Avokati Spartak Ngjela ironizoi sot kryetarin e Partisë Demorkatike Sali Berisha, në lidhje me rikthimin e konsulentit elektoral të fushatës Chris LaCivita, duke theksuar se po e shet si amerikanizëm një person të zakonshëm që nuk përfaqëson Uashingtonin zyrtar.
Ish-deputeti i PD-së, i ftuar në ‘Studio Live’ në Report Tv, iu përgjigj disa prej pyetjeve të moderatorit Arbër Hitaj në lidhje me zhvillimet politike të ditëve të fundit, fushata elektorale, akuzat PD-PS për programin elektoral, SPAK-un dhe situatat gjeopolitike në rajon.
Ngjela tha se Chris LaCivita përfaqëson një subjekt privat që kontraktohet për fushata dhe vetëm kaq, teksa PD-ja sipas tij gënjen për akuzën se PS i ka vjedhur programin. Për të, Rama i ka të fituara zgjedhjet dhe jo se PS ndodhet në kuota optimale elektorale, por sepse opozita ka në krye Sali Berishën, një person me telazhe penale me drejtësinë dhe i shpallur “non grata” nga SHBA-të.

Ngjela e thotë qartë se nuk mund të bëhet kurrë kryeministër një individ politik i shpallur “non grata” nga Amerika dhe në këtë rast për më tepër Berisha, që sipas tij po mban peng dhe në humbje të sigurt demokratët.
“Fushatat elektorale që marrin presidentët në perëndim janë të paguar si organizma, nuk janë pjesë e stafit dhe politikës amerikane në këtë rast. Secili zgjedh atë që do i bëjë fushatën elektorale. Berisha ka shkuar ka marrë atë dhe na thotë se jam me Amerikën. Janë nonsense këto, kjo ka qenë fushata e Berishës gjithë jetën, nonsens dhe mashtrim. Nuk ka vota ai. Duhet të largohet që t’i japë PD-së mundësinë për të ardhur në pushtet, nuk vjen dot në pushtet. Është non grata në Amerikë, nuk mund të vijë kurrë në pushtet, si mund të jetë kryeministër i Shqipërisë një njeri që është non grata në Amerikë. Kjo është njëra, por me Lindjen e Mesme ka punuar, ka e të tjera, ua them unë, por do dalin. Ka marrë fund, është non grata në SHBA, si do fitojë zgjedhjet?”, shprehet avokati për Report Tv.
Ai vlerëson edhe sondazhet e publikuara, përfshi edhe atë të Piepoli e Report Tv në lidhje me situatën zgjedhore dhe projeksionet, duke u shprehur se Rama dhe PS e kanë të sigurt fitoren, ndaj janë edhe të qetë, kurse Berisha është i sigurt për humbjen, por rri në opozitë vetëm për interesat personale.
“Ka sondazhe, ai ndaj është i gëzuar, i kam unë dhe ndërkombëtarët i kanë. Ku kanë vota këta të PD. Ai është i sigurt për t’i fituar zgjedhjet, e ka të sigurt. A nëse ikën Saliu? Bie ai dhe s’është kryetar partie, atëherë s’i dihet! Kam të dhëna, e mbështesin underground që të jetë ky, kam informacione. Të jetë ky. Por jo Berisha, si do vijë në pushtet ky, kur është non grata në Amerikë. A po, që ka interesin e tij, po cili është? Pyeteni! Zërat thonë se interesin e ka te pronësia që ka dhënë, SPAK po vijon, Saliu është për korrupsion në SPAK në proces penale. Nuk duhet të kemi frikë nga e vërteta. Është nën akuzë nga SPAK, nën proces penal”, thekson avokati.
Kurse në lidhje me akuzat që PD ka bërë së fundmi se PS i ka vjedhur programin elektoral, Ngjela nënvizon se është gënjeshtër e radhës, pasi në të kundërt do ishte bërë padi penale apo civile për rastin.
“Programi është vlerë, për faktin që ata nuk bëjnë padi gjyqësore, sepse është vlerë personale, kulturore dhe juridike pasi është program në funksion të pushtetit, kjo tregon se gënjejnë. Atë e zgjidh gjykata dhe jo populizmi,. Nëse mua më vjedhin programin shkoj në Gjykatë, fakti që ata nuk shkojnë do të thotë se gënjejnë. Nëse kopjojnë programin tënd është vepër penale dhe civile në dëm të një partie. Akuzat e PD si në mesjetë, gënjen. Fakti që s’kemi një gjë të tillë, pse më pyet. Në demokraci akuza shkon në gjykatë, ka marrë fund. Këto janë interes personal dhe jo kombëtar. Një parti politike që ka interes kombëtar i thotë popullit veprat dhe se çfarë do bëjë, ndryshe janë gënjeshtra. Psh. si do ndalojë emigracionin masiv. Por kujt i thua, këta nuk janë me Shqipërinë, do dalin të gjitha, po prisni”, analizon Ngjela për Report Tv.
Presidenti Amerikan Donald Trump ka interesa personale me Moskën dhe kjo shpjegon faktin se ai mban më shumë krahun e Rusisë, por është zgjedhur me votën e popullit amerikan.
Kurse Rusia e ka ëndërr Ukrainën, pasi është krijuar në Kiev, por kanë historikisht ndasi fetare.
Kështu e analizoi situatën më të fundit gjeopolitike në rajonin lindor dhe raportet Europë-SHBA, avokati Spartak Ngjela, sot në “Studio Live”.
“Donald Trump ka interesa personale në Rusinë, dihet ajo. Por ka dalë me vota, e ka votuar Amerika, çështje e tij dhe amerikanëve, jo e imja. Por duhet se ai ka marrëdhënie në Rusi dhe interesa atje. Por e kanë votuar amerikanët, është zgjedhur me votë dhe është çështja e tyre”, shprehet ish-deputeti.
Lëvizjet e fundit të NATO-s dhe BE-së për forcim ushtarak dhe bashkim kundër frontit ruso-amerikan, ai e sheh si normale dhe të duhur.
“NATO nuk është nën presion, por ka shqetësim nga Trump me sjelljen e presidentit Amerikan. Kush është kundërshtar i NATO? Rusia! Kush po ikën nga NATO? Trumpi! Duhet thënë, ndaj edhe NATO po riorganizohet, po jep miliarda euro për forcim ushtrie dhe janë bashkuar. Pse? Sepse kanë frikë se Trump po ikën nga NATO. Pse pak para ka Europa? Punë e madhe, le të ikë, ndaj edhe ata po riforcohen”, tha ai.
Kurse për krizën e luftës Ukrainë-Rusi ai u shpreh se problematika është më shumë historike që ka sjellë këtë situatë, teksa BE e do Kievin pranë saj, ndërsa analizon edhe religjionin si faktor ndarës.
“Rusia e ka ëndërr Ukrainën. Rusia është krijuar në Kiev, por i ndau feja. Ata janë ortodoksë dhe këta janë katolikë. Ukraina është me vlerë të madhe në botën europiane, BE e ka pikë të zgjedhur Kievin, ndaj e mbështet. Rusia ndaj shkoi ta pushtonte dhe Europa, po mbështet Ukrainën. Rusia po humbet shumë me luftën. Perëndimi po e kap Moskën në dëm të saj, e në favor të Ukrainës”, përfundoi avokati analizën e tij në Report Tv.
Rikthimi i amerikanëve të OPDAT në SPAK për të vijuar ekspertizën juridiko-ligjore ndaj drejtësisë në Shqipëri dhe ofruar mbështetjen, ishte i pritshëm. Kështu u shpreh sot avokati Spartak Ngjela në ‘Studio Live’, në Report Tv.
“Unë isha i bindur që do t’i kthenin, sepse është domosdoshmëri marrëveshja që Amerika ka me shtetet dhe në Ballkanin perëndimor, në raport me konfliktin që ka me Moskën. Shqipëria është vlerë e madhe historike, kështu ka qenë gjithmonë, edhe kur ishte e pushtuar e kudo, e ka tërhequr pozicioni ynë gjeografik, sidomos ngushtica. Ndaj ne, politika shqiptare, duhet ta shfrytëzojë në maksimum”, shprehet ish-deputeti demokrat.
Avokati thekson se SHBA ka interesa të forta gjeopolitike në rajon dhe veçanërisht në Shqipëri, teksa rikthimi i ekspertëve në Prokurorinë e Posaçme e ringre vendin përsëri aty ku ishte në pozicion strategjik.
“Ardhja e tyre na ngre përsëri aty ku ishim, sepse politika amerikane është në favor të interesit shqiptar”, tha ai.
Komente

