Në pamundësi për të marrë një vendim të tillë, kur në përbërjen e tij aktualisht janë vetëm 4 anëtarë, nga 7 që kërkon Kodi Zgjedhor të jenë, vendimet që kërkojnë 5 vota mund të përfundojnë drejt Kolegjit Zgjedhor, nëse nuk është arritur deri në ato momente të ankimimit konsensusi mes palëve për rikompozimin apo plotësimin e vendeve vakante në KQZ nga opozita parlamentare.
Por problemi lind se çfarë vendimesh do të anikohen kur pikërisht vetë këto vendime që të kosiderohen të miratuara duhen 5 vota, gjë që deri në këto momente është e pamundur. Për konsititucionalistët në vend kjo duhet parë në disa këndvështrime. Për ish-kreun e KQZ, Ilirjan Celibashi, çdo vendim që nuk është bërë i mundur që të miratohet në KQZ pasi do të duhen 5 vota, shkon në Kolegj Zgjedhor.
“Në çdo rast dhe në çdo rrethanë Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë të gjitha vendimet e KQZ, nga kushdo që do të ketë ankimime si ato vendime që janë marrë me 4 vota apo dhe ato me 5. Ndërkohë që kur do të duhen 5 vota për vendimin, kjo do të thotë se ky vendim nuk është marrë”, thotë Celibashi.
Nëse palët do të shkojnë në zgjedhje me këtë KQZ, atëherë fati i fituesve të zgjedhjeve të 23 qershorit do të jetë pikërisht në dorë të trupës gjyqësore prej 5 anëtarësh të Kolegjit Zgjedhor. “Kur nuk ka një vendim të KQZ, qoftë edhe për rezultatin e zgjedhjeve, kjo çështje shkon drejt Kolegjit Zgjedhor. Pra çdo vendim që nuk është marrë në KQZ kalon në Kolegj Zgjedhor”, shprehet për gazetën Shqiptarja.com, ish-kreu i KQZ.
JAHO
Ndërkohë që për konsititucionalistin Niazi Jaho, Kolegji nuk mund të marrë atributet e KQZ për çdo vendimmarrje që kërkon 5 vota. Sipas tij, në kod nuk është parashikuar asnjë rast ku të thuhet se në ato raste kur KQZ mbetet me 4 anëtarë, për çështjet që kërkojnë vetëm votim të cilësuar, investohet Kolegji Zgjedhor.
“Megjithatë, e shikoj të nevojshme të theksoj se subjekti i interesuar zgjedhor ka të drejtë të ankohet në Kolegjin Zgjedhor kundër vendimit të KQZ. Mirëpo çfarë do t’i kërkojë ai Kolegjit kur mbledhja e KQZ me 4 anëtarë nuk është e vlefshme për të shqyrtuar dhe vendosur lidhur me këtë apo atë çështje që kërkon votim të cilësuar?”, thotë Jaho.
GJATA
Ndërkohë që vetëm pak ditë më parë, ish-kreu i KQZ, Çlirim Gjata u shpreh se “mbledhja me 5 anëtarë nuk mblidhet. Ka disa akte normative që nuk mund të votohen, por ato mund të zbërthehen edhe në vendime teke. Por mund të shkojë edhe në Kolegj Zgjedhor. Ai ta kthen dhe thotë merr vendim ndërkohë që KQZ e kthen sërish dhe Kolegji merr vendimet vetë. Por ndërkohë që nuk po zbatohet ligji që përcakton se anëtarët duhet të zvendësohet brenda 48 orëve, gjë që nuk është zbatuar.
QENDRIMI I PRERE I RAMES DHE BERISHES
Deri më tani nuk ka ansjë konsensus mes palëve. Kreu i qeverisë, Sali Berisha është treguar i prerë në fjalimet e tij se nuk e prek KQZ, por veç i ka bërë ftesë Ramës që të propozojë emra për të plotësuar me 7 anëtarë këtë institucion ose të kthejë anëtarët që kanë dhënë dorëheqjen.
“Kthe sa më shpejt anëtarët në KQZ, se nuk do të ketë as edhe një germë ndryshim në Kodin Zgjedhor dhe përbërjen e institucioneve”, ka thënë Berisha. Nga ana e tij kreu i PS, ka kërkuar rikthimin e legjitimitetit të KQZ. “Në asnjë rast nuk do hymë në ndryshime të KQZ, në cënim të Kodit Zgjedhor”, do të shprehej Rama.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.04.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)