Në rast se aktivizohet qofte edhe një minutë në ndeshjet që Portugalia do të luajë në EURO 2020 Cristiano Ronaldo do të bëhet futbollisti i parë që merr pjesë në pesë Europianë të ndryshëm. 5 herë fituesi i ‘Topit të Artë’ është në listën me 16 futbollistë të tjerë të cilët kanë marrë pjesë në katër Europianë. Hera e parë për Ronaldon ishte në Euro 2004 në shtëpinë e tij ku edhe arriti të shënonte.
Ky nuk është rekordi i vetëm që mund të thyejë 36-vjeçari, pasi në rast se gjen rrugën e rrjetës me luzitanët në Euro 2020 atëherë ai do bëhet edhe golashënuesi më i mirë i këtij kompeticioni. Aktualisht ai ka shënuar 9 gola në finalet e europianeve, po aq sa Mishel Platini me Francën.
Ronaldo ka gjasa të thyejë edhe rekordin e Buffon në këtë Europian gjatë verës. CR7 deri më tani në total ka zhvilluar 56 ndeshje me Portugalinë në kualifikuese dhe finalet e Europianit, dy më pak se ish-portieri i Italisë. Duke e marrë të mirëqenë se ai do aktivizohet në tre përballjet e grupit kundër Francës, Gjermanisë dhe Hungarisë atëherë do bëhet i pari futbollist me më shumë ndeshje në kualifikueset dhe finalet e Europianit.
Ndërkohë deri më sot vetëm 7 futbollistë kanë arritur të shënojnë tripletë në një ndeshje të Europianit dhe çuditërish Ronaldo nuk është ndër to. Këtë vit mund të ketë mundësinë e fundit për ta bërë. Një tjetër rekord që ai mund të thyejë është shënimi i një goli në finalen e Euro, ç’ka do ta bëntë atë futbollistin më të vjetër që bën diçka të tillë.