Report Tv ishte sërish sot te banesa e familjes Peti, në Tiranë, e cila nga një vilë u shndërrua në rrënoja brenda pak minutave. Kjo ndodhi një ditë më parë në zonën e Liqenit të Thatë, aty ku fadromat shkatërruan shtëpinë e familjes Peti. Mes erës së ftohtë, shiut dhe temperaturave të ulëta.

Kështu e ka kaluar familja Peti mbrëmjen e djeshme, duke kundërshtuar edhe një herë në vepra largimin nga banesa e tyre. Pas përplasjeve me policinë, shoqërimit në komisariat, por edhe shembjes së një pjese të shtëpisë, banorët nuk do të ndalen, por do të ndërtojnë edhe një çadër në oborrin e shtëpisë së tyre, e cila do të qëndrojë aty deri në momentin që do iu dëmshpërblehet trualli.

Këtë e ka pohuar sot për Report Tv djali i vogël i familjes Peti, Klajdi, i cili një ditë më parë tentoi të hidhej nga çatia e banesës së tij, duke kundërshtuar vendimin për prishjen e shtëpisë, tentativë që rezultoi e dështuar, pasi fadromat bënë punën e tyre duke lënë vetëm rrënoja.

“Do të vendosim një çadër këtu para shtëpisë, kjo është zgjidhja jonë, se nuk kemi strehim tjetër. Ishte diçka e padrejtë, kur unë qëndroja në shtëpi fadromisti vijonte punën. Nëse s’do ishte mamaja, do kisha një fund tragjik. E vetmja gjë që më frenoi ishte thirrja e saj. Tashmë na mbetet vetëm mbështetja e ambasadave”, tha Klajdi. 

d.c./shqiptarja.com