‘Nga rezistenca me armë e pushtimi me forcë i ndërtesave’ akuzat e rënda ndaj Berishës kur i hoqën imunitetin në ’98! Rrezikonte burgim të përjetshëm, por çdo gjë përfundoi flluskë sapuni

Më votimin e kësaj të enjteje në Kuvendin e Shqipërisë është hera e dytë që Sali Berishës i hiqet imuniteti! Në vitin 1998 ndaj Berishës është ngritur akuza e rëndë për 'Kryengritje' për organizimin e trazirave të 14 shtatorit 1998.

Berisha me mbështetësit e tij sulmoi me njerëz të armatosur për disa orë Kryeministrinë, RTSH, Gjykatën Kushtetuese, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Kulturës, ndërsa një granatë u hodh në zyrën e kryetarit të atëhershëm të Kuvendit, Skënder Gjinushi.

Ngjarjet erdhën si pasojë e vrasjes së Azem Hajdarit natën e 12 shtatorit 1998, ngjarje të cilën Berisha e shfrytëzoi për të organizuar një grusht shteti të mirëfilltë. Sali Berisha tërhoqi grupet e armatosura mbrëmjen e 14 shtatorit 1998 pas një ultimatumi të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili dënoi ashpër grushtin e shtetit dhe deklaroi se nuk njihte pushtet që dilte nga dhuna.

4 ditë më vonë, më 18 shtator, me 108 vota pro nga 113 deputetë që votuan, i hoqi imunitetin Berishës së bashku me grupin e tij të ngushtë. Për këtë krim në bazë të Kodit Penal të atyre viteve, për Berishën parashikohej deri në burgim i përjetshëm.

Në përmbajtje të këtij neni vepra penale parashikohej ‘Kryengritja’ në të cilën përcaktohet ‘pjesëmarrja në veprime masive të dhunshme, si vendosje pengesash apo barrikadash për të ndalur forcat e rendit, rezistenca me armë apo çarmatosja e tyre, pushtimi me forcë i ndërtesave, kryerja e plaçkitjeve, grumbullimi apo vënia në dispozicion e armëve, municioneve dhe njerëzve, krijimi i lehtësirave në favor të kryengritësve, të bëra për të përmbysur rendin kushtetues, dënohen me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet.

Në Kodin Penal parashikohej se ‘marrja pjesë si udhëheqës apo organizator në veprimet e mësipërme dënohet me burgim të përjetshëm.'

Por me gjithë këto vepra të rëndë, si gjithmonë, i favorizuar edhe nga drejtësia e asokohe të cilën e kishte nën kontroll, çdo gjë përfundoi në një flluskë sapuni. 

Në një intervistë për Report Tv, ish-deputeti Spartak Braho i cili ishte kryetar i komisionit në Këshillin e Mandateve që i hoqi imunitetin Sali Berishës tha se ky i fundit u mor me forcë, ndërsa shtoi se nuk u paraqit asnjëherë në prokurori, megjithëse u thirr për 4 vite rresht.

Për trazirat e 14 shtatorit 1998, imuniteti iu hoq edhe Pjetër Arbnorit, Leonard Demit, Vili Minarollit, Shaban Memisë e Jemin Gjanës, por akuza u pushua nga Prokuroria. Organizatorët nuk u ndëshkuan, ndërsa ekzekutuesit e kësaj ngjarje në terren u shpërblyen pas vitit 2005. 

Në 2007 prokuroria vendosi arkivimin e “kryengritjes” së 14 shtatorit 1998, duke e cilësuar ngjarjen si një krim të zakonshëm, “vjedhje me armë” e mbetur pa autor.

 Vendimi për heqjen e imunitetit të Sali Berishës më 1998

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 22/12/2023 02:14

    Ishin gjyqetaret e prokuroret e plepave atehere.Nuk pritej te ndodhte ndryshe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Përfitojnë 177 mijë pensionistë në Tiranë/ Nis aplikimi i të moshuarve për abone falas

Përfitojnë 177 mijë pensionistë në Tiranë/ Nis aplikimi i të moshuarve për abone falas