Ngjela: Çështja Haradinaj, test për
kohën e botën shqiptare në Ballkan

Avokati dhe politikani shqiptar, Spartak Ngjela, i ka kushtuar një analizë arrestimit të ish kryeministrit të Kosovës dhe liderit të AAK-së, në Facebook, duke e quajtur çështjen Haradinaj jo thjeshtë një çështje juridike, por një test për të gjithë botën shqiptare dhe politikën perëndimore në Ballkan.

Haradinaj i cili mori lirin me kusht nga gjykata franceze, u arrestua disa ditë më parë në bazë të një flet arresti serb në Francë.

Analiza e plotë e Spartak Ngjelës:

Çështja e Ramush Haradinajt nuk është thjesht një çështje juridike
 
Çështja Haradinaj është një test për të gjithë botën shqiptare në Ballkan; dhe gjithashtu është një test për të gjithë politikën perëndimore në Ballkan.
Raporti midis Serbisë dhe Shqipërisë si dy vende asnjëherë në paqe që nga viti 1912, në vitin 1999 u përmbys në favor të shqiptarëve. Politika amerikane me presidentin Clinton e dominoi tërësisht Perëndimin kur shkëputi shqiptarët e Kosovës nga Serbia. Kurse, më pas, u pa qartë se kjo shkëputje pas 200 vjetësh kishte ndryshuar balancën politike të Rusisë për dominimin jugosllav të Ballkanit Perëndimor, në favor të Amerikës dhe BE.

Ishte analiza anglosaksone e para që formuloi idenë se "politika anglosaksone kishte gabuar kur kish ndihmuar në prishjen e Austrohungarisë dhe krijimin e Jugosllavisë". Në fakt, ky konstatim në lidhje me historinë, erdhi më në fund dhe iu dha shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor vendin e tyre primar në qëndrimin e politikës amerikane kundër dominimit rus të Ballkanit. Pikërisht këtu del e varur realisht edhe çështja Haradinaj, prandaj që realisht është një test për politikën perëndimore në Ballkan.
Sot Ballkani është fushëbetejë politike ku përplaset Perëndimi dhe Rusia. Kur u copëtua territori shqiptar dhe iu dha si dhuratë Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, shqiptarët nuk kishin asnjë mbrojtës veç Austrohungarisë dhe Gjermanisë, të cilat edhe pse luftuan deri në fund për Shqipërinë territoriale, nuk shpëtuan dot më shumë se 28.000 kilometra katrorët e Shqipërisë, nga 70. 000 kilometra katrorë që kërkoi politika austrohungareze në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, si një territor krejtësisht i banuar nga shqiptarët.

Lufta e Kosovës përmbysi gjithçka: Rusia sot në Ballkanin Perëndimor nuk e ka më forcën e Serbisë dhe të Malit të Zi. Dhe askush nuk po e kupton nga po luan Serbia: ajo kërkon të hyjë në Bashkimin Evropian, dhe për këtë duhet të njohë Kosovën. Por, në një krah i kërkohet kushti i Kosovës për t'u anëtarësuar në BE, kurse në krahun tjetër ajo kërkon që, me anë të Francës, të burgosë heroin e pavarësisë së Kosovës, Ramush Haradinajn. Njëlloj sikur Stambolli t'i kërkonte Britanisë në vitin 1912 arrestimin në Londër të Isai Buletinit, dhe ekstradimin e tij në Stamboll, pse ky kishte luftuar me armë kundër turqve për pavarësinë e Shqipërisë e duhej dënuar nga një gjykatë osmane.
Ja pse është test për historinë e pritshme në Ballkan çështja Haradinaj.

Në politikën shqiptare sot në Shqipëri dhe në Kosovë ka shumën presion nga fqinjët kundër prosperitetit shqiptar dhe aleancës shqiptaro-amerikane. I gjithë korrupsioni shqiptar, në Shqipëri dhe në Kosovë, pret nga fqinjët, domethënë nga Rusia, kundër aleancës shqiptaro-amerikano-gjermane. Si gjithmonë që nga koha e Esat Toptanit.
Të gjitha ato që dëgjohen kundër gjuhës shqipe sot; kundër qenies shqiptarë të kosovarëve; kundër tregut të përbashkët shqiptaro-kosovar; kundër gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni, paguhen dhe urdhërohen nga kundërshtarët e vjetër.
Por e vetmja shpresë e të mundurit, është të mos ketë asnjë shpresë. Korrupsioni shtetëror shqiptar është i mundur.

Ja pse është test për kohën çështja Haradinaj.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen