Raul Rangel po jeton ëndrrën në Kupën e Botës 2026. Portieri i Meksikës është shndërruar në një nga protagonistët e turneut, duke qenë vendimtar në ecurinë e kombëtares së tij, e cila tani përgatitet për përballjen e madhe ndaj Anglisë në raundin e 1/8-ave.
Meksika, së bashku me Spanjën, mbeten të vetmet skuadra në turne që ende nuk kanë pësuar gol. Rangel ka luajtur katër ndeshje dhe ka regjistruar plot 348 minuta me portën e paprekur, më shumë se çdo portier tjetër në këtë Botëror.
Gardiani i Chivas u zëvendësua vetëm një herë, në minutën e 78-të të fitores 3-0 ndaj Republikës Çeke, kur trajneri Javier Aguirre i dha mundësinë veteranit Guillermo Ochoa të regjistronte disa minuta në Kupën e tij të gjashtë të Botës.
Me këtë ecuri, Rangel ka hyrë në historinë e futbollit meksikan. Ai ka lënë pas Ignacio Calderonin, që kishte mbajtur portën të paprekur për 283 minuta në vitin 1970, si dhe Pablo Lariosin me 276 minuta në Botërorin e vitit 1986, duke u bërë portieri me serinë më të gjatë pa pësuar gol në historinë e Meksikës në Kupat e Botës.
Në të njëjtën kohë, ai është bërë portieri i shtatë në histori që e nis një Kupë Bote me katër ndeshje radhazi pa pësuar gol, duke iu bashkuar emrave legjendarë si Gilmar, Gordon Banks, Emerson Leao, Carlos, Walter Zenga dhe Pascal Zuberbuhler.
“Jemi të destinuar për gjëra të mëdha”, deklaroi Rangel pas fitores 1-0 ndaj Koresë së Jugut. Ai theksoi se është rritur nga ndeshja në ndeshje dhe ka qenë gjithmonë gati të ndihmojë ekipin në momentet vendimtare.
Edhe trajneri Javier Aguirre ka vlerësuar paraqitjet e portierit, duke theksuar se ai ka fituar qetësi dhe pjekuri gjatë turneut. Sipas tij, pas disa pasigurive në ndeshjen ndaj Afrikës së Jugut, Rangel reagoi në mënyrë të shkëlqyer kundër Koresë së Jugut, duke bërë pritje vendimtare kur skuadra kishte më shumë nevojë.
Historia e 26-vjeçarit është po aq frymëzuese sa edhe performancat e tij në fushë. Përpara se të bëhej portieri titullar i Meksikës, ai punoi në profesione të ndryshme për të ndihmuar familjen. Ka shitur karamele, ka larë makina, ka shpërndarë mish dhe bukë, ndërsa një nga punët më të lodhshme ishte prodhimi i tullave. Familjarët kujtojnë se ai nisej herët në mëngjes dhe kthehej në shtëpi i mbuluar me baltë, pas orëve të gjata të punës.
Sot, pas një rruge të mbushur me sakrifica, Raul Rangel është kthyer në "murin" e Meksikës. Sfida e radhës ndaj Anglisë do të jetë testi më i madh i karrierës së tij, me synimin për të zgjatur serinë historike pa pësuar gol dhe për ta udhëhequr Meksikën drejt çerekfinaleve.
Raul Rangel, portieri i Meksikës
Komente




