Shqipëria renditet mes destinacioneve më të rekomanduara për pushimet e vitit 2026 nga revista spanjolle The Officer, e cila i kushton një vëmendje të veçantë Rivierës Shqiptare.
Në artikullin e saj, media spanjolle shkruan se udhëtimet nuk duhet më të improvizohen, por të planifikohen me kujdes, duke zgjedhur vende ku vizitori mund të ndihet udhëtar dhe jo turist. Pikërisht këtu, sipas saj, spikat Shqipëria.
Riviera Shqiptare përshkruhet si një alternativë mesdhetare që bashkon ujërat bruz të Greqisë me vijën e thyer bregdetare të Italisë, por me kosto shumë më të ulët dhe me më pak turma vizitorësh. Zona si Ksamil dhe Dhërmi përmenden si shembuj të pushimeve të thjeshta dhe natyrore, larg luksit artificial dhe turizmit të mbingarkuar.
Revista thekson se Shqipëria ka kaluar nga një destinacion pak i njohur në një nga vendet më të përfolura në rrjetet sociale, duke u kthyer në një “fiksim evropian” për udhëtarët që kërkojnë eksperienca të reja.
Artikulli sugjeron që udhëtimi të nisë nga Tirana, e përshkruar si një kryeqytet energjik dhe surprizues, dhe më pas të vazhdojë drejt jugut, me qëndrime në hotele të vogla buzë detit Jon dhe ushqim të freskët deti.
Sipas “The Officer”, momenti ideal për ta vizituar Shqipërinë janë muajt jashtë sezonit të pikut, si maj-qershor ose shtator-tetor, kur moti është i favorshëm, shërbimi më i mirë dhe përvoja më autentike.
Media spanjolle paralajmëron se interesi për Rivierën Shqiptare po rritet shpejt dhe se në vitet e ardhshme ky destinacion mund të mos jetë më aq i qetë sa sot.
Në të njëjtën listë, revista përmend edhe destinacione të tjera që pritet të jenë të preferuara në vitin 2026. Një prej tyre është Okinawa në Japoni, e cilësuar si një zgjedhje për ata që kërkojnë qetësi, plazhe subtropikale dhe një stil jetese më të ngadaltë, larg ritmit urban.
Një tjetër destinacion i përfshirë është Alentejo në Portugali, i përshkruar si një rajon i qetë dhe estetik, i preferuar nga arkitektë dhe dizajnerë, me natyrë të hapur dhe turizëm të përmbajtur, larg zonave të mbipopulluara.
Revista thekson se Shqipëria, Portugalia dhe Japonia kanë një element të përbashkët: ofrojnë përvoja autentike dhe një formë udhëtimi që nuk lidhet me turizmin masiv.
Komente












