Viti 2024 shënoi një rekord vizitorësh në sitet e trashëgimisë kulturore duke arritur në 1.3 milionë vizitorë, ose 30% më shumë se në vitin 2023. Kryeministri Edi Rama me një video të shpërndarë në rrjetet sociale, rendit ngjarjet me të rëndësishme historike të vitit që lamë pas.
Në video-material vihet theksi te rekordi i vizitoreve që ka patur në faqen e historisë kulturore ndërsa numërohen mbi 1.3 milionë vizitorë, 30% më shumë se në vitin 2023 dhe mbi 2300 evente kulturore.
Disa nga aktivitetet me të rëndësishme që Rama rendit në vitin që lamë janë “Javët Kulturore Ndërkombëtare, me 21 shtete pjesëmarrëse, “Love as a Glass of Water” në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, rihapjen e Teatrit të restauruar të Kukullave si dhe përurimin e Muzeut Etnografik të Krujës e Muzeut Etnografik të Kavajës.
Ndërkohë, sipas Ramës vijojnë punimet për Infrastrukturën Kulturore si në Muzeun Kombëtar te Arteve të Bukura, Teatrin Kombëtar dhe Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë.
Në kuadër të rijetëzimit të trashëgmisë kulturore u realizua po ashtu projekti Art në Hapësirat Publike, në kuadër të së cilit u realizuan disa vepra si: “Terminal for Tirana”, kuruar nga Tirana Art Lab, artiste Karolina Halatek; “Çelësi Shqiptar”, realizuar nga Alfred Mirash Milot; “Foleza”, realizuar nga Vasil Dhiamandi dhe Krisiko Studio.
Një sërë aktivitetesh u organizuan po ashtu edhe për festimin e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Viti 2024 u përmbyll me një tjetër lajm të mirë, regjistrimin e K’cimit të Tropojës në UNESCO, si pjesë e listës përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.