Ngjarja makabre e gushtit ’89, Filip Guraziu: Pasi kufitarët i sharruan me plumba Gjonin e Dodën, kufomat e tyre, gjysmë lakuriq, i shëtitën nëpër rrugët e Shkodrës

Ngjarja makabre e gushtit ’89, Filip Guraziu: Pasi kufitarët i sharruan me plumba Gjonin e Dodën, kufomat e tyre, gjysmë lakuriq, i shëtitën nëpër rrugët e Shkodrës

Partia, ditë e natë, propagandonte: ” Enver Hoxha, udhëheqësi i Madh i popullit shqiptar dhe i revolucionit proletar botëror, teoricieni i shquar dhe mbrojtësi besnik i ideve të marksizëm – leninizëm, kundër të gjithë tradhtarëve revizionistë, u bë i pavdekshëm nëpërmjet veprave që shkruajti, të cilat janë fanar ndriçimi për fitoren e revolucionit proletar, në të gjithë botën”. Në vitet ‘70-të, si mbas porosisë së partisë, të gjithë mësuesit duhet të blejshin veprat e shokut Enver, të cilat studioheshin dhe analizoheshin në ‘Format e Edukimit’.

Për çdo muaj, na ndalshin në bordero 100 lekë të vjetra (çmimi i shitjes së librit), e veprën na e dorëzojshin në shkollë. Unë personalisht, por edhe ndonjë shok i veçantë, me të cilin kisha besim të plotë, e më tregonte si sekret, nuk i patëm lexue kurrë ato vepra.

I merrshim librat si të tanë të tjerët, por mandej i hidhshim si mbeturina në nji qoshe, në shtëpi. Nji ditë, prej shokut tim të ngushtë, Ben Dedës, mora vesht se, shitësi i nji dyqani “me shumicë”, në nji katund, i blente veprat e Enverit me 80 lekë, pra vetëm me 20 lekë, ma pak. Pata qenë çuditë, por edhe gëzue prej këtij zbulimi!

Çudia më ka mbetë deri sot, kurse gëzimi ishte i kuptueshëm; me vlerën monetare të rikuperueshme prej shitësit, mund të kalojshim pak kohë, të këndshme, me shokun tim në birrari…! Shumë kohë mbrapa pata kuptue, se të tjerë mësuesa kishin gjetë rrugë me “rendiment ndryshe”; ndrrojshin në librari “veprat e shokut Enver”, me libra të tjerë, për të cilët kishin interes…!

Më kujtohet, se nji prej atyne veprave, që më kishte mbetë në shtëpi, nuk mujta me i’a çue shitësit në katund, për shitje, sepse kopertinën e kishte të damtueme, megjithatë nuk e çova dam.

Kush i kujton ato vjet, mundet me dëshmue mungesën e letrave higjenike në treg, e në vend të tyre, prej nevojës, jo vetëm në familjen time, por edhe në të tjerat, filluem me përdorue letrat e gazetave, por “me kujdes shumë të veçantë”, tue seleksionue faqet që kishin fotot e udhëheqsave, sepse, si e kuptoni edhe ju, “nuk shkonte…”!

Në rastin konkret, vepra e shokut Enver, që kishte kopertinën jo të rregullt, pra foton e damtueme, përfundoi mbi stolin prej druni me ngjyrë jeshile, afër kupës së nevojtores së shtëpisë. Asgja e veçantë, më kujtohet se, as që u bisedue në familje ai veprim, ishte ma se i zakonshëm, në fund të fundit aty e kishte vendin vepra e tij…!

Kaluen disa ditë, shumë faqe i mungojshin veprës, por edhe shumë të tjera i kishin mbetë. Krejt rastësisht, vjen në shtëpi, për konsultë vetjake mjekësore me gruan time, sekretarja e organizatës bazë e partisë, së fshatit, ku gruaja kishte pasë punue para dy vjetëve. Mbas përfundimit të konsultës mjekësore, bisedës e kafes tradicionale, sekretarja pati nevojë me shkue në banjo.

Grueja i tregoi derën e banjos e u kthye në dhomën, ku po qëndrojshim. Më dalloi se, isha shumë i shqetësuem, por unë ia preva shkurt:  ta sqaroj ma vonë…! Mbas pak minutave sekretarja erdhi në dhomë e qetë, pa asnji shqetësim, tue vazhdue normalisht bisedën!

Ndoshta, ajo, nuk e pat dallue vepren mbi stol, ose e pat dallue dhe nuk donte me e ba problem! Sidoqoftë rasti, çdo gja shkoi mbarë dhe, unë, kurrë nuk ia harrova sjelljen e saj miqësore!

Nji krim i shëmtuem, që kurrë nuk harrohet…!

Jam i sigurt se brezi i ri që, sot jeton në shtjellat e kësaj demokracie të çoroditun shqiptare, nuk mundet me e imagjinue se deri ku mbërriti çmendia e krimit komunist, si pasojë e moralit kriminal të Enver Hoxhes. Në qoftë se mundohesh me i tregue sot të rinjve, se çka ka ndodhë në atë periudhë të zezë të historisë shqiptare, ndoshta të besojnë për hatër, ose nuk të besojnë aspak!

Dy të rij prej katundit Hoten, pjesë e ish Kooperativës së Barbullushit, kushuri të afërm, Gjon Mark Kumbullaku, 25 vjeç, dhe Dodë Fran Gjerkaj, 22 vjeç, të stër mërzitun prej mungesës së lirisë, vorfnisë ekstreme e mungesës së perspektivës të nji jete ma të mirë, u larguan prej aksionit të ndërtimit të hekurudhës Milot – Rrëshen dhe tentuen me kalue kufinin shqiptar, të rrethuam me tela, me gjemba, në zonën Sukaj- Dajç, natën e 24 gushtit, 1989.

Vështirësia e terrenit, e kombinueme me masat e rrepta, të kontrollit ushtarak kufitar, i detyruan ata me e kalue të tanë natën të mshehun, tue përgjue lëvizjet e patrullave, e të vendosnin që veprimin përfundimtar (kalimin e kufinit), ta bajshin në të zbardhun të ditës së nesërme.

Ngjarjet që ndodhën vërtetuan, se dy të rinjtë i kishin pasë bë gabim llogaritë, ose atyre nuk i ndihmoi fati, mbasi ato u zbuluen prej rojeve të kufirit, dhe mbas nji rrethimi, u detyruan me u dorëzue, me krahët nalt (si mbas dëshmisë së personit, që ka qenë prezent). Në këto kondita, rojet kufitare, të edukueme me moralin kriminal komunist, të transformueme në bisha, i qëlluan për vdekje.

I pari, u vra Doda, kurse Gjoni, i shpërfytyruem prej dhimbjes së vrasjes së Dodës, kërkoi me za të naltë pushkatimin e tij. Nji breshni e dytë, prej shqiptarëve vëlla-vrasës, ia mbylli gojën…! Akt burrnor, që nderon kujtimin e tij, por edhe familjen, e cila e edukoi.

Çmendia e egërsisë ose egërsia e çmendisë komuniste nuk u mjaftue me aq, vetëm me shuemjen e jetës së dy të rinjve, të cilët s’kishin bë asgjë të keqe, përveç se dëshirojshin me jetue të lirë, e me dinjitet. Kujtojmë se vrasjet në kufi, ishin një veprim rutinë nga regjimi kriminal, flitet që rreth 8000 persona hupën jetën, prej vjetit 1944 deri më 1990.

Për me ngjallë terror në popullsi, kufomat e dy të rinjve, të shpueme prej plumbave e të përgjakuna, gjysë lakuriq, të lidhuna me tela me gjemba te spondet e nji kamioni ushtarak, u shëtitën nëpër qendra të popullueme, t’ue fillue prej katundit Barbullush, ku u desh ndërhyrja energjike e kryetarit të Këshillit, e të ndjerit Shaqir Muhja, që kufomat e lidhuna me tela, të mos dërgoheshin deri te shtëpia e familjeve të viktimave.

Mbrapa, kamioni makabër vazhdoi lëvizjen nëpër rrugët e Shkodrës, tue ngjallë terror, por njëkohësisht edhe urrejtje për diktaturën kriminale komuniste. Mbas kësaj parade makabre, viktimat u varrosen mshehtas, pranë kufinit me Malin e Zi, në zonën e Kalldrunit – Koplik.

Edhe pse familjet i dërguen lutje, mbas lutjeve, Ramiz Alisë, për me mundësue rivarrimin e eshtnave të viktimave, përgjigja kurrë nuk erdhi!

Edhe në momentet e fundit të saj, diktatura mundohej me fshehë krimin! E vërteta mundet me vonue, por në fund triumfon.

Mbas 4 vjetëve, kur demokracia kishte fitue, në vjetin 1993, familjet mbërritën me bë rivarrimin dinjitoz të bijve të tyre. Pjesëmarrja e popullit në atë ceremoni, kurrë nuk ka me u harrue, ishin mbi 3000 persona!

Sot, jo vetëm populli i Shkodrës, por i tanë Shqipërisë, kujton me respekt aktin e guximshëm të dy kushërinjve, me moshë të re.

Gjon Mark Kumbullaku dhe Dode Fran Gjerkaj u shpallën “Martir të Demokracisë”, prej Presidentit Bujar Nishani, kurse me 25 Qershor 2016, Shoqata e të Përndjekurve Politikë, të Shkodrës, organizoi nji ceremoni në përkujtim të asaj masakre (Demonstratë qytetare në rrugën kryesore të qytetit, në ecje mbas nji kamionit ushtarak të kohës, në të cilin ishin vendosë fotot e dy martirëve dhe konferencë historike për ngjarjen makabre, të paharrueme)./ Memorie.al

(Shënim: Të dhënat e shkrimit të ma sipërm, janë marrë prej pjesëtarëve të familjeve, Kumbullaku e Gjerkaj).

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Taku: 10/01/2023 17:00

    Dhe sot, pasardhesit e atyre kryen ato krime makaber po ua blene me pare ne dore dinjiterin dhe krenarine. Qe tu shetisin njesoj rrugve pas zgjedhjeve.

    Përgjigju
  • aleksadros: 10/01/2023 11:12

    Po keto te 97 tes vrasjet kure do i jepni

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë