Rreth dy vite më parë Klea Kaci, basketbollistja shqiptare, la Shkodrën për të emigruar me familjen në Kanada, atje ku sot luan me ekipin e Excel Hoops. Ajo është 16 vjeçe dhe 1.80 e gjatë, ndërsa që tani ka oferta nga Universiteti i Harvard. Për Report Tv ajo thotë se përshtatja me realitetin e ri nuk ka qenë e vështirë.

“Përshtatja ime në Kanada nuk ishte edhe aq e vështirë, pasi para se të vija këtu kam patur shumë eksperienca në SHBA ku unë edhe vura se basketbolli I femrave ishtë shumë më i vlerësuar se sa në Shqipëri.”

Klea tregon se çfarë e ka bërë atë që të ketë një nivel të lartë basketbolli që në këtë moshë.

“Unë gjithashtu stërvitem nën përkujdesjen e një trajneri personal me shumë eksperiencë i cili është stërvitur me yjet e NBA që quhet Xhuma Mekuin dhe është një ndër arsyet kryesore që loja ime ka arritur në nivelin ku është sot.”

Kur pyetet për të bërë një krahasim mes basketbollit në Shqipëri dhe atij në Kanada 16-vjeçarja përgjigjet:

“Në Shqipëri nuk mungon dëshira apo talentet, por thjeshtë mungojnë ambientet dhe kushtet ku këta lojtarë stërviten.”

Klea thotë se pavarësisht emigrimit është gjithmonë në kontakt me shoqet te ekipi i Vllaznisë, ku ajo nis karrierën në basketboll.

“Jam në kontakt vazhdimisht me shokët e skuadrës atje, sepse kemi kaluar moment të paharruara së bashku. Sot që flas me to më shprehin një kënaqësi tej mase për arritjet e mija dhe më japin kurajo të ecin përpara.”

16-vjeçarja gjatë aventurës në Shqipëri ka qenë edhe pjesë e Kombëtares shqiptare, por në të ardhmen nuk do të jenë më, pasi ka oferta nga Kanadaja.

“Ka qenë një eskperiencë tej mase e veçantë të luaja për kombëtaren e Shqipërisë, e cila vitet kur kam luajtur unë drejtohej nga trajnere Aledina Koçi, që ka qenë një mbeshtetje shumë e madhe për mua. Për momentin nuk është në planet e mija të luajë sërish me kuqezinjtë sepse jam në pritje nga kombëtarja kanadeze, sepse jam në kontakte me to. Gjithsesi të luaja me kombëtaren kuqezi edhe një herë nuk do të ishte keq sepse në fund të fundit është vendi ime.”

Klea në fund thotë se ëndrra e saj është që të luajë në NBA për versionin e femrave.

“Ëndra ime më e madhe është që të arrij në nivelin më të lartë të basketbollit, në ËNBA (Verisioni i NBA për femra). Gjithashtu të jem një nga lojtaret më të spikatura në ligë.”