shoqëria mpaket e rritet dëshira për t'u larguar nga një vend, siç po ndodh në Shqipëri. Ankesa më e shpeshtë - ky është një vend, ku postet nuk merren me meritë. Skandali i fundit i plagjiaturave që goditi si një dallgë e re e ftohtë shoqërinë e forcoi edhe më shumë këtë mungesë meritokracie. Jo se fiktiviteti nuk njihej , por përmasat e tij e nivelet që kapte ishin shokuese.

Radhazi dolën në media kapituj doktoraturash të kopjuara, diploma fiktive, zbulime deklarimesh të pasakta për studime në universitete. Personat pas tyre ishin ndër emrat më të njohur të Shqipërisë. Deputetë, funksionarë të lartë, zëvendësministra, një ish-ministre, një ministre e qeverisë aktuale. „Numri i individëve me diploma të diskutueshme është rreth një e treta e parlamentit, numri i individëve që është provuar që kanë diploma fiktive, tituj fiktivë ose kurse fiktive të deklaruara është provuar të paktën në 10-15 raste", thotë drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, i marrë gjatë me këtë temë. Që praktikisht do të thotë se në Shqipëri tanimë një kastë politikanësh me integritet të dyshimtë merr vendimet për një popull që pret kaq shumë nga politika. Për shkrimtarin e njohur, Moikom Zeqo, një nga deputetët e parlamentit të parë pas rënies së diktaturës, ky është "një mashtrim kombëtar". Në një intervistë për gazetën "Dita", ai e cilëson këtë fenomen në politikë si fabrikim të personaliteteve të rremë.

Të zbukurohesh me tituj për të rritur prestigjin

Plagjiatura, një virus që prek më shumë politikanët? Politologja e Shoqatës Gjermane për Politikën e Jashtme, që merret me Ballkanin Perëndimor, Dr. Natascha Wunsch thotë për DW, se „titujt si ai i doktorit shkencor shihen në shumë vende si një kualifikim pozitiv për poste publike, e kjo i shtyn herë pas here politikanët që gabimisht të duan të zbukurohen me tituj të tillë dhe/ose të dorëzojnë edhe plagjiatura."

 Dr. Natascha Wunsch (privat)

Natascha Wunsch, politologe në Shoqatën Gjermane për Politikën e Jashtme

Edhe në Gjermani pati disa raste të zbulimit të plagjiaturave, nga qytetarë që i verifikuan rastet e dyshimta, por ato rezultuan me disa heqje titujsh dhe me dorëheqje, madje edhe të ministrit gjerman të Mbrojtjes Karl Theodor zu Guttenberg dhe ministres së Arsimit Annete Schawan asokohe. Në Shqipëri, veҫ dorëheqjes së një zëvendësministri arsimi, publikimet e plagjiaturave me fotografim të kapitujve të kopjuar janë mohuar nga gati të gjithë emrat e përmendur të deputetëve të parlamentit shqiptar. Edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu i mohoi akuzat për plagjiaturë. Shkrimtari dhe ish-deputeti, Moikom Zeqo kërkon hapur dorëheqjen për raste të tilla. "Cilido deputet që ka marrë një titull e që është vërtetuar plagjiatura duhet të japë menjëherë dorëheqjen."

Qeveria zyrtarisht e dënon fenomenin, por sipas drejtorit të Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi qeveria nuk i kushton rëndësi të madhe, megjithëse aktualisht kemi një ish-ministre dhe një ministre aktuale me diploma fiktive. "Paradoksi bëhet edhe më absurd, kur zyrtarisht qeveria ka mbajtur retorikë kundër fiktivitetit në titull dhe karrierë...e në krah qëndrojnë ministra të akuzuar për plagjiatura."

Si u futën "të fortët" në politikën shqiptare?

Por pika e kthesës në politikën shqiptare, kur madje në parlament u futën jo vetëm njerëz me diploma jo të marra me meritë, por edhe elementë kriminalë, që siç dihet, shkaktoi debate për vite me radhë, i ka rrënjët më të thella. Politologu Afrim Krasniqi shpjegon se në një moment të caktuar, kur politika kishte probleme përfaqësimi, ajo iu afrua njerëzve që njihen si "të fortët", biznesmenëve të tranzicionit. "Ata kishin dy cilësi, dominimin në zona elektorale dhe paranë, por jo statusin social. Këtë ata u munduan ta krijojnë përmes CV-ve fiktive." E për shkak se Parlamenti Shqiptar e merr si të mirëqenë deklarimin e deputetit dhe nuk bën verifikime të mëtejshme, valën e fiktivitetit që iu sul parlamentit shqiptar këto vite nuk e ndali kush.

Albanien Tirana Eröffnung des Museums Virtual Memory (DW/A. Muka)

Afrim Krasniqi, drejtori i Institutit të Studimeve Politike

Nuk e ndali as Ministria e Arsimit. Kërkesës së Institutit të Studimeve Politike kjo ministri, i përgjigjet se ka të drejtë të verifikojë vetëm individët që kanë trokitur në ministri dhe kanë bërë regjistrimin me sjelljen e diplomave. "Kur i kemi paraqitur listën e deputetëve me diploma të deklaruara, ata na kanë thënë, nga këta kaq persona kanë deklaruar dhe ia kemi njohur, për të tjerë që nuk kanë bërë kërkesë nuk mbajmë përgjegjësi.”, thotë Afrim Krasniqi. Vërtet që Ministria e Arsimit e ka një rregullore për kontrollin antiplagjiaturë të disertacioneve."Ministria siguron software për kontroll automatik apo pajisje të tjera që i shërbejnë kontrollit për plagjiaturë", thuhet në një nga vendimet e Këshillit të Ministrave të vitit të kaluar, por duket se këto janë më shumë fjalë të bukura në letër.

Dështimi i institucioneve përgjegjëse për produktin shkencor

As institucionet më të rëndësishme të verifikimit të vërtetësisë e cilësisë së  produktit shkencor, universitetet nuk kanë arritur me sa duket ta kryejnë detyrën e tyre. Universitetet duhet të bënin verifikimin e secilit nga rastet e përmendura, por universitetet nuk e bëjnë, thotë Afrim Krasniqi. „Sistemi është shumë i mbyllur, bordet dhe drejtuesit e universiteteve zgjidhen nga qeveria. Ata janë zyrtarë të vegjël, ndërkohë që akuzat janë bërë për nivele të larta."

Nuk ishin universitetet, ato që zbuluan skandalin e plagjiaturave në diplomat apo doktoraturat e politikanëve, por individë të angazhuar. Vladimir Kola, i cili ka përfunduar doktoraturën për të drejtën publike në Itali është njëri nga personat, që zbuloi një seri plagjiaturash, mes tyre edhe të politikanëve. Për Deutsche Wellen ai shpjegon pse i hyri një rruge të tillë: „Motivet janë të shumta,  por së pari nga fakti se në konkurset, ku kam konkurruar për personel akademik, kam vënë re qartazi mungesë meritokracie dhe serioziteti, ku kandidatë pa doktoraturë apo pa ndonjë shkrim shkencor me cilësi, gjendeshin të listuar te fituesit, apo të punësuar, ndërsa të tjerë me doktoraturë, si në rastin tim, nuk dilnin fitues. ...Jam shtyrë të zbuloj plagjiaturat e ndryshme, pasi kam vënë re se kishte edhe interes publik mbi probleme të tilla."

Vladimir Kola (Privat)

Vladimir Kolën e nxiti interesi publik të merrej me zbulimin e plagjiaturave

Fenomeni i masterizimit

Fenomeni nuk është i pranishëm vetëm në politikë. Sipas Vladimir Kolës ”fenomeni është i pranishëm tek të gjitha kategoritë, por natyrisht njerëzit që janë të pushtetshëm, në përgjithësi "gardhin” që duhet të kapërcesh për të marrë doktoraturën e shohin ose e kanë më të ulët se të tjerët.”

Ky fiktivitet shqetësues në Shqipëri duket se rrënjët i ka ekonomike. Ka qenë një ligj i arsimit të lartë i vitit 2007, i cili i hapi rrugën masterizimit masiv të viteve të fundit, "sepse doli një vendim i Këshillit të Ministrave, sipas të cilit individët që kanë gradë shkencore në mënyrë automatike nëse punojnë në administratën publike marrin rritje rroge. E pothuaj se e gjithë administrata publike qendrore u fut në master apo nivele të tjera të kualifikimit”, shpjegon Afrim Krasniqi.

Një master sillte rrogë më të mirë, edhe nëse ai nuk bëhej në profesionin që ushtrohej. Një master të ndihmonte të ruaje vendin e punës. Reforma e re arsimore e ka ndryshuar këtë, por pasojat nuk janë zhdukur. Zhytjen në fiktivitet e pranojnë jashtë mikrofonit të gjithë, por megjithatë një "veting" në këtë drejtim nuk është i dëshirueshëm. "Fenomeni prek një  një numër të madh personash. Askush nuk ka interes", thotë Afrim Krasniqi.

Shija e hidhur e humbjes së besimit

Quo Vadis Shqipëri? Drejt Europës me elita fiktive? Drejt Europës me shitblerje masterash e plagjiatura? "Në Shqipëri është krijuar ideja se gjithçka shitet, edhe shkenca, i gjithë sistemi krijon impaktin, se kur e kanë bërë këta, e kanë bërë karrierë, pse duhet ta vrasë mendjen unë, të bëj studime të thelluara, kur e marr të gatshme", kritikon Afrim Krasniqi. Me "ata" nënkuptohen politikanët, elita drejtuese e vendit. Me "unë" të rinjtë që janë në prag të karrierës.

Albanisches Parlament in Tirana (DW/A. Muka)

Parlamenti Shqiptar

Pasoja - një zhgënjim i madh i brezit të ri për një vend, ku meritokracia zëvendësohet nga paraja apo partia. Protestat studentore të muajit të fundit në Tiranë e shprehën qartë këtë zhgënjim. 79% e të rinjve në Shqipëri duan të largohen nga vendi, sipas një vrojtimi të institutit Gallup. Politologja gjermane, Dr. Natascha Wunsch shikon tek përhapja e rasteve të plagjiaturave rrezikun e deziluzionimit në shoqëri. "Përhapja e rasteve të plagjiaturës jo vetëm varros besimin tek një politikë nxitëse e meritokracisë, por ajo mund të ketë si pasojë edhe emigrimin e personave të mirëshkolluar. Ky problem është shumë më i gjerë, sepse në tërësi procedurat meritokratike në vendet në tranzicion nuk janë të zhvilluara mirë, dhe postet publike zihen shpesh me lidhje personale apo përkatësi partiake. Kjo jo vetëm çon në zhgënjim nga popullata, por ka efekt negativ edhe në cilësinë e vendimmarrjes në proceset politike. Prandaj ka rëndësi që të jenë lart në axhendë të reformave politike procedurat transparente në administratën publike."

Kërkohet një mekanizëm efektiv i parlamentit shqiptar, me kompetenca vepruese për të shmangur në të ardhmen infiltrimin e individëve me diploma fiktive, kërkon Afrim Krasniqi. Skandali i plagjiaturave në Shqipëri hodhi edhe një hije tjetër të errët mbi politikën  shqiptare, që vuan nga imazhi i korrupsionit dhe lidhjeve me krimin e organizuar. Por e pati edhe një një anë të mirë: Ishte hera e parë që në Shqipëri u fol kaq hapur e gjatë për një problem të tillë. Plagjiaturat i kanë sensibilizuar të gjithë. "E kush do të publikojë tani në të ardhmen, apo do të hyjë në politikë, do të ketë vëmendje më të madhe", shpreson Afrim Krasniqi./ DW

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve