Ulja e TVSH-së në 6% për 54 produktet e shportës ushqimore është një premisë pozitive për qytetarët, por sfida mbetet që kjo ulje të reflektohet edhe në çmimet që paguajnë konsumatorët. Kështu u shpreh ish-ministri i Financave, Arben Malaj, në një intervistë për emisionin “Sot Live” në Shqipëri, ku diskutoi paketën fiskale 2027 dhe projektbuxhetin prej 10 miliardë eurosh të prezantuar nga kryeministri Edi Rama.

Malaj tha se ulja e TVSH-së është një masë që përfshin të gjithë qytetarët, ndërsa theksoi se ndikimi i saj do të varet nga mënyra se si do të zbatohet në hallkat e tregut.

“Varet nga hallkat e zinxhirit. Ulja e TVSH-së krijon një premisë pozitive. Buxheti duhet të ketë fytyrë sociale, sepse paraja që u jepet të varfërve qarkullon më shpejt në ekonomi dhe kthen të ardhura në buxhet. Sfida është të shohim që kjo ulje do të shkojë te grupi i targetuar. E kemi provuar të ulim TVSH-në për arsimin dhe nuk shkonte plotësisht te çmimet përkatëse. Është një ulje e madhe për të gjithë. Nuk është politikë sociale e targetuar, por një ulje që do të shkojë te të gjithë shqiptarët”, tha Malaj.

Duke folur për buxhetin e vitit 2027, i cili pritet të kalojë në komisionet parlamentare dhe më pas të votohet në Kuvend, ish-ministri theksoi se më shumë rëndësi se vlera e tij kanë objektivat ekonomikë dhe socialë.

“Fakti që kryeministri e konverton buxhetin në euro ka të bëjë me faktin që euro është e dobët. Çdo shifër e buxhetit duhet të jetë në lekë. Patjetër që buxheti rritet, sepse rritet ekonomia. Në vend që të fokusohemi te kjo lojë shifrash, duhet të fokusohemi tek objektivat. Buxheti duhet të mbështesë rritjen ekonomike, reduktimin e varfërisë dhe shtimin e të ardhurave në buxhet. Rritja ekonomike sjell rritje të punësimit, një element bazë për të reduktuar varfërinë. E treta është stabiliteti i financave publike. Buxheti ka ardhur duke ulur borxhin”, u shpreh ai.

Sa i përket synimit të qeverisë për të zbatuar parimin që kush fiton më shumë të paguajë më shumë, Malaj theksoi rwndwsinw e bashkëpunimit me biznesin.

“Buxheti është politikë. Këtë vit po bashkëngjitet paketa fiskale me buxhetin. Kryeministri thotë se duam më shumë biznese, por politikat e qeverisë ndikojnë te bizneset. Nëse ata janë të shqetësuar se nuk janë pyetur, një pjesë e këtyre kërkesave duhen marrë parasysh. Nëse kemi një ambicie të qeverisë që nuk transmetohet nga biznesi në ekonominë reale, objektivat e qeverisë vështirësohen”, tha Malaj.

Ish-ministri komentoi edhe shqetësimet e Shoqatës Shqiptare të Turizmit për rritjen e TVSH-së në strukturat akomoduese, duke sugjeruar dialog mes qeverisë dhe përfaqësuesve të sektorit.

“Turizmi dhe ndërtimi janë dy nga sektorët që mbështesin më shumë rritjen ekonomike. Një sektor që prodhon dhe ka amortizuar mosrritjen në sektorët e tjerë duhet parë me kujdes. Po të ketë një negociatë mes qeverisë dhe shoqatës, mund të ketë një spostim në kohë të hyrjes në fuqi, që të mos ketë dëmtim të aftësive konkurruese për shkak të politikave agresive të rajonit”, përfundoi Malaj.