Nga Tirana, te Kukësi, Dibra dhe Korça/ Njihuni me bashkitë shërbëtore dhe dembele

Nga Tirana, te Kukësi, Dibra dhe Korça/ Njihuni me bashkitë shërbëtore dhe dembele

Shqipëria është një vend me nevoja të mëdha sociale, por shumica e bashkive në vend nuk u shërbejnë këtyre grupeve. Të moshuarit e Korçës kanë më shumë mundësi të përdorin shërbimet në qarkun e tyre. Për të moshuarit në qarqet e Vlorës, Lezhës dhe Fierit, kjo mundësi është e kufizuar. Mundësia e fëmijëve në qarqet e Dibrës, Fierit dhe Kukësit është tërësisht e mohuar, për shkak të mungesës së plotë të tyre, në dallim nga fëmijët e Tiranës, të cilët kanë shumë shanse të përdorin shërbimet në qarkun e tyre. Rreth 31% e shërbimeve shoqërore janë të përqendruara në Qarkun e Tiranës, ndërsa numri më i vogël i shërbimeve (0,8%) ofrohet në Qarkun e Kukësit…

Tranzicioni demografik dhe barra e sëmundjeve i ka rritur shtresat vulnerabël. Popullsia e vendit po shkon drejt plakjes, 10% janë me aftësi të kufizuar, numri i fëmijëve për kujdes social po rritet dhe varfëria ekstreme është ende e pranishme. Kujdesi ndaj tyre është përgjegjësi ligjore e bashkive, por shumica e tyre nuk ofrojnë shërbime ndaj shtresave në nevojë.

Një studim i thelluar i Programit të Kombeve të Bashkuara (PNUD) studioi shërbimet sociale të bashkive, si ato janë përqendruar kryesisht pranë bashkive të mëdha dhe ende larg nevojës së qytetarëve për shërbime cilësore. Rreth 31% e shërbimeve shoqërore janë të përqendruara në Qarkun e Tiranës, ndërsa numri më i vogël i shërbimeve (0,8%) ofrohet në Qarkun e Kukësit.

Më dobët paraqitet Bashkia e Fierit, e cila ndonëse është e dyta më e madhe në vend, për nga popullsia dhe me nivelin më të lartë të të ardhurave për frymë pas Tiranës, ka shërbimet sociale thuajse inkzistente. 34% e bashkive të vendit (21 bashki) nuk ofrojnë asnjë shërbim. Nga këto, 43% janë bashki me popullsi mbi 20 000 banorë. Vetëm 7 bashki, ose 9% e bashkive, ofrojnë të gjitha shërbimet. 38 bashki ose 62% e të gjitha bashkive të vendit nuk kanë shërbime për të moshuar, 43 bashki, ose 71% e tyre, nuk kanë shërbime për fëmijë, 37 bashki ose 61% e bashkive nuk ofrojnë shërbime për individë me aftësi të kufizuara dhe 39 bashki ose 64% e tyre nuk ofrojnë shërbime për individë në nevojë.

Të moshuarit e Korçës, kanë më shumë mundësi të përdorin shërbimet në qarkun e tyre, për të moshuarit në Qarqet e Vlorës, Lezhës dhe Fierit, kjo mundësi është tejet e kufizuar. Mundësia e fëmijëve në qarqet e Dibrës, Fierit dhe Kukësit për të përfituar shërbime sociale është tërësisht e mohuar, për shkak të mungesës së plotë të tyre, në dallim nga fëmijët e Tiranës, të cilët kanë shumë mundësi të përdorin shërbimet në qarkun e tyre.
Individët me aftësi të kufizuara të Qarkut të Dibrës, nuk kanë asnjë mundësi që të përdorin shërbime në dallim nga fëmijët e Korçës, Gjirokastrës dhe Vlorës, të cilët kanë lehtësi në përdorimin e shërbimeve në qarqet e tyre.

Analiza gjeti se për shumicën e qarqeve të vendit, pesha specifike e të gjithë grupeve të përfituesve të shërbimeve sociale luhatet ndërmjet 0,01 dhe 1% të grup-popullsisë. Pabarazi të theksuara evidentohen në përfitimin e shërbimeve për individë me aftësi të kufizuara, përkatësisht nga 0% në Qarkun e Dibrës, në 3,5% të individëve në qarkun e Durrësit.

Ndërsa vlerësohet si mjaft kritik vlerësimi se për të rinjtë dhe të miturit në konflikt me ligjin, përveç trajtimit në institucionet e specializuara të sistemit të drejtësisë, nuk ekziston asnjë formë tjetër mbrojtjeje apo riintegrimi social. Me reformën e re territoriale që hyri, njësitë e reja të pushtetit vendor kanë kompetenca dhe autonomi financiare për të ofruar shërbime. Por mungesa e kapacitete dhe mungesa e administrimit të fondeve i lanë grupe në nevojë jashtë vëmendjes për shërbime.

BURIMI: PNUD

BURIMI: PNUD

Tirana, 50% e shërbimeve shkon për fëmijët
Qarku i Tiranës, si qarku më i madh i vendit, sipas treguesit të popullsisë, ofron shërbime sociale për 749,365 banorë, nga të cilët rreth 2/3 jetojnë në Bashkinë e Tiranës. Bashkia e Kamzës, bashkia e dytë më e madhe e qarkut, ofron 1/10 e shërbimeve që ofron Bashkia e Tiranës. Në dallim nga çdo qark i vendit, në Qarkun e Tiranës shërbimet për fëmijë zënë një peshë të konsiderueshme specifike, rreth 50%. Gjithsesi, kjo peshë e lartë i kushtohet kryesisht Bashkisë së Tiranës, në të cilën funksionojnë 32 qendra shërbimesh rezidenciale dhe komunitare për fëmijë. Ndonëse shërbime sociale ofrohen në çdo bashki të qarkut, vetëm në Tiranë ofrohen shërbime për të gjitha grupet në nevojë. Në Kamëz dhe Kavajë ofrohen për 3 nga 5 grupe, në Vorë për 2 nga 5 grupe, ndërsa në Rrogozhinë vetëm për një grup.

Analiza, sipas numrit mesatar të përfituesve për shërbim, dëshmon se individët në nevojë, pavarësisht nga lloji, nuk mund të përfitojnë shërbime në Bashkinë e Rrogozhinës. Individët me aftësi të kufizuara në Bashkitë Kamëz dhe Vorë nuk mund të përfitojnë shërbime në bashkinë e tyre, ndërsa në Bashkitë e Tiranë dhe Kavajës, ata kanë më shumë lehtësi. Ndërsa fëmijët në Bashkitë e Tiranës dhe Vorës kanë më shumë mundësi të përdorin shërbimet sociale se sa fëmijët në Bashkitë e Kavajës dhe Kamzës. Përveç Bashkisë Vorë, në të cilën të moshuarit kanë mundësi të përdorin shërbimet, në bashkitë e tjera të qarkut, mundësia e të moshuarve për të përdorur shërbime është tepër e kufizuar.

Në Qarkun e Tiranës, pesha specifike e grupeve përfituese sipas grup-popullsisë luhatet ndërmjet 0,21 dhe 4,24%. Në Bashkinë e Tiranës, ky tregues është ndërmjet 0,5 dhe 4,2%, çka tregon se shpërndarja e shërbimeve është e diferencuar. PNUD vlerësoi se në dallim nga çdo qark tjetër në vend, në atë të Tiranës, shërbimet për fëmijë zënë një peshë të konsiderueshme specifike, rreth 50%. Gjithsesi, kjo peshë e lartë i kushtohet kryesisht Bashkisë së Tiranës, në të cilën funksionojnë 32 qendra shërbimesh rezidenciale dhe komunitare.

Megjithatë, shërbimet për fëmijë, të llogaritura sipas numrit të banorëve, janë gjithashtu të larta edhe në Bashkinë e Vorës, ku funksionojnë 2 qendra për fëmijë. Individët në nevojë janë grupi që përfiton më shumë shërbime në Qarkun e Tiranës. Pesha specifike e tyre në krahasim me grup-popullsinë është 3% për qarkun, krahasuar me 1,3% të individëve me aftësi të kufizuara, 0,6% të të moshuarve dhe 0,6% të fëmijëve. Programet e strehimit social në Bashkinë e Tiranës kanë arritur të plotësojnë kërkesën për strehim për 36,5% të aplikantëve. Ndërsa në Bashkinë e Rrogozhinës nuk ofrohet asnjë shërbim shoqëror.

Durrësi, vëmendja shkon për personat me aftësi të kufizuar
Qarku i Durrësit, qarku i katërt për nga popullsia, ofron shërbime sociale për 262 785 banorë, nga të cilët rreth 67% jetojnë në Bashkinë e Durrësit. Bashkia e Durrësit ofron 78% të shërbimeve të qarkut, ndërsa Bashkia e Krujës, bashkia e dytë më e madhe e qarkut, ofron 17% të shërbimeve të qarkut.

Vetëm 3 lloj shërbimesh nga 5 që ofrohen në Shqipëri, ofrohen në bashkitë e Qarkut e Durrësit, nga të cilat 45% janë shërbime për fëmijë. Ndonëse shërbime sociale ofrohen në çdo bashki të qarkut, në Durrës ato ofrohen për katër grupe, në Krujë për 3 grupe, ndërsa në Shijak ofrohen shërbime vetëm për individë me aftësi të kufizuar. Analiza sipas numrit mesatar të përfituesve për shërbim dëshmon se, individët në nevojë, me përjashtim të atyre me aftësi të kufizuara, nuk mund të përfitojnë shërbime në Bashkinë e Shijakut. Individët me aftësi të kufizuara në Bashkinë e Shijakut dhe Krujës kanë më shumë mundësi që të përfitojnë shërbime në bashkitë e tyre, se sa individët me të njëjtën nevojë, në Bashkinë Durrës. Fëmijët në Bashkinë e Krujës kanë më shumë mundësi të përdorin shërbimet sociale në krahasim me fëmijët në Durrës.

Të moshuarit si në Bashkinë e Durrësit, ashtu edhe në Bashkinë e Krujës kanë thuajse të njëjtën mundësi që të përdorin shërbime.
Ndonëse shërbimet për fëmijë zënë rreth 50% të totalit, përfituesit “fëmijë” përbëjnë 35% të totalit të përfituesve. Individët me aftësi të kufizuara janë grupi që përfiton më shumë shërbime në Qarkun e Durrësit, nëse krahasohet numri i përfituesve me grupin e popullsisë përkatëse. Pesha specifike e tyre në krahasim me grup-popullsinë është 3,5% për qarkun, krahasuar me 0,9% të fëmijëve dhe 1,1% të të moshuarve. Programet e strehimit social në Bashkinë e Durrësit kanë arritur të plotësojnë kërkesën për strehim për 400 familje, por numri i aplikantëve nuk është i qartë. Në dy bashkitë e tjera, ky program nuk është zbatuar ende. Vetëm në Durrës ofrohen shërbime sociale për gratë, ndërsa në asnjë nga bashkitë e qarkut nuk ofrohen shërbime për individët në nevojë.


Qarku i Gjirokastrës, shërbimet për të moshuarit

Qarku i Gjirokastrës, tejet i prekur nga emigracioni, përbëhet nga 7 bashki, të cilat ofrojnë shërbime për 71 471 banorë. Bashkia e Gjirokastrës ofron 67% të shërbimeve të qarkut, ndërsa Bashkia Memaliaj, bashkia e dytë më e madhe e qarkut dhe me popullsi sa 40% e popullsisë së Gjirokastrës, nuk ofron asnjë shërbim.

Vetëm 4 lloje shërbimesh, nga 5 shërbime që ofrohen gjithsej në Shqipëri, ofrohen në bashkitë e Qarkut e Gjirokastrës, nga të cilat 33% janë shërbime për të moshuar dhe po aq shërbime për individë me aftësi të kufizuara. Analiza, sipas numrit mesatar të përfituesve për shërbim dëshmon se, individët me aftësi të kufizuara në Bashkinë e Tepelenës kanë lehtësi në përdorimin e shërbimeve sociale. Gjithashtu, edhe në Bashkinë e Gjirokastrës, individët me aftësi të kufizuara kanë mundësi të përdorin shërbime sociale, ndërsa në bashkitë e tjera, kjo mundësi nuk ekziston.

Të moshuarit në Bashkinë e Libohovës do të kishin mundësi të përdornin shërbime, nëse qendra do të vihej në funksionim. Fëmijët si dhe individët në nevojë, përveçse në Bashkinë e Gjirokastrës, nuk mund të përfitojnë shërbime në bashki të tjera të qarkut. Analiza konfirmon se në Qarkun e Gjirokastrës, si dhe në vetë Bashkinë e Gjirokastrës, pesha specifike e grupeve përfituese sipas grup-popullsisë luhatet ndërmjet 0,31 dhe 14,75%.
Nga 7 bashkitë e qarkut, vetëm 3 ofrojnë shërbime sociale, përkatësisht Bashkitë e Gjirokastrës, Tepelenës dhe Libohovës (kur qendra të vihet në funksionim). Bashkitë Përmet, Memaliaj, Dropull dhe Këlcyrë nuk ofrojnë asnjë shërbim.

Në Qarkun e Gjirokastrës ofrohen 4 nga 5 shërbime sociale dhe vetëm në Bashkinë e Gjirokastrës ofrohen të gjitha. Bashkia e Tepelenës ofron vetëm shërbime për individë me aftësi të kufizuara, ndërsa Bashkia e Libohovës do të ofrojë shërbime vetëm për të moshuar, atëherë kur qendra e sapo ndërtuar do të vihet në përdorim. Veçanërisht kritike është situata në Memaliaj, e cila është bashkia e dytë më e madhe e qarkut, me numrin më të lartë të familjeve në ndihmë ekonomike, ndërsa shërbimet mungojnë tërësisht. Gjithashtu, kritike është situata në Bashkinë e Tepelenës, bashki me probleme sociale dhe ekonomike. Bashkia e Libohovës ka mundësi të ofrojë shërbime sociale të përshtatshme për të moshuar, por qendra duhet të vihet në funksionim. Vetëm 14,8% e individëve në nevojë përfitojnë shërbime sociale në Bashkinë e Gjirokastrës, ndërsa në bashkitë e tjera të qarkut, shërbime të tilla nuk ofrohen. Programet e strehimit social nuk funksionojnë në asnjë nga bashkitë e Qarkut të Gjirokastrës.

Lezha dhe Mirdita ofrojnë shërbime, Kurbini jo
Qarku i Lezhës përbëhet nga 3 bashki, të cilat ofrojnë shërbime për 134 027 banorë. Bashkia e Lezhës ofron 72% të shërbimeve të qarkut, ndërsa Bashkia e Kurbinit, bashkia e dytë më e madhe e qarkut dhe me popullsi sa 75% e popullsisë së Lezhës, ofron vetëm 6% të shërbimeve.
Të gjitha llojet e shërbimeve ofrohen në bashkitë e Qarkut të Lezhës, nga të cilat 67% janë shërbime për individë në nevojë.

Analiza, sipas numrit mesatar të përfituesve për shërbim dëshmon se, individët me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit në Bashkinë e Lezhës kanë mundësi të përdorin shërbime sociale në bashkinë e tyre, që nuk ekzistojnë për këto grupe në dy bashkitë e tjera. Fëmijët në Bashkinë e Mirditës kanë shumë më tepër mundësi se sa fëmijët në Bashkinë e Lezhës dhe fëmijët me aftësi të kufizuara kanë më shumë mundësi se sa fëmijët në Bashkinë e Kurbinit, për të përdorur shërbime në bashkitë e tyre.

Analiza konfirmon se në Qarkun e Lezhës, pesha specifike e grupeve përfituese sipas grup-popullsisë luhatet ndërmjet 0,1 dhe 38,8%. Ky diferencim i thellë është rrjedhojë e numrit të madh të përfituesve të shërbimit të strehimit social si në Bashkinë e Lezhës, ashtu edhe në Bashkinë e Kurbinit.
Në Bashkinë e Lezhës ofrohen të gjitha shërbimet sociale, në Bashkinë e Mirditës vetëm 3 nga 5 shërbime, përkatësisht për “Fëmijë”, “Individë me aftësi të kufizuara” dhe “Në nevojë”, ndërsa në Kurbin ofrohet vetëm një lloj shërbimi, shërbim për fëmijë jashtë kujdesit prindëror. Megjithatë, numri i përfituesve është më i ulët sepse kapacitetet e shërbimeve janë të kufizuara, sidomos kapacitetet e shërbimeve për fëmijë dhe të moshuar.

Në Bashkitë e Lezhës dhe të Kurbinit, rreth një të tretat e të pastrehëve kanë përfituar mbështetje nëpërmjet strehimit social. Bashkia e Mirditës trajton me ndihmë ekonomike thuajse një të katërtën e popullsisë. Në përgjithësi, numri mesatar i banorëve për çdo shërbim, si dhe përqindja e përfituesve në çdo bashki, edhe atje ku këto shërbime ofrohen, është shumë e ulët.


Bashkitë e Qarkut të Beratit nuk shërbejnë për të moshuarit

Qarku i Beratit përbëhet nga 5 bashki, të cilat ofrojnë shërbime për 141 944 banorë. Bashkia e Beratit ofron 4 lloje shërbimesh ose 60% të shërbimeve të qarkut, ndërsa Bashkia e Kuçovës, popullsia e së cilës është sa 50% e Beratit, ofron shërbime sa një e pesta e shërbimeve të ofruara në Bashkinë e Beratit. Bashkitë e Skraparit dhe Urës Vajgurore, ndonëse me popullsi të konsiderueshme, sidomos Bashkia Ura Vajgurore, ofrojnë shërbime përkatësisht vetëm për “Individë me aftësi të kufizuara” dhe “Në nevojë”. Të dhënat tregojnë se 27,43% e shërbimeve të ofruara janë shërbime për “Individë me aftësi të kufizuara”, ndërsa shërbimet për “Fëmijë” përbëjnë 7% të totalit.

Analiza, sipas numrit mesatar të përfituesve për shërbim dëshmon se, individët me aftësi të kufizuara në Bashkitë e Beratit dhe Skraparit kanë mundësi të përdorin shërbime sociale në bashkitë e tyre, të cilat janë të kufizuara për banorët e Kuçovës, ndërsa nuk ekziston për banorët e Poliçanit dhe Urës Vajgurore. Fëmijët kanë mundësi, ndonëse të kufizuara, që të përdorin shërbime vetëm në Bashkinë e Beratit, që nuk ekzistojnë për fëmijët e bashkive të tjera. Të moshuarit kanë mundësi të përdorin shërbime vetëm në Bashkitë e Beratit dhe Poliçan, ndonëse për të moshuarit e Bashkisë e Beratit këto mundësi janë më të kufizuara.

Në Bashkinë e Beratit ofrohen 4 nga 5 shërbimet e mundshme dhe mungojnë shërbimet për gratë në nevojë. Në Bashkitë e Kuçovës dhe Poliçanit ofrohen vetëm dy lloje shërbimesh, përkatësisht për “Individë me aftësi të kufizuara” dhe “Në nevojë”, në Kuçovë dhe për të “Moshuar” dhe “Individë në nevojë”, në Bashkinë e Poliçanit.

Në Bashkitë Skrapar dhe Ura Vajgurore ofrohen shërbime përkatësisht vetëm për “Individë me aftësi të kufizuara” dhe “Individë në nevojë”. Bashkia e Urës Vajgurore, ndonëse ka një qendër shërbimesh shumëfunksionale, nuk e ka vënë ende në përdorim. Kritike është situata e të moshuarve, për të cilët ofrohen shërbime tepër të kufizuara vetëm në 2 bashki, për rrjedhojë vetëm 0,7% e të moshuarve të qarkut, përfitojnë shërbime.

Gjithashtu, kritike është edhe situata e fëmijëve në nevojë, për të cilët ofrohen disa shërbime vetëm në Bashkinë e Beratit. Veçanërisht e vështirë konsiderohet situata ekonomike dhe sociale në Bashkinë e Skraparit, e cila edhe pse ka një popullsi sa një pestat e Bashkisë së Beratit, ka numër thuajse të njëjtë përfituesish të ndihmës ekonomike, ndërsa shërbimet shoqërore për individë në nevojë në këtë bashki, nuk ekzistojnë.

Vetëm 3% e individëve në nevojë përfitojnë shërbime sociale në Qarkun e Beratit, ndërsa në Bashkitë Ura Vajgurore dhe Skrapar, këto shërbime nuk ekzistojnë. Në përgjithësi, numri mesatar i banorëve për çdo shërbim si edhe përfituesit në përqindje në çdo bashki, edhe atje ku këto shërbime ofrohen, është shumë i ulët. Programi i strehimit social funksionon vetëm në Bashkinë e Kuçovës.

Dibra, qarku më i varfër për shërbime, jashtë fokusit shtresat në nevojë
Qarku i Dibrës përbëhet nga 4 bashki, të cilat ofrojnë shërbime për 137 047 banorë. Qarku i Dibrës është qarku më i varfër i vendit sa i takon ofrimit të shërbimeve sociale. Në të gjithë qarkun ofrohen vetëm dy lloje shërbimesh, përkatësisht për të “Moshuar” në Bashkitë e Dibrës dhe Matit, si dhe për “Individë në nevojë” në Bashkinë e Matit. Në Bashkitë Bulqizë dhe Klos nuk ofrohet asnjë lloj shërbimi.

Analiza, sipas numrit mesatar të përfituesve për shërbim dëshmon se, vetëm të moshuarit dhe vetëm në Bashkitë e Dibrës dhe Matit mund të përdorin shërbime në bashkinë e tyre, ndonëse mundësia e të moshuarve për të përdorur shërbime në Bashkinë e Dibrës është më e kufizuar. Fëmijët dhe individët me aftësi të kufizuara nuk kanë asnjë mundësi të përdorin shërbime në bashkitë e tyre, sepse këto shërbime nuk ekzistojnë.
Ndërsa analiza sipas treguesit 2 konfirmon se në Qarkun e Dibrës, pesha specifike e grupeve përfituese sipas grup-popullsisë luhatet ndërmjet 0,2 dhe 8,3%. Kjo e fundit u takon përfituesve të mbështetjes nëpërmjet programit të strehimit social.

Veçanërisht kritike është situata e përfituesve të ndihmës ekonomike në të gjitha bashkitë e qarkut (ndonëse të dhënat e Bulqizës mungojnë), për të cilët nuk ofrohet asnjë shërbim. Shërbimet mungojnë për të gjitha grupet e tjera, ndonëse ekzistojnë raste të fëmijëve të shfrytëzuar apo grave të dhunuara. Në Mat, funksionojnë dy qendra komunitare për individë në nevojë por evidenca nuk pasqyron se sa është numri i përfituesve. Programi i strehimit social ka siguruar mbështetje kryesisht në Bashkinë e Klosit, si edhe disa raste në Bashkinë e Matit. Qarku i Dibrës është qarku më i varfër i vendit sa i takon ofrimit të shërbimeve sociale.


82% e shërbimeve në Elbasan, të tjerat e qarkut thuajse zero

Qarku i Elbasanit, qarku i tretë i vendit për nga popullsia, përbëhet nga 7 bashki, të cilat ofrojnë shërbime për 295 827 banorë. Megjithatë, 82% e shërbimeve të qarkut ofrohen në Bashkinë e Elbasanit, ku banon 48% e popullsisë. Ndonëse në qark ofrohen të gjitha shërbimet (5 llojet), në Bashkitë e Gramshit, Belshit dhe Peqinit nuk ofrohet asnjë shërbim. Pesha specifike e shërbimeve për të moshuar është më e larta me 36% të totalit, ndërsa pesha specifike e shërbimeve për gratë në nevojë është më e ulëta me 11%.

Analiza, sipas numrit mesatar të përfituesve për shërbim dëshmon se, individët me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit në Bashkitë e Elbasanit dhe Librazhdit kanë mundësi të kufizuara të përdorin shërbimet në qarkun e tyre, ndërsa në bashkitë e tjera të qarkut, kjo mundësi nuk ekziston. Fëmijët kanë mundësi tejet të kufizuara që të përdorin shërbime në bashkitë e tyre në Elbasan dhe në Cërrik, ndërsa fëmijët e bashkive të tjera nuk kanë mundësi të përdorin shërbime. Nga 7 bashkitë e qarkut, vetëm 4 ofrojnë shërbime sociale. Shërbimet për individët në nevojë përbëjnë 36% të të gjithë shërbimeve të qarkut. 80% e shërbimeve për individët në nevojë ofrohen në Bashkinë e Elbasanit. Konstatohen pasaktësi me informacionin sepse numri i përfituesve të shërbimeve në Bashkinë e Elbasanit thuajse mungon, gjë që ndikon në pasaktësinë e informacionit për “Përfituesit e shërbimeve sipas grup-popullsisë.

Kukësi shërben të moshuarit, Hasi dhe Tropoja zero shërbime
Qarku i Kukësit përbëhet nga 3 bashki, të cilat ofrojnë shërbime për 85 292 banorë. Ndonëse është një qark në të cilin problemet ekonomike dhe sociale janë kritike, shërbimet shoqërore për grupet në nevojë janë tejet të kufizuara. Të vetmet shërbime ofrohen në Bashkinë e Kukësit dhe ato janë vetëm për të “Moshuar” dhe “Individë me aftësi të kufizuara”. Në dy bashkitë e tjera, Tropojë dhe Has, nuk ofrohet asnjë shërbim.

Analiza, sipas peshës specifike të shërbimeve, nuk është efektive për shkak të numrit tepër të kufizuar të shërbimeve, si dhe grupeve përfituese. Analiza sipas numrit mesatar të përfituesve për shërbim dëshmon se përveç individëve me aftësi të kufizuara dhe të moshuarve në Bashkinë e Kukësit, asnjë grup tjetër në nevojë nuk mund të përdorë shërbime sociale, as në Kukës dhe as në dy bashkitë e tjera. Nga 3 bashkitë e qarkut, vetëm në Kukës ofrohen shërbime sociale. Ndonëse numri i përfituesve të ndihmës ekonomik është shumë i lartë, në të tre bashkitë nuk ofrohen shërbimet për individët. Vetëm 1,3% e të moshuarve dhe 0,6% e individëve me aftësi të kufizuara përfitojnë shërbime sociale.

Korça, fokusi tek aftësia e kufizuar dhe pleqtë, bashkitë e vogla nuk shërbejnë
Qarku i Korçës, qarku i katërt nga popullsia, përbëhet nga 6 bashki, të cilat ofrojnë shërbime për 220 357 banorë. Megjithatë, 76% e shërbimeve të qarkut ofrohen në Bashkinë e Korçës, aty ku banon 34% e popullsisë. Ndonëse në qark ofrohen të gjitha shërbimet (5 llojet), ato ofrohen vetëm në Bashkinë e Korçës. Në Bashkitë e Devollit, Maliqit dhe Pustecit, nuk ofrohet asnjë shërbim.
Në Pogradec, në të cilin jeton 28% e popullsisë, ofrohen 3 lloje shërbimesh, përkatësisht për të “Moshuar”, “Individë në nevojë”, si dhe “Individë me aftësi të kufizuara”. Pesha specifike e shërbimeve për “Individë në nevojë” është më e larta, me 32%, ndërsa pesha specifike e shërbimeve për “Gratë në nevojë” është më e ulëta, me 8%.

Analiza, sipas numrit mesatar të përfituesve për shërbim tregon se, fëmijët kanë më shumë mundësi të përdorin shërbime në bashkinë e tyre në Kolonjë, në krahasim me fëmijët e Bashkisë së Korçës, ndërsa për fëmijët e bashkive të tjera, kjo mundësi nuk ekziston. Të moshuarit kanë më shumë mundësi të përdorin shërbime në bashkinë e tyre në Korçë, në krahasim me “të Moshuarit” e Bashkisë së Pogradecit, ndërsa për të moshuarit e bashkive të tjera, kjo mundësi nuk ekziston.

Individët me aftësi të kufizuara kanë thuajse të njëjtat mundësi që të përdorin shërbime në bashkitë e tyre, në Korçë dhe Pogradec, ndërsa për individët me aftësi të kufizuara në bashkitë e tjera të qarkut, kjo mundësi nuk ekziston. Analiza konfirmon se në Qarkun e Korçës, pesha specifike e grupeve përfituese sipas grup-popullsisë luhatet ndërmjet 0,28 dhe 6,4%. Individët me aftësi të kufizuara janë grupi që përfitojnë më shumë shërbime, 2,6% e tyre. 4.0,1% e fëmijëve përfitojnë shërbime sociale në bashkitë e Qarkut Korçë.

Vlora shërben për gratë në nevojë
Qarku i Vlorës përbëhet nga 7 bashki, të cilat ofrojnë shërbime për 175 640 banorë. Megjithatë, 55% e shërbimeve të qarkut ofrohen në Bashkinë e Vlorës, në të cilën banon 60% e popullsisë. Në përgjithësi, shërbimet në këtë qark janë të kufizuara. Në 3 bashki nuk ofrohet asnjë shërbim. Në Bashkinë e Vlorës, e cila është bashkia më e madhe e qarkut, ofrohen 3 lloje shërbimesh, për fëmijë, individë në nevojë, si dhe për individë me aftësi të kufizuara. Pesha specifike e shërbimeve për “Individë me aftësi të kufizuara” dhe “Gra në nevojë” është më e larta, me 25% të totalit, ndërsa pesha specifike e shërbimeve për “Të moshuar” është më e ulëta, me 13%.

Analiza, sipas numrit mesatar të përfituesve për shërbim dëshmon se, ndonëse shërbimet për fëmijë ofrohen në Bashkinë e Vlorës, mundësia e tyre për të përdorur këto shërbime është tepër e kufizuar, sepse kapaciteti i shërbimeve është i pamjaftueshëm. Fëmijët në bashki të tjera të qarkut, me përjashtim të Bashkisë së Sarandës në të cilën mundësia e përdorimit të shërbimeve për fëmijë është e moderuar, nuk mund të përdorin shërbime, sepse ato nuk ekzistojnë në bashkitë e tyre. Të moshuarit në Himarë dhe Sarandë kanë mundësi të përdorin shërbime në bashkitë e tyre, ndërsa të moshuarit në bashki të tjera nuk mund të përdorin shërbime. Individët me aftësi të kufizuara kanë lehtësi në përdorimin e shërbimeve në bashkinë e tyre në Sarandë, mundësi më të kufizuara në Bashkinë e Vlorës, ndërsa në bashkitë e tjera, kjo mundësi nuk ekziston.

Analiza konfirmon se në Qarkun e Vlorës, ky tregues luhatet ndërmjet 0,09 dhe 3,69%. Diferenca relativisht e ngushtë, nuk tregon domosdoshmërisht se shpërndarja e shërbimeve është e barabartë. Kjo vlerë do të interpretohej në këtë mënyrë, nëse shërbimet do të ishin të shumta dhe të larmishme. Diferenca e ngushtë i dedikohet më tepër nivelit të varfër të shërbimeve. Në Bashkinë e Vlorës, e cila është bashkia më e madhe e qarkut, ofrohen 3 lloje shërbimesh, përkatësisht për fëmijë, individë në nevojë dhe për individë me aftësi të kufizuara. Individët me aftësi të kufizuara janë grupi që përfitojnë më shumë shërbime, 2,2% e tyre. 5. 0,1% e fëmijëve dhe 0,3% e të moshuarve përfitojnë shërbime sociale.


Fier, qarku i dytë më i madh, shërbime sa për të larë gojën

Qarku i Fierit, qarku i dytë më i madh i vendit, përbëhet nga 6 bashki, të cilat duhet të ofrojnë shërbime sociale për 310,331 banorë. Megjithatë, Qarku i Fierit është qarku me shërbimet më të pakta në numër dhe në tipologji.

Ndonëse ofrohen katër lloje shërbimesh, përkatësisht për të “Moshuar”, “Individë me aftësi të kufizuara”, “Gra” si dhe “Individë në nevojë”, kapaciteti i tyre është tejet i kufizuar. Bashkia e Fierit, në të cilën jeton rreth 40% e popullsisë së qarkut, ofron 60% të shërbimeve të të gjithë qarkut. Në Bashkitë e Patosit, Divjakës dhe Mallakastrës nuk ofrohet asnjë shërbim. Në asnjë nga bashkitë e qarkut nuk ofrohen shërbime për fëmijë. Në këto shërbime dominojnë shërbimet për individët në nevojë.

Analiza konfirmon se mundësia e qytetarëve në nevojë, përkatësisht e të moshuarve në Bashkinë e Fierit, si dhe e individëve me aftësi të kufizuara në Bashkitë e Fierit dhe Lushnjës, për të përfituar shërbime në bashkitë e tyre, është tejet e kufizuar. Për grupe të tjera në nevojë, kjo mundësi nuk ekziston, pavarësisht nga bashkia në të cilën ata jetojnë. Ky tregues qëndron ndërmjet 0,33 dhe 3,28%. Ashtu, si dhe në rastin e bashkive të Qarkut të Vlorës, diferenca relativisht e ngushtë, nuk tregon domosdoshmërisht se shpërndarja e shërbimeve është e barabartë.

Në Qarkun e Fierit ofrohen katër lloje shërbimesh, përkatësisht për të “Moshuar”, “Gra”, “Individë me aftësi të kufizuara” si dhe “Individë në nevojë”. Në dy nga gjashtë bashkitë e qarkut, përkatësisht në Bashkitë e Patosit dhe Mallakastrës nuk ofrohet asnjë shërbim. Shërbimet për fëmijë mungojnë krejtësisht në të gjitha bashkitë e qarkut, ndonëse është qarku i dytë më i madh i vendit. Individët në nevojë përfitojnë shërbime sociale. Ky është edhe grupi më i konsideruar. 33% e individëve në nevojë në Bashkinë e Fierit si dhe 10% e tyre në rang qarku, përfitojnë shërbime sociale.

Shkodra, fokusi tek të varfrit
Qarku i Shkodrës përbëhet nga 5 bashki, të cilat duhet të ofrojnë shërbime për 215 347 banorë. Në këtë qark ofrohen të gjitha llojet e shërbimeve në të gjitha bashkitë. Bashkia e Shkodrës, në të cilën jeton rreth 63% e popullsisë së qarkut, ofron 81% të shërbimeve të të gjithë qarkut.
Shërbimet për individët në nevojë përbëjnë pjesën më të madhe të shërbimeve, me 40% të totalit, ndërsa shërbimet për gratë në nevojë, përbëjnë pjesën më të vogël, me vetëm 2%.

Individët me aftësi të kufizuara kanë mundësi të përdorin shërbimet në Bashkitë e Shkodrës, Vaut të Dejës dhe Malësisë së Madhe, ndërsa individët me aftësi të kufizuara që jetojnë në Bashkitë e Pukës dhe Fushë-Arrëzit nuk kanë mundësi të përdorin shërbime në bashkitë e tyre. Të moshuarit kanë mundësi të kufizuara për të përdorur shërbimet në bashkitë e tyre në Shkodër dhe Vau i Dejës, ndërsa nuk kanë asnjë mundësi në bashkitë e tjera. Fëmijët kanë më shumë mundësi që të përfitojnë shërbime në Bashkinë e Fushë-Arrëzit, kanë më pak mundësi në Shkodër dhe nuk kanë asnjë mundësi në bashkitë e tjera.

Çfarë duhet ndryshuar
Programi i Kombeve të Bashkuara për Shqipërinë, pasi analizoi dhe gjeti një situatë të dobët të ofrimit të shërbimeve për shtresat në nevojë në bashkitë në të gjithë vendin rekomandoi reforma për përmirësimin e situatës në tre drejtime kryesore.

Së pari, rritja e efektivitetit të politikave ekzistuese të kujdesit shoqëror nëpërmjet monitorimit të shërbimeve sociale ekzistuese, si dhe përmes zbatimit të standardeve të cilësisë së tyre, duke ndikuar në institucionalizimin e ofertës për shërbime sociale.

Së dyti, ndërtimi i një metodologjie të qëndrueshme dhe shkencore për të vlerësuar në mënyrë të vazhdueshme nevojën për shërbime sociale, duke ndikuar në këtë mënyrë në institucionalizimin e vlerësimit të kërkesës/nevojës, e cila duhet të udhëheqë zhvillimin e ofertës.

Së treti, propozimi i skemës teknike për vlerësimin e nevojës për shërbime sociale si dhe hapat për realizimin e saj mbështetur në misionin e shërbimeve sociale në lidhje me përmirësimin e sistemit ekzistues. Rekomandimet vlerësojnë se legjislacioni ekzistues duhet të rishikohet dhe plotësohet sidomos në drejtim të krijimit të kushteve për ofrimin e të gjitha shërbimeve të nevojshme si dhe të reflektimit të nevojave të reja sociale.

Gjithashtu, kërkohet rishikimi i “Ligjit mbi Statistikat” me qëllim që treguesit e nevojshëm për të vlerësuar nevojën për shërbime sociale, të jenë pjesë e sistemit administrativ të të dhënave. Ndërsa planet sociale, sipas metodologjisë të miratuar nga Shërbimi Social Shtetëror duhet të përgatiten në të gjitha bashkitë e vendit. Gjithashtu, shërbimet shoqërore në përputhje me vlerësimin e nevojës duhet të ngrihen në çdo bashki, sidomos në ato bashki në të cilat nuk ofrohet asnjë shërbim shoqëror. Ndërsa për bashkitë në të cilat rezulton se mundësia e përdorimit të shërbimeve është tepër e kufizuar për shkak të kapacitetit të pamjaftueshëm, duhet të shihet mundësia e harmonizimit dhe e plotësimit të nevojës në bashkitë më të afërta/ Monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë