I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte politikani i njohur Dashamir Shehi me një karrierë 35-vjeçare në politikë, 6 herë deputet dhe 4 herë ministër e deri në zv.kryeministër. Ai rrëfeu në studion e “Rreze Dielli”, jetën e tij përtej kostumit të politikës dhe imazhit publik.
I njohur si një ndër politikanët më të thjeshtë dhe me sens humori të lartë, Dash Shehi siç e njohin miqtë, e nis bisedën duke treguar se modestia dhe thjeshtësia është avantazh për një politikan.
“Unë nuk kam ndërmend të ndryshoj më, dhe nuk kam as kohë t’a bëj”, tha ai teksa u pyet nga moderatorja për sekretin e thjeshtësisë së tij, duke shtuar se është munduar gjithmonë të thotë disa të vërteta me zë të lartë.
“Politikanët sot thonë një gjë të thjeshtë, në mënyrë të ngatërruar, ndaj zotësia e komunikuesit është thjeshtësia” shtoi ai gjatë bisedës, duke mos harruar të thoshte se sot politika botërore është thjeshtësi.
Në një rrëfim për momentin më të vështirë të karrierës së tij politike, ai tha se ka qenë viti 1997.
“Jam pishman që nuk qemë të zotë të ndalojmë atë fatkeqësi të madhe, dhe pamundësia jonë, për t’a ndaluar këtë të keqe do të na përndjeki deri kur të largohemi nga kjo punë”, tha ai.
Ndërsa i pyetur nga moderatorja për gëzimin më të madh ai tha: “Ka qenë momenti kur bëmë zgjedhjet e para pluralistë të vitit 1991, sepse kuptuam që po vinte liria”. I pyetur nëse ka menduar ndonjëherë të largohet nga politika gjatë karrierës së tij, ai tha se po.
”Nëse nuk jemi më të zotë, ky është një sinjal për t’u larguar dhe këto zgjedhje janë sfida e radhës” shtoi ai, duke theksuar se dita për të shkruajtur kujtime mbase ka ardhur.
I pyetur nga moderatorja sesi do donte që njerëzit t’a mbajnë mend kur të largohet nga politika, ai u shpreh: "Unë them se do më mbajnë mend për mirë si natyrë popullore, por nuk e kam vrarë shumë mendjen për këtë punë. Sa kohë je brenda një varke, nuk e ke shumë mendjen se çfarë mendojnë ata në breg, ndaj nuk e mendoj shumë opinionin e njerëzve."
Më pas Shehi foli për rininë, si pjesën më të bukur që ka patur mes miqsh.
“Nuk është se kujtojmë kohë të lumtura, se nuk kanë qenë të tilla” u shpreh Dashi, duke theksuar se ai me letra dikur ishte më i pasuri në atë kohë, por në fund doli më i varfëri se nuk i mori dot të gjitha pronat.
“Sot që jam në këtë moshë, kuptoj se ajo kohë që mendoja se ka qenë më e keqja, në fakt ka qenë më e mira vetëm se kishim rininë", nënvizoi ai, duke shtuar së nëse do ishte dhe njëherë 20 vjeç, do bënte një shkollë më të mirë se ajo që ka bërë, e dyta do kishte shëtitur botën në çdo skaj, për të ikur nga ai izolim dhe më pas do kthehej në vendin e tij.
”Uroj që sot të kthehen dhe fëmijët e mi, pasi të bëjnë dhe ata këtë xhiro, sepse studiojnë aktualisht në Gjermani”.
Vajza e tij ka studiuar matematikë, ndërsa djali për inxhinieri ndërtimi, ndërsa takohen 2-3 herë në vit, ku familja bashkohet.
”U them shpesh fëmijëve që nëse do gjejnë një punë të mirë në Shqipëri, të kthehen, pasi këtu ka diell, ka jetë dhe do doja të bëhesha gjysh që të kisha afër mbesat dhe nipat një ditë këtu” tha ai.
Më pasi Dashi tregoi se të shoqen, Enkeledën, e ka njohur kur ajo ishte nënpunëse tek pensionet, ndërsa ai ishte Ministër i Punës.
”Dallonte nga të tjerat për kulturë, për sjellje, për pamje, ndaj kur e pashë vendosa që ajo do ishte bashkëshortja ime”, tha ai, duke shtuar se shpesh ndihet në faj se për shkak të punës nuk i është përgjigjur familjes, për ta ka qenë e dedikuar vetëm fundjava, madje me shaka ai përmend dhe superbatutën e gruas së tij “Babi punon në Kosovë”, duke qeshur thotë se kështu i thoshte bashkëshortja fëmijëve kur ishin të vegjël.
Më pasi Dashi foli për një tentativë për t’u larguar nga Shqipëria pas vitit 1997, kur mendonte se do përshtatej, por një nënpunëse e ambasadës Kanadeze i kishte thënë se më mirë të mos e provonin, pasi këtu kishin çdo gjë që dëshironin dhe kështu e lanë planin e largimit. Sa i takon udhëtimeve, ai tha se më shumë se tre ditë jashtë Shqipërisë nuk ka ndenjur kurrë, pasi nuk i pëlqen stili i të jetuarit përtej kufijve.
”Nëse më pyesin sot për të bërë pushimet në Toskana, unë do zgjidhja Vlorën, pasi më ngjit më shumë”, tha ai.
Gjatë bisedës Dash Shehi u ndal dhe në marrëdhënien që ka me paranë, duke thënë se nuk ka qenë kurrë tahmaqar dhe se paratë i do vetëm për fëmijët e tij. Në fund të bisedës ai dha një mesazh për të gjithë të rinjtë që mendojnë të largohen nga Shqipëria një ditë: "Le të largohen, t’a provojnë njëherë, të shkojnë të shohin, studiojnë, punojnë e më pas të kthehen tek toka jonë, sepse nuk do gjejnë vend më të mirë se Shqipëria dhe se këtu ka nevojë vetëm për më shumë rregulla, më shumë shtet, pjesën tjetër na e ka dhënë Zoti."