Një nga thesaret më të çmuar të arkeologjisë shqiptare, parku arkeologjik Bylis-Klos pritet të hyjë në një fazë të re zhvillimi.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit përmes një postimi, ku zbulon detajet e projektit të ri për zonën  ku ndërthuren trashëgimia e qytetërimit ilir, historia e antikitetit dhe peizazhi unik i krahinës së Mallakastrës.

Sipas tij, synimi i këtij projekti të mbështetur nga Bashkimi Europian dhe qeveria italiane, është që Bylisi dhe Klosi të kthehen në një destinacion të plotë kulturor dhe turistik, përmes një qasjeje të integruar zhvillimi.

"Projekti, i mbështetur nga  Bashkimi Evropian dhe  qeveria italiane, parashikon ngritjen e një Qendre të re Multifunksionale, hartimin e një Master Plani të pikave të interesit, si dhe përmirësimin e aksesit, parkimit dhe sigurisë në park. Qendra Multifunksionale konceptohet si një hapësirë dinamike që ndërthur funksione muzeale dhe interpretimi, sallë për aktivitete kulturore, kënd informacioni, librari e suvenire, kafeteri, laborator konservimi dhe ambiente shërbimi për vizitorë e personel, duke e kthyer Bylisin dhe Klosin nga një sit arkeologjik në një eksperiencë të plotë kulturore, edukative dhe turistike" tha Gonxhja, 

Në postim bëhet e ditur gjithashtu se në mbledhjen e fundit të KKTU është miratuar leja e zhvillimit për projektin, ndërsa investimi pritet të nisë së shpejti.

Sipas ministrit, përmes këtij projekti synohet jo vetëm ruajtja e trashëgimisë kulturore, por edhe zhvillimi i qëndrueshëm i zonës përmes turizmit dhe kërkimit shkencor.

Por pse ka rëndësi ky projekt?

Bylisi nuk është thjesht një sit arkeologjik. Ai konsiderohet qyteti më i madh ilir në jug të vendit, i themeluar rreth viteve 370–350 para Krishtit dhe i vendosur në një pozicion dominues mbi luginën e Vjosës.

Në kulmin e tij, qyteti kishte një organizim të zhvilluar urban me teatër, stadium, tempuj dhe ndërtesa publike, duke qenë një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike dhe ushtarake të kohës.

Afër tij ndodhet edhe Nikaja, qyteti antik në zonën e Klosit të sotëm, çka e bën gjithë parkun një kompleks të rrallë historik me potencial të madh turistik.