Ngjela nënvizoi me bindje se reforma do të sjellë pastrimin e politikës dhe se në parlamentin e ri nuk do të jetë 80% e klasës politike aktuale.
Avokati deklaroi se miratimi i Vettingut është i pashmangshëm nga Gjykata Kushtetuese pasi nëse kjo nuk ndodh sipas tij këta 8 gjyqtarë së bashku me familjet e tyre nuk do të lejohen të shkelin më në Europë dhe në Amerikë.
Gjykoni se mund të ketë një vendim në kundërshtim me opinionin publik nga Gjykata Kushtetuese?
Jo sepse e ka dërguar vetë atje. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që gjykatat e vendeve të lindjes të çojnë në Venecia një çështje dhe të mos zbatohet vendimi. Edhe Putin atë që nuk do ta ndryshojë nuk e çon atje, nëse e dërgon atje do ta ndryshojë. Nuk besoj se ne të jemi më kokëfortë se Putini. Është kusht për negociatat dhe opinioni nuk e fal Gjykatën Kushtetuese nëse ligji i Vettingut nuk miratohet. Vetë fakti që Vettingu u bë kusht kjo çështje nuk duhet të shkonte në Venecia. Qeveria është në krizë të madhe financiare, në rast se nuk hap negociatat me BE. Si mendoni ju se 8 njerëz të panjohur të Gjykatës Kushtetuese do lënë pas kushtin historik të zhvillimit të Shqipërisë? Pavarësisht nga interesi i tyre kjo është një çështje që nuk ndryshon. Këta njerëz rëndojnë vetëm personalitetin e tyre. Kanë bërë korrupsion galopant dhe tani mbrohen si fëmijë. 14-vjeçarët mbrohen kështu. Kërkesën e kemi bërë ne për të hyrë në BE dhe BE ka këto kushte.
Rama u shpreh se ka frikë nga vendimi i kushtetueses, si e gjykoni?
Nuk lejohet të shprehet kështu, është jo serioze, por nuk merret parasysh. Kjo çështje është historike për Shqiptarët që nëse zvarritet nuk dihet se ç’ndodh. Ata që janë zgjedhur nga populli e kanë bërë ligjin, gjykata nuk është e zgjedhur nga populli. Është neni 17 i kushtetutës që neutralizon gjithçka. Rrezikohen gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese? E si do ikin nga rreziku? Kjo nuk mbaron me kaq. Kjo histori është mbyllur. Pse kujton se këta 140 deputetë vajtën me vullnetin e tyre votuan Kushtetutën?
Ju mendoni se do të veprohet kështu edhe ndaj kësaj trupe?
Ju garantoj që nuk do lejohen të shkojnë as në Amerikë as në BE me familjet e tyre. Vettingu do bëhet po ata do ngelin rrugëve. Nëse ata duan të bëjnë këtë, dashkan të bëjnë grusht shteti historik. Ata do vepronin kundër nëse do ishin Esatë Toptanë. Ata nuk mund të kenë luajtur mëndësh të 8.
Gjykoni se kushtetuesja e jep vendimin brenda këtij viti?
Menjëherë e jep. Ka konflikt interesi sepse kjo gjykatë nuk mund të gjykonte veten. Ata gjetën një modus dhe shkuan në Venecia me qëllimin që të korruptonin Venecian dhe Amerikën.
Lu ka ashpërsuar sërish tonet, sipas jush është i nevojshëm ky presion amerikan?
Pa presionin e Amerikës dhe Lu nuk bëheshin këto.
A e ndryshon zgjedhja e Trump marrëdhënien e Amerikës me Shqipërinë?
Politika është shkollë dhe është interes. Si do dalë kundër interesit amerikan? Si do dalë një president amerikan kundër vendit. Këta që shikon opozitarë ti, kanë shenja të radikalizmit. Clinton nuk ishte radikale por Trump do jetë më radikal me ta. Në rastin e Shqipërisë interesi është i dy krahëve edhe shqiptar edhe amerikan. Ashtu si u puq interesi shqiptar me atë të Austro-Hungarisë ku nuk humbën të gjitha trojet edhe këtë herë interesi amerikan po gërshetohet me botën shqiptare në Ballkan. Këta harrojnë se janë 2 shtete shqiptare në Ballkan dhe mund të bëhen 3. Amerika mbështetet në 2 shtete shqiptare në Ballkan. Amerika i dha pavarësinë Kosovës.
Mendoni që kjo klasë politike duhet ndryshuar e tëra për të qenë në të njëjtën linjë me interesin amerikan?
Mendoj që minimumi 80% e klasës politike nuk do jetë në parlamentin që vjen. 90 % e lidershipeve të mëdha ka mundësi të mos jenë në këtë parlament. Deri tani më kanë dalë të gjitha. Sipas të dhënave që kam parë dhe ekuacionit që kam zgjidhur në këtë korrupsion galopant që është Shqipëria mendoj se një numër i madh i kësaj klase nuk do të jetë në parlament.
Dhe kjo vetëm nga reforma në drejtësi?
Reforma në drejtësi është vetëm fillimi. Ajo nuk ka lidhje me politiken, ka lidhje me mbrojtësit e kësaj klase politike. Kjo krizë morale që vjen nga korrupsioni duhet zhbërë dhe ata menduan ta zhbëjnë me reformën në drejtësi, pasi të përfundojë kjo do të ketë reformë politike.
Mos nuk është koha e mjaftueshme deri në qershor?
Do shtyhen zgjedhjet, por nuk ka rëndësi koha. Janë identifikuar të korruptuarit. Problemi qëndron që nuk kanë folur por kjo nuk do të thotë që nuk do flasin. Denoncimet nuk do të bëhen me këtë gjyqësor. Kur gjykatat të mos kenë më frikë nga politika do bëhen.
Anketa e OSBE ku mjaft njerëz vlerësojnë regjimin komunist, kjo vjen nga politika e këtyre viteve apo duan qëndrueshmërinë?
Është modeli i keq. Dalja në skenë e Sali Berishës i dha jetë inercisë komuniste në Shqipëri. Është një model më i keq se komunizmi. Vetëm ata që e jetuan e dinin çfarë është diktatura ndërsa ky është shëmtim. Politika e tij është mesjetare, nuk besoj se janë ato shifrat por ne akoma nuk jemi ndarë nga hoxhizmi sepse e djathta diskreditoi demokracinë. Fakti që nuk ka kampe përqendrimi dhe të dënuar me vdekje u takon historianëve, ata që e kanë inat mund të bëjnë gjithçka në një anketë por Makiaveli thotë se njeriu është ndërtuar si lavdërues i kohës së shkuar. Nuk ndodh vetëm në Shqipëri kjo. Çdo anketë që behet në Shqipëri është pa brezin e ri, brezi i ri po punon, bëjnë nga dy punë jashtë dhe mbajnë edhe familjet. Nëse nuk e fshijmë këtë model shqiptarët mund të shkojnë nga ekstremi në ekstrem. OSBE nuk e ka bërë kot sondazhin, ju ka thënë politikave të mëdha perëndimorë veproni në Shqipëri se shkoi e u bë mbështetëse e të kaluarës.
Sa i përket 8 dhjetorit, ju çfarë mbani mend nga ajo ditë si e morët vësh?
Isha entuziast, jo me shumë besim. Nuk pata besim nga liderët, nuk kishte të djathtë. Ishte një e majtë që po merrte rolin e e të djathtës, nuk duhet ta kishin lejuar. Kompozicioni ishte ndarje e partisë komuniste në të majtë dhe të djathtë. Partia e Punës lindi një parti tjetër. Unë me Arben Imamin kërkova që të vihen në statut që nuk lejohet kryetari i partisë ish komunist, e hodhi Beni dhe ky i lodhi dhe ua mori. Pashko kishte qenë ish-komunist pranoi, edhe Azemi ishte pranoi dhe që nga ky moment Saliu nuk i foli më me gojë. Azemi u rendit me ata që kërkuan këtë gjë. Fati i Shqipërisë do të ishte ndryshe. Siç thotë Naimi: “U ngrit fati i Shqipërisë si i vdekuri nga varri, mori rrugët e Azisë duke bërtitur si i marri.” Këta andej e duan rrugën.
Duket sikur ende nuk ka të djathtë në Shqipëri?
Nuk ka. E djathta nuk është pozicion krahu. Këta nuk flasin kurrë për kapitalin, tregun. Flasin për kanabisin, këta janë të majtë. Nuk bëjnë dot opozitë me strukturë normale djathtas, struktura normale është tregu.
Nëse nesër kërkojmë model të ri politik kush e merr hapësirën e të djathtës?
Nuk mund të imagjinojmë por këta nuk e lënë të dalë kjo forcë. Segmenti i Partisë së Punës ka zënë te djathtën. E djathta kishte njerëz të mëdhenj me doktrinë dhe bindje të plota, por ata kanë vdekur. Ke dëgjuar të flasë ndonjëherë për tregun?
E keni vendosur se çfarë do bëni në raport me zgjedhjet e 2017?
Është shpejt akoma. Po për t’iu dhënë një test që zgjedhjet nuk janë të sigurta është fakti që Nishani e shpalli datën aq shpejt. Nëse nuk bëhen reformat nuk ka zgjedhje. Nëse reforma ecën përqindja e klasës politike dhe lidershipit që nuk shkon atje është e madhe.
E përjashtoni koalicionin me Ramën?
Marrëveshja është kontratë. Kontratën e shkelën ata. Nuk kam dalë nga aleanca se ishte përballë rrezik i madh kombëtar, jam me ta sa të ikë rreziku. E pe ç’bën me Greqinë dhe Himarën?