Majlinda Kelmendi ka fituar edhe një medalje të artë, pasi është shpallur kampione në turneun "Grand Prix" që po mbahet në Samsun të Turqisë. Kelmendi shkëlqeu në finalen e kategorisë deri 52 kilogramë, ku mposhti italianen Odette Giuffrida me "Ippon" pas 2.16 minutash luftë. Pas ndeshjes ka folur trajneri i saj, Dritan Kuka. “Nuk jam edhe aq i kënaqur me atë që ka treguar Majlinda. Në ndeshjen e parë ka pasur një krizë, por më vonë kemi përmirësuar disa gabime. Në finale ka shkëlqyer. Objektivi ynë është evropiani. Kemi zhvilluan përgatitjet për evropian dhe Majlinda është ende pak e lodhur” deklaroi ai.

Kosovë-Senegal, skuqet Berisha, gol Azemi
Sulmuesi Besart Berisha bëhet sërish protagonist në kampionatin australian, por edhe këtë herë jo me golat e tij, por duke marrë kartonin e tretë të kuq brenda edicionit. 28-vjeçari bëri një ndërhyrje shumë të ashpër ndaj portierit të skuadrës së Melburnit, duke u ndëshkuar me të kuq, më pas doli duke qarë nga fusha.

Kosova ka gjetur edhe kundërshtarin e tretë në ndeshjet miqësore. Pas Turqisë, Kosova do të përballet me Senegalin më 25 Maj në Gjenevë. Ndërsa Ilir Azemi vazhdon me golat në Bundesliga 2, pasi shënoi golin e dytë për Greuther Furth në ndeshjen me St. Paulin në barazimin 2-2.

Boks, Krasniqi kampion në WBO
Haxhi Robin Krasniqi ka fituar titullin botëror në peshat gjysmë të rënda të versionit WBO pasi mundi në K.o kundërshtarin e tij ganez, Emmanuel Danso. Krasniqi arriti ta rrëzojë në raundin e shtatë rivalin e tij duke i shkaktuar këtij të fundit dhe humbjen e parë në karrierë pas plot 20 fitoreve radhazi.


d.b/shqiptarja.com