Përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri kanë zhvilluar një vizitë në Lezhë, me qëllim njohjen e kësaj zone përtej bregdetit dhe zhvillimeve ekonomike.

Të shoqëruar nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ata u pritën nga kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu. Gjatë qëndrimit, delegacioni vizitoi qytetin antik si dhe vendvarrimin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Duke folur për këtë vizitë, ministri Hoxha u shpreh se ajo shërben për t’i prezantuar trupit diplomatik një tjetër dimension të Shqipërisë, përtej turizmit bregdetar. Ai theksoi se një pjesë e diplomatëve ishin për herë të parë në zonat e Shkodrës dhe Lezhës, duke shprehur bindjen se kjo eksperiencë do të ndikojë në rikthimin e tyre dhe në forcimin e urave të bashkëpunimit.

“Gjatë kësaj fundjave, ky është stacioni i fundit por jo më pak i rëndësishmi. Jam shumë mirënjohës që jam këtu. E filluam në Shkodër, shkuam në Tamarë, në Lepushë dhe në Razëm. Ishte e rëndësishme t’u tregonim përfaqësuesve diplomatikë një pjesë tjetër të Shqipërisë, ku natyra dhe zhvillimi janë harmonizuar në mënyrë të shkëlqyer dhe të mos ngelemi vetëm në imazhin e Shqipërise me plazhet por edhe tek Alpet. Unë vij vetë nga ajo zonë dhe duhej të tregonim mikëpritjen, ngjyrat tona dhe pasuritë tona kulturore. Miqtë tanë kanë qenë të surprizuar. Jam i sigurt që jo vetëm do të kthehen por me të gjithë miqtë dhe familjarët e tyre” tha Hoxha.

Nga ana e tij, kryebashkiaku Pjerin Ndreu vlerësoi rëndësinë e kësaj vizite, duke theksuar se Lezha është një destinacion me potencial të madh turistik falë vlerave historike dhe kulturore që mbart. Ai e cilësoi këtë si një promovim të mirë për qytetin.

“Lezha tashmë është një nga zonat më të bukura, për shkak të vendbanimit të Skënderbeut, por edhe vetë natyra, turizmi, agroturizmi, bujqësia që kanë marrë zhvillime të niveleve të kënaqshme e bëjnë Lezhën atraktive dhe të vizitueshme. Për ne është një mënyrë shumë e mirë promovimi dhe jam shumë i kënaqur që jam këtu me trupën e ambasadorëve të akredituar në Shqipëri” tha Pjerin Ndreu.

Gjatë kësaj fundjave, trupa diplomatike ka udhëtuar në disa zona të veriut të vendit, nga Razma në Vermosh, në Shkodër dhe Lezhë, duke njohur nga afër pasuritë natyrore dhe kulturore, si dhe duke përjetuar mikpritjen karakteristike shqiptare.