Donald Trump u paraqit si ndërmjetësi i madh, por që në ditët e para të mandatit të tij iu mbështet opsionit ushtarak. Nga Briri i Afrikës në Gjirin Persik, nga Lindja e Mesme në Karaibe e deri në Venezuelë. Veprime ndonjëherë të kufizuara, por në disa raste të thella dhe me pasoja rajonale.

Somalia

Në fillim të shkurtit 2025 – siç ka kujtuar Defense News – avionë amerikanë goditën objektiva të Shtetit Islamik në Somali, një komponent më i vogël në një realitet ku veprojnë edhe militantët e Al-Kaedës të Al Shabaab. Këta të fundit u bënë më pas objekt i inkursioneve të përsëritura.

Iraku

Në mes të marsit, ndërhyrja – sërish ajrore dhe me mbështetjen e inteligjencës – në Irak për të eliminuar Abdallah al Rifai, i cilësuar si një nga drejtuesit kryesorë të Kalifatit. Lëvizja, ndonëse e dobësuar dhe me një rrjet jo të krahasueshëm me të kaluarën, ka vazhduar të jetë kërcënim në shumë teatro.

Jemeni

Ndryshe ishte lëvizja e nxitur nga Shtëpia e Bardhë në pranverë. Duke nisur nga marsi dhe për disa javë, Pentagoni goditi me raketa “cruise” instalimet e Houthi-ve pro-iranianë në Jemen. Një përgjigje ndaj pritave “detare” të ngritura nga kjo fraksion kundër anijeve tregtare që kalonin Detin e Kuq.

Faza u mbyll në fillim të majit me një armëpushim të favorizuar nga ndërmjetësimi i Omanit. “The Donald” përdori tone entuziaste për të pretenduar një sukses të madh kundër armikut: municionet shkaktuan dëme, por nuk ndryshuan ndjeshëm situatën. Luftëtarët mbeten në kontroll të plotë dhe përbëjnë një rrezik të vazhdueshëm.

Irani

Goditjet në Gadishullin Arabik u interpretuan në dy drejtime: përpjekja për të frenuar kundërshtarin përgjatë një rruge ujore strategjike dhe dërgimi i një mesazhi sponsorit të Houthi-ve, Iranit. Një paralajmërim për atë që ndodhi më 22 qershor me operacionin Midnight Hammer, i besuar bombarduesve B-2 dhe raketave të reja “cruise”. Avionët hodhën superbombat GBU-57 mbi objektet bërthamore iraniane në Fordow dhe Natanz, ndërsa raketat u “rezervuan” për laboratorë të tjerë.

Ashtu si për çështjen e Jemenit, Trump pretendoi një sukses të madh të një ndërhyrjeje të zhvilluar paralelisht me luftën mes Izraelit dhe Iranit.

Vlerësimet për rezultatet janë të ndara:

Është e mundshme që programi bërthamor i ajatollahëve të jetë ngadalësuar për shkak të dëmeve.

Megjithatë, Republika Islamike ruan kapacitete dhe “dije” për të vazhduar.

Vetë presidenti, vetëm pak ditë më parë, nuk ka përjashtuar iniciativa të tjera ushtarake kundër iranianëve, si për të neutralizuar arsenalin raketor, ashtu edhe në mbështetje të protestave sociale.

Fronti mbetet i hapur, pavarësisht se Shtëpia e Bardhë ka folur shpesh për perspektiva dialogu.

Karaibet

Me shuarjen e përkohshme të zjarrit në Lindje, u ndez ai në “oborrin e shtëpisë” së Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni nisi ofensivën kundër trafikantëve të drogës në Karaibe dhe më pas në Paqësor: u shkatërruan rreth tridhjetë mjete lundruese të dyshuara për transport kokaine.

Një nismë e shoqëruar me presion ndaj Venezuelës së Nicolás Maduro-s, i akuzuar si bashkëpunëtor në kontrabandë. Në realitet, ishte fillimi i një manovre që, sipas synimeve amerikane, duhet të përfundojë me “ndryshim regjimi” në Karakas.

Siria

Angazhimet në Perëndim nuk e ndalën aktivitetin në fronte të tjera. Më 19 dhjetor, SHBA-të sulmuan Shtetin Islamik në Siri, si hakmarrje pas vrasjes së tre ushtarakëve.

Nigeria

Krejt ndryshe ishte lëvizja në Nigeri, ditën e Krishtlindjes, kur raketa “cruise” të lëshuara nga një njësi detare goditën zona veriore: objektivi ishin militantë xhihadistë. Një ndëshkim pas masakrave të pësuara nga komuniteti i krishterë.

Vëzhguesit kanë theksuar tre pika:

A) Objektiv i paqartë, pasoja të pasigurta. Në vendin e madh afrikan, masakra dhe dhuna kryhen nga grupe të ndryshme dhe viktimat nuk janë vetëm të krishterë.

B) Aksioni ka edhe një dimension të brendshëm: një mënyrë për të treguar angazhim ndaj asaj pjese të elektoratit që shqetësohet për persekutimet.

Venezuela

Hallka e fundit që iu shtua zinxhirit është sulmi i natës ndaj objektivave në Venezuelë, një përshkallëzim krahasuar me ndalimin e anijeve të narkotrafikut. Një zhvillim i pritur, pothuajse i paralajmëruar.

Zëra jozyrtarë kishin zbuluar një plan me disa faza. Faza 1 parashikonte fundosjen e mjeteve lundruese, ndërsa Faza 2 shënohej nga inkursione, edhe me komando, në territorin venezuelian.

Për ta zbatuar, Pentagoni ngriti një dispozitiv gjigant me aeroplanmbajtëse, njësi lëshuese raketash dhe të tjera të afta për të mbështetur zbarkime. Mes tyre edhe Ocean Trader, një anije që shërben si bazë për forcat speciale. Në Porto Riko u dislokuan avionë luftarakë F-35, avionë mbështetës të armatosur, dronë sulmues dhe mjete ajrore të përdorura nga njësi elitare, përfshirë ato të Regjimentit të 160-të të Aviacionit për Operacione Speciale, protagonist – bashkë me Navy Seals – i operacionit që çoi në vrasjen e Osama bin Ladenit në Pakistan.

Shtëpia e Bardhë, gjithashtu, ka autorizuar CIA-n për aktivitete “të fshehta” me qëllim destabilizimin e Venezuelës: në fakt, hapi i parë ishte sulmi ndaj një porti, i kryer nga një dron i shërbimit sekret./ Corriere della Sera