Presidenti malazez Jakov Milatoviç ka kundërshtuar rritjen me 30% të pagave të sistemit gjyqësor.
Argumenti i tij është se qytetarët nuk po shohin rezultate nga prokuroria dhe gjykatat, ndaj rritja është e pajustifikueshme.
“Në një kohë kur ata shohin se pjesë të gjyqësorit dhe prokurorisë nuk po ofrojnë drejtësi, nuk është e drejtë të rritet paga e të gjithëve me zgjidhje të përkohshme sikur sistemi po funksionon pa gabime. Individët përgjegjës për probleme në dhënien e drejtësisë nuk mund të shpërblehen”, tha Milatoviç.
Më tej, shtoi se performanca, llogaridhënia dhe rezultatet duhet të jenë kriteret për të mbështetur rritjen e pagave.
“Drejtësia së pari, pastaj rritja e pagave”, u shpreh presidenti.
Presidenti ka refuzuar të dekretojë 25 ligje të miratuara në parlament dhe kjo ka ngritur shqetësime për procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Europian. Sipas mazhorancës, kjo mund të ngadalësojë mbylljen e disa negociatave të parashikuara në mars-prill, ku sipas ministres së Çështjeve Europiane, Maida Gorçeviç, deri më tani janë mbyllur 13 kapituj nga 33 në total.
Komente










