Ngjarje tragjike e kampit të Tepelenës: Në ministri u dha alarmi, komandanti i burgut kishte futur në ‘Xhip’ vajzën bukuroshe dhe ishte nisur drejt kufirit

Ngjarje tragjike e kampit të Tepelenës: Në ministri u dha alarmi, komandanti i burgut kishte futur në ‘Xhip’ vajzën bukuroshe dhe ishte nisur drejt kufirit

Spartak Ngjela ka lindur në Tiranë më 11 korrik të vitit 1948, ndërsa origjina e familjes së tij nga babai është nga Zagoria e Gjirokastrës, kurse nga nëna, nga Pojani i Korçës. Pasi mbaroi shkollën e mesme në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në Tiranë (ku asokohe mësonin pjesa më e madhe e fëmijëve të nomenklaturës e udhëheqjes së lartë të PPSh-së), Spartaku ndoqi studimet e larta dhe diplomua në Drejtësi në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Pas diplomimit në vitin 1970, Spartaku u emërua si jurist (këshilltar ligjor) pranë gjykatave të rrethit të Vlorës e Durrësit dhe në vitin 1973, si punonjës shkencor pranë Institutit të Historisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, i porsahapur në atë kohë. Në vitin 1975, pas arrestimit të babait të tij, Kiço Ngjela, (ish-ministër i Tregtisë për më shumë se dy dekada, i cili u dënua me 25 vjet heqje lirie me të ashtuquajturin “Grupi armiqësor-sabotator në Ekonomi”, ku bënin pjesë edhe dy zv/kryeministrat Avdyl Këllezi e Koço Theodhosi, si dhe ministri Vasil Kati, etj.), u arrestua edhe Spartaku, ndërsa familja, u internua në Selenicë të Vlorës. Po kështu disa vjet më pas, arrestohet dhe dënohet edhe vëllai i tij, Sokol Ngjela, (Linci), “për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” dhe gjatë viteve ’80-të, të tre pjesëtarët meshkuj të familjes Ngjela, vuanin dënimin në kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alisë. Arrestimi dhe dënimi i Spartakut në vitin 1976, me akuzën “për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, nuk erdhi thjesht prej dënimit të babait të tij, Kiço Ngjela, por sepse edhe ai vetë, ishte një nga “fëmijët problematikë” të ‘Bllokut’ të udhëheqjes së lartë të PPSh-së, gjë e cila u vërtetua edhe me qëndrimin dinjitoz, që ai mbajti në kampe dhe burgje gjatë gjithë periudhës së vuajtjes së dënimit, (1975-1991) si në Ballsh e Burrel, ku ishte vazhdimisht në konflikt të hapur, jo vetëm me autoritetet e burgut, por edhe me udhëheqjen e lartë, pasi herë pas here ai i dërgonte letra udhëheqjes, siç ishin ajo për gjetjen e proces-verbalit të mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare (ku Enver Hoxha nuk figuronte si sekretar i përgjithshëm), apo letra dërguar Ramiz Alisë në vitin 1988, ku i kërkonte rehabilitimin e Padër Gjergj Fishtës.

Qëndrimi i Ngjelës në kampe dhe burgje, përveç bashkëvuajtësve të shumë të tij, konfirmohet edhe nga një dokument sekret i Punëtorit Operativ të Burgut të Burrelit, Piro Nuredini, dërguar në vitin 1982 eprorëve të tij, ku ai ka bërë disa karakteristika, për disa prej të burgosurve më problematikë për regjimin, që vuanin dënimin aty (si: Pjetër Arbnori, Spartak Ngjela, Abdulla Sallaku, Gjet Kadeli, Daut Gumeni, Avni Aliko, etj.), ku ai shkruan: “Spartak Ngjela, i tërbuar kundër Partisë dhe kundër komandës. Është i ndershëm realisht, vdes për Anglinë”. Spartaku së bashku me të atin, Kiçon, u liruan nga burgu në fillimin e vitit 1991, me të fundit të burgosur të ndërgjegjes, që dolën nga burgjet e atij regjimi. Në fillimin e viteve ’90-të, Spartak Ngjela u angazhua në jetën politike, fillimisht me partinë Lëvizja e Legalitetit, ku në qeverinë e Stabilitetit në vitin 1997, mbajti postin e ministrit të Drejtësisë për disa muaj dhe në vitet në vijim, për disa legjislatura (2001 – 2009) si deputet dhe funksionarë i lartë i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Në 12 dhjetor të vitit 2008, Ngjela themeloi partinë “Ligj dhe Drejtësi”, të cilën për disa vite e drejtoi vetë si kryetar i saj. Po kështu gjatë kësaj periudhe kohe, krahas studios së tij ligjore si avokat, Ngjela, është angazhuar edhe në fushën e publicistikës, duke qenë i pranishëm me shkrimet e tij në shtypin e përditshëm dhe ka botuar disa libra, si dy romanet: “Shpella e vrasjes” (1994), “Helena R”, (1999), “Hakmarrja e një gruaje” (2018), apo “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare – 1957 – 2010” (2011), në disa vëllime, etj. Shkrimi që kemi përzgjedhur për botim këtu, është marrë nga libri i tij, “Shpella e vdekjes”, i cili është bazuar mbi ngjarje reale të jetuar në periudhën e diktaturës komuniste në Shqipërinë e Enver Hoxhës, në vitet e para të pasluftës.

...

Nata sa vinte po bëhej më e errët, ndërsa përballë qytetthit pas kaq e kaq vjetësh, kështjella fekste nga dritat e nuk i ngjasonte më fare atij guri të zi e të vetmuar që i kishte tëhuajtur kohës. Ajo tani, për banorët e asaj ane befas, kishte marrë jetë e në mend u çohej vrik mendimi i trishtë sapo që shihnin dritat – aty brenda dihej se ishin mbyllur gjithë ata të internuar, ca të lëkurur në të vërtetë, tërë ajo mori njerëzish që vetë, me sytë e tyre, i kishin parë që së largu tek zbrisnin atë pasdite vjeshte nga kamionët e viheshin në radhë për të hyrë brenda në kështjellë.

E sa për kështjellarët, asgjë nuk kishte ndryshuar, ngaqë në mendjen e tyre nuk bëhej asfare dallim midis qytetthit që e kishin aq pranë dhe gjithë vendit: bile çdo pikë e globit për ta, ishte e barazlarguar nga kështjella e tyre, përderisa nuk kishin asnjë grimë mundësie që të bënin qoftë dhe një çap të vetëm tej murit të gurtë. Për ata njerëz kishte vetëm natë, ditë, roje, kështjellarë dhe pritje…!

– Ndaaal”! Briti befas, m’u në të ngrysur, një roje, me zë aq të fortë, sa u duk për një çast se gjithçka u shkul vendit. Ishte e para britmë kjo e asaj nate, prandaj dhe bëri aq e aq përshtypje. Ajo mandej sikur u thëthit nga guri i sheshit të kështjellës, gjëmoi aty për një grimë kohe, gjersa u përandit dalëngadalë si jehonë e mori dhenë. Në shesh ra prapë qetësia e parë, që prishej rëndom vetëm nga goditjet e çapit të njëtrajtshëm të gardianit të brendshëm. Gup… gup gup…!

Gjithsesi ca hapa të rëndë ata, që s’e humbisnin hiç ritmin nga britmat e herëpashershme të rojeve ushtarë, të cilët, përgjithësisht, zgjateshin me kast në tingullin “a”, që ta nxirrnin jashtë krejt si sokëllimë fjalën: Ndaaal! përsëritur e përsëritur aq shpesh kjo atë natë të parë nga njëri te tjetri:

“Ndaaal”! bërtiste roja përmbi portën e madhe, mandej i’a pasonte po ashtu, bile më fort, ai tjetri që ndodhej aty sipër përmbi mur, ku një si brryl merrte kthesën e parë të qerthullit kështjellor. E kështu me radhë, kur e kur, nga të gjitha truprojat e gurta, zëri i rreptë vërsulej me shkulma mbi kazermat e të internuarve. Ndaaal!

– O Zot! – murmuriste herëpashere me vete Katerina Pogu, tek i dëgjonte. Ajo s’ishte mësuar me ato britma therëse, ndaj i dukeshin tamam-tamam si, ca urdhra vdekjeje-zjarr, për shembull, një britmë e egër që i jepte më në fund komandën togës së pushkatimit, menjëherë pas saj, mes krismash, binin përdhe gjithë të pushkatuarit, të masakruarit, aty, pse jo, edhe m’u aty rrëzë murit të ftohtë të asaj kështjelle.

Por shumica e të internuarve as që pyesnin fare për to. Ata ishin mësuar e kjo u dukej diçka krejt normale, si të gjitha veprimet që ishin të detyruar të kryenin gjatë ditës. Se mos i bezdisnin ca më pak morrat që u lëvrinin nëpër trup ditën e natën! Njëlloj gjithçka, e njëjta gjë, – si britmat e ushtarëve, si bilbilat e policëve, si fjetoret që kutërbonin nga era e mykur – edhe ajo copë bukë që e hanin thatë ose me pak kripë. E pra, s’kish dallim fare se jeta ecte po njëlloj si edhe atëherë kur qenë mësuar të jetonin krejt ndryshe; me zjarr, me banjë e me çarçafë të larë.

Hiç mos u mërzit, Katerinë – i pat thënë atë ditë Katerina Pogut një grua e njohur, – hiç fare mos u mërzit, se vetë do ta shohësh që shumë shpejt, do të mësohesh e gjithçka do të të duket krejt normale.

Po si mund të mësohet njeriu me këtë ferr?! – pyeti ajo dikur veten gjithë dyshim e drojë porsa që përcolli nëpër mend fjalët e asaj gruaje, dhe vështrimin e treti sakaq thellë përsëri nëpër gjysmë muzgun e fjetores.

Të gjitha gratë e fëmijët e vegjël ishin shtrirë e në fjetore nuk fijonte më asnjë lloj zhurme, veç ndonjë psherëtime apo rënkimi të lehtë. Përgjithësisht, gratë e internuara në atë kështjellë, ishin të reja në moshë. “Ndaaal!” u dëgjua për një çast zëri i rojes që ishte aty pranë. O Zot! Tha sërish Katerina, por vështrimin megjithatë nuk e hoqi nga fjetorja.

Prapë heshtje. Thellë dëgjoheshin hapat e gardianit. Gjithçka dukej si e pushtuar nga humbja. Po fle lodhja, belbëzoi shurdhët ajo gjithë duke menduar se këtej e tutje kështu do të kalonte çdo natë – larg jetës, aty, peng në një kështjellë ku ngadalë do të vinte t’i fashitej dhe vetë shpresa, e pritja më në fund do të shuhej, për të mos u ndier më thuajse fare. Një drithmë e lehtë ia morrnicoi pastaj gjithë trupin, tek e mendoi veten në një fund të atillë. Por, aty për aty, i’u dha befas e pyeti nëpër dhëmbë me pak zë: po ai?

E nesërmja gdhiu qetë, si ngaherë, uniformisht në të gjithë hapësirën e shtetit, njerëzit të përgjumur siç qenë dëgjonin këndezët, dëgjonin zilet e orëve, dëgjonin këmbanat e kishave e çoheshin për të filluar ditën. Njëlloj po kështu edhe banorët e qytetthit jugor nuk e kishin prishur terezinë më parë se të gdhinte, ndonëse aty rreth orës 01.00 një “Xhip”-s, si i tërbuar, kishte çarë zhurmën mes përmes qytetthit të tyre.

Në të vërtetë atë ulurimë e pati dëgjuar vetëm fallxhorja plakë Hane Egjiri. Dhe “Bretku”, kishte mallkuar ajo e shtrirë siç kish qenë në errësirën e dhomës së saj të vogël, se në të katër vjetët e fundit, qe mësuar me zhurmën e ca makinave të tilla, që bridhnin netëve për të mbartur të arrestuarit. “Ngrënçi kokën tuaj”, kishte thënë më pas e qe kthyer në krahun tjetër mes rënkimesh, nga ato të zakonshmet e saj që e mbushnin dhomën për çdo natë.

Por në Ministrinë e Brendshme, u ngrit tensioni që në orët e para të mëngjesit. Në radiogramin që i drejtohej ministrit thuhej:

“Komandanti i të internuarve në kështjellën e jugut, Mark Ashta, pasi ka marrë me vete dhe të internuarën, Katerina Pogu, është larguar me “Xhip”-in e tij në drejtim të kufirit grek. Rrëmbimi i të internuarës dhe akti i ikjes, ka ndodhur pak pas mesit të natës”.

Menjëherë u dha urdhri për gjendje alarmi në të gjithë atë zonë kufitare: u përforcua kufiri me trupa vullnetare, u gjet vendi ku qe lënë “Xhip”-si, u identifikuan gjurmët e pas tyre, u përcaktua menjëherë dhe drejtimi nga kishin marrë të ikurit. Por, ajo që i qetësoi në fund krerët e Ministrisë së Brendshme, ishte pa dyshim fakti i sigurt se, në vijën kufitare kishte njëzetë e katër orë që, s’ishte konstatuar asnjë lloj shkeljeje.

Domethënë të ikurit ndodheshin ende në tokën shqiptare.

– E dua patjetër të gjallë atë qen, – i tha ministri i Brendshëm zëvendësministrit R., ashtu siç qe në këmbë përballë tij disa çaste para se ky i fundit të merrte udhën për në Jug, ngaqë do ta udhëhiqte vetë operacionin për ndjekjen dhe kapjen e Mark Ashtës.

Por R., nuk i përgjigjej, ai e shihte veç në sy ministrin e vet dhe, nga mënyra se si kish qëndruar para tij – gatitu sigurisht – nga xhestet krejt të ndrydhura që bëri tek iku (një përkulje e lehtë e kokës, një sprapsje disa hapash gjer te dera duke qëndruar gjithmonë me fytyrë nga ministri), si dhe ajo: “Ditën e mirë shoku ministër”! që e shprehu përunjësisht e me ton të veçantë, kuptohej sheshit se me ç’seriozitet e kishte marrë detyrën speciale që po i ngarkonin atë mëngjes që në orën 07.30.

Në të vërtetë ai s’e kishte dashur kurrë Mark Ashtën, asnjëherë, dhe po të ishte vetëm në dorë të tij, Ashta s’do të vinte dot këmbë në Ministrinë e Brendshme. Po ç’t’i bënte ministrit! Ah, që s’më dëgjoi?! Ç’ne, atij i kishte hedhur trutë e gomarit ky birbo dhe ja tani, ia bëri proçkën. Ndaj duhet shkuar sa më parë në qytetin e jugut.

– Sofo! – i foli shoferit, – shpejt Sofo se nuk na pret puna… duhet të ecësh sa më shpejt që të jetë e mundur.

Pastaj prapë filloi të mendojë për ngjarjen.

Ishte e bukur ajo kuçkë, tha dikur gjithë duke kujtuar sakaq fotografinë e Katerina Pogut, ashtu siç e kishte parë mbi tryezën e ministrit. Katerina Pogu. A ta kishte njohur qysh më parë Ashta atë grua të bukur? Një dashuri e vjetër, ndoshta, që ne s’e kemi ditur. E ku mund t’i dish mirë rrënjët e ndoca njerëzve të tillë! Eh! Psherëtiu dhe sërish mendja i shkoi te fotografia e gruas së bukur.

E pra, ka burra që flenë me gra të tilla. Dhe s’kanë hedhur një pushkë në luftë! Nejse, Mark Ashta, ç’është e vërteta, kishte luftuar. I’a mori mendtë ajo grua. Aq e bukur sa ishte ajo, çdo gjë mund të ndodhte. Po tani, ama, po të kapej, Ashta do të përfundonte në litar për tradhti të lartë.

– Shpejt Sofo, shpejt! – i briti edhe një herë shoferit, – se nuk na pret koha, dëgjon?

Shoferi përsëri nuk iu përgjigj.

Eh, Mark Ashta, Mark Ashta – tha më pas tek vuri re që makina nisi të ecte pak më shpejt – e dija se ti nuk do të qëndroje dot gjatë me ne. Dhe ndoshta thua se donte ashtu atë mendim të shprehur t’ia transmetonte lëvizjes së makinës. Po, po, tha pastaj, e dija që ç’ke me të. Eh sa herë kish dyshuar ai te Ashta, se nuk qenë të pakta rastet kur qe ndeshur me të. Dhe nuk se s’e kish parë si njeri të ditur, jo, përkundrazi, pikërisht për këtë e urrente.

Vetë R., s’kishte qenë më tepër se një fshatar me katër klasë. Por në luftë ishte dalluar si Komandant Brigade, e pra, s’ishte pak. Edhe Mark Ashta ishte treguar trim në luftë, por ai s’ishte i klasës. E si mund të kishte besim te një intelektual që e kishte mbaruar shkollën në Perëndim. Ja, kjo ishte pika e dobët. Kurrë nuk duhej të thirreshin në pushtet intelektualët. Kurrë! se kjo pastaj do të jetë vdekja jonë.

Ata s’na duan, ata na përbuzin, por ne jemi në pushtetin tonë, andaj duhet t’u tregojmë vendin. E ç’ishim ne? Ca fshatarë që ishim mësuar të flinim nëpër rrogoz, kurse tani i kemi të gjitha, gjithçka, gjithçka që na duhet: vila kemi, vetura kemi, rroga të mira kemi. Po ky? Ja ca birbo si ky, na përbuzin. Dhe në Ministrinë e Brendshme, ai e dinte se të gjithë e shihnin me dyshim Ashtën.

Tek e fundit kishte të drejtë: ç’duhej ai në Ministrinë e Brendshme, kur dihej që studimet i pat kryer për histori. Dhe ku pa., në Itali. Hajde mendje, hajde! Murmuriti nëpër dhëmbë dhe mori frymë thellë, se në ato çaste kishte ndier së brendshmi një si shuk kënaqësie: gjithçka do të shkonte për mirë.

E pra, pak e nga pak çështja do të sqarohej. Përditë e më tepër po provohej se intelektualët, ishte e pamundur që t’i qëndronin besnikë deri në fund revolucionit. Prandaj ai dhe shokët e tij të klasës, duhej të bashkoheshin patjetër tamam si një trup, për të mos lejuar kurrë që lart në udhëheqjen e partisë, të penetronin intelektualë.

“Intelektualëve duhet t’u bëhet jeta e padurueshme” – i kishte thënë atij ministri i Brendshëm, para disa ditësh; dhe atëherë R., menjëherë e kishte kuptuar sakt që lufta kundër tyre ishte ndezur e ashpër, sidomos aty lart, në gjirin e të mëdhenjve, ku dita-ditës po forcohej pozita e ministrit të Brendshëm.

E në fund të fundit çelësat e pushtetit i kemi ne, murmuriti duke luajtur nga vendi si i revoltuar, prandaj ne mund të shfarosim me gjithsej këdo, cilin të duam: se tani po shihet qartë që hija e dyshimit, po shpërndahet në të gjithë vendin. Asnjë, perveç nesh, punonjësve të Ministrisë së Brendshme, nuk do të jetë i sigurt.

Por, megjithatë, ngjarja e Mark Ashtës, kur e mendonte thellë-thellë, i lëndonte një si bezdi, një tis shqetësues që kishte frikë ta çante. Kush e kishte emëruar Ashtën në atë detyrë aq të rëndësishme? Ja, pikërisht kjo nuk i pëlqente se e dinte mirë që Mark Ashta, ish caktuar në atë vend me këmbënguljen e ministrit të Brendshëm. Eh, psherëtiu dikur, e dija unë, mendoi pastaj, e dinte mirë që ai maskara e kishte bërë për vete ministrin. Dhe ja, tani u bë yneri që prisja. Po ministri?

Eh! Në të vërtetë te ministri i tij e te askush tjetër i kishte mbështetur R., të gjitha shpresat. Atë e do partia. E duam ne. E duan jugosllavët, mendoi… se është i klasës, tha dhe prapë psherëtiu, megjithëse aty për aty i’a arriti që t’ia mbushë mendjen vetes se asgjë, asnjë forcë s’mund ta lëkundte dot pozitën e ministrit të brendshëm; se duhej ushtruar dhunë e pamëshirshme kundër intelektualëve – dhe të gjitha këto i dinte mirë ministri i tij. Prandaj duhej zënë me çdo kusht ai maskara… Mark Ashta.

Befas ngriti dorën dhe vështroi sahatin: ora ishte 08.20. Sipas shoferit i duhej dhe një orë udhë; një orë e gjysmë ndoshta. Filloi të dremisë. Memorie.al

SI.E./G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë