Ngërçi i krijuar në Gjykatën e Posacme me bojkotin e avokatëve që prej 1 shtatorit ka shkaktuar dështimin e 462 seancave gjyqësore, ndërsa janë zhvilluar vetëm 24 në gati një muaj e gjysmë. Në këtë situatë të krijuar nga vetë GJKKO me rregulloren e re që censuron përdorimin e celularëve në seanca Gjykata e Posacme kërkon ndërhyrjen e Këshillit të lartë Gjyqësor për t’i dhënë fund bojkotit të avokatëve.
Në një shkresë drejtuar KLGJ për dijeni Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit GJKKO kërkon ndërhyrje ligjire për të parandaluar bllokimin e proceseve gjyqësore për shkak të mospjesëmarrjes kolektive të avokatëve në seanca. Kreu i gjykatës së Posacme Erion Bani argumenton në këtë shkresë prej 43 faqesh se mospjesëmarrja kolektive e mbrojtësve në seanca është e paligjshme dhe nuk mund të përdoret si shkak për të ndalur veprimtarinë gjyqësore.
Sipas GJKKO-së, mungesa e një rregullimi të posaçëm ligjor nuk mund të shërbejë si bazë për t'i njohur bojkotit pasoja që cenojnë zhvillimin normal të proceseve gjyqësore.
Për këtë GJKKO propozon krijimin e mekanizmave ligjorë që do të garantonin vijimësinë e gjykimeve edhe në rastet kur avokatët refuzojnë kolektivisht të marrin pjesë në seanca.
Gjykata kërkon gjithashtu që të parashikohet përgjegjësia individuale dhe disiplinore për avokatët që mungojnë në seanca në kundërshtim me detyrimet e tyre profesionale.
Një tjetër propozim lidhet me forcimin e rolit mbikëqyrës të Dhomës Kombëtare të Avokatisë ndaj anëtarëve të saj. GJKKO propozon që në Këshillin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë të ketë përfaqësues nga gjykatat, prokuroritë dhe Shkolla e Magjistraturës. Sipas propozimeve të paraqitura nga Gjykata e Posaçme, duhet të shqyrtohen ndryshime në ligjin “Për profesionin e avokatit”, me qëllim që mosmarrëveshjet mes institucioneve të mos përkthehen në pengesa për zhvillimin e proceseve gjyqësore. Ndërkohë, Ministrisë së Drejtësisë i kërkohet të iniciojë procedime disiplinore për shkeljet e evidentuara.
Kreu i GJKKO Erion Bani e cilëson rregulloren e re në përputhje me ligjin, ndërsa për ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në sallën e gjyqit, thotë se se ky rregull zbatohet për të gjitha palët në proces, përfshirë gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe median. Por ndërkohë ky rregull nuk respektohet nga vetë prokurorët e SPAK, rasti më i fundit ishte një ditë më parë në seancën gjyqësore për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, ku prokurori Ols Dado ishte në sallë me celularin aktiv.
Lajm në përditësim

Kliko ketu per te lexuar dokumentin e plote










Komente
Komento