PS dhe PD bashkuan votat në parlament për të ngritur dy komisione të posaçme parlamentare, një për Reformën Zgjedhore, dhe një tjetër për Reformën Territoriale. Në të dy komisionet, mazhoranca dhe opozita do të kenë numër të barabartë anëtarësh dhe do të bashkëdrejtohen nga dy kryetarë. 

Deputetët votuan me 113 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim për Zgjedhoren ndërsa për Territorialen votuan 115 deputetë pro, 3 kundër dhe zero abstenime. Kundër ishin Agron Shehaj, Erald Kapri si dhe Redi Muçi. Mundësia, edhe pse tek zgjedhorja ka vende të garantuara, protestoi për këtë formulë. 

"Reforma Zgjedhore ka qëllim të vrasë partitë e reja, të vrasë alternativat në këtë vend, të vrasë demokracinë. Nuk e kuptoj se si mazhoranca dhe opozita bëhen bashkë dhe fshehurazi ngrenë një komision pa përfshirë partitë e reja. Keni vetëm një qëllim, që pasi keni vjedhur bashkë për 35 vite të vazhdoni të vidhni së bashku", tha Agron Shehaj. 

Redi Muçi nga Lëvizja Bashkë tha se ata janë parti parlamentare dhe jo OJF.

"Përjashtoni nga e drejta e votës parti parlamentare si me qenë ndonjë OJF apo institucion që është aty për të dhënë ca propozime apo për të dhënë mend”, tha Muçi.

Kreu i Grupit Parlamentar i PS-së, Taulant Balla replikoi duke thënë se në Komision ka përfshirje të të gjitha partive. Shehajt i përmendi se në Kuvend shënjestron PD-në për dakordësinë me socialistët për Zgjedhoren, por harron se më herët është takuar me të për kandidatët për zgjedhjet e pjesshme. 

"Është e pamundur që në një komision të posaçëm të përfshihen të gjitha partitë. Në këtë rast, për herë të parë në historinë  komisioneve zgjedhore, janë përfshirë të gjitha partitë. Kemi bërë një zgjidhje për të përfshirë dhe ty duke futur dhe partie me 2 mandate. Ti që bën interesantin, ditën takohesh me këta për kandidatë, vjen këtu dhe i shan. Kjo është pjesë e integritetit moral të çdo njeriu. ( i drejtohet Shehajt)", tha Balla.

Edhe Berisha bëri një koment për dakordësinë për Zgjedhoren.

"OSBE ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe në raportin e fundit damkosi si një farsë të shëmtuar zgjedhore zgjedhjet e 11 majit, në këtë kontekst ne ndihemi të detyruar ndaj tyre që rekomandimet e drejta t'i kthejmë në ligj ndonëse deklarojmë që në mënyrë absolute me Edi Ramën shqiptarët s’do votojnë kurrë si qytetarë të lirë.", tha Berisha. 
 

Votimi në Kuvend vjen pas dakordësisë së arritur mes të dyja palëve për barazi mes anëtarëve dhe bashkëkryetarët. Komisioni për Zgjedhoren do të përfshijë të gjitha partitë. 7 anëtarë do të ketë PS, 5 PD, 1 PSD, 1 Partia Republikane, 1 Partia e Lirisë, 1 Mundësia. Lëvizja Bashkë dhe Shqipëria Bëhet mund të sjellin deputetët për diskutime/propozime, por pa të drejtë vote. Territorialja do të ketë 8 anëtarë të PS-së, 6 të PD-së, 1 i Partisë së Lirisë dhe 1 i Fatmir Mediut.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:32
‘Komisioni i Zgjedhores teatër’, Shehaj: Ne nuk bëhemi pjesë e llumit, duan të vrasin partitë e reja

 

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ndonëse i është dhënë një vend në komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore, thotë se nuk do bëhen pjesë e këtij llumi. Sipas Shehajt, ky është një teatër dhe qëllimi i vetëm është që vrasin partitë e reja.

“Komisioni për zgjedhoren është ngritur për të vrarë partitë e reja, është një teatër, ne nuk bëhemi pjesë e teatrit, ne do flasim për reformën zgjedhore, për atë që po gatuajnë këto parti, nuk ka rëndësi nëse flasim aty, në kuvend apo media, ne nuk bëhemi pjesë e llumit, se reforma zgjedhore ka qëllim të vrasë partitë e reja. Ato i kanë votat, ajo që mund të bëjmë ne është të flasim për problemin e vërtetë që kanë zgjedhjet, financimi i partive dhe kontrolli që ata kanë mbi mediat. Këto për të cilat do flasin ata kanë vetëm një qëllim, që të mos lejojnë askënd të mos dalë si alternativë dhe ata të jenë e vetmja alternativë”, tha Shehaj.

Ora 11:18
Reforma Zgjedhore/ Gjiknuri: Brenda pak ditësh ne do japim edhe propozimet, fokusi i parë do jetë financimi i partive

 

Damian Gjiknuri, i cili do jetë bashkëkryetari i PS në komisionin për Reformën Zgjedhore tha jashtë Kuvendit se i kanë dhënë përfaqësim të gjitha partive politike, edhe atyre me 1 deputetë, të cilët nuk do të kenë të drejtë vote, por mund të bëjnë propozimet e tyre. Gjiknuri tha se PS shumë shpejt do të bëjë propozimet e saj dhe fokusi i parë do të jetë ligji për financimin e partive politike.

“Kuvendi votoi në mënyrë konsensuale ngritjen e dy komisioneve, ai për reformën zgjedhore. Për shkak të numrit të lartë të partive në Kuvend u kemi dhënë të drejtën të gjithë partive, edhe atyre me 1 mandat të marrin pjesë të bëjnë propozime, vetëm nuk janë anëtarë formal, por asgjë nuk i pengon për të qenë me të drejta të plota. Ne nuk mund të kemi numër pafund deputetësh, por e rëndësishme është ta trajtojmë në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke pasur të gjithë palët dhe duke ruajtur traditën për marrjen e ekspertizës nga ODIHR apo Venecia. Brenda pak ditësh ne do japim edhe propozimet, komisioni do nisë nga puna, fokusi i parë do jetë ligji i financimit të partive dhe ka nevojë për të adresuar”, tha Gjiknuri.

I pyetur nëse do të ketë ndryshim të sistemit zgjedhor, Gjiknuri tha se çdo gjë është në tavolinë.

“Çdo gjë është në tavolinë, edhe herën e fundit  e ndryshuam sistemin zgjedhor. Jemi të hapur se cili do të jetë varianti më i mirë, edhe për territorialen nëse do të kemi një ndarje të re territoriale për Shqipërinë”, tha Gjiknuri.

Ora 10:44
Bashkoi votat me PS për 'Zgjedhoren', Berisha: OSBE-ODIHR damkosi 11 majin si farsë! Jemi të detyruar ndaj tyre të zbatojmë rekomandimet

Kreu i PD, Sali Berisha sqaroi në Kuvend se përse u dakordësuan me mazhorancën për ngritjen e dy komisioneve të posaçme, zgjedhores dhe territoriales. Berisha tha se raporti i OSBE-ODIHR damkosi 11 majin si farsë. Por, Berisha thotë se OSBE-ODIHR tha një sërë rekomandimesh të cilat PD do të punojë për t’i plotësuar, ndonëse sipas tij me Ramën nuk ka zgjedhje të lira.

“Ne sot votuam ngritjen e këtyre komisioneve për dy arsye, së pari janë një seri e pafundme e OSBE që ne i kemi pranuar dhe besojmë se janë të rëndësishme. OSBE ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe në raportin e fundit damkosi si një farsë të shëmtuar zgjedhore zgjedhjet e 11 majit, në këtë kontekst ne ndihemi të detyruar ndaj tyre që rekomandimet e drejta ti kthejmë në ligj ndonëse deklarojmë që në mënyrë absolute me Edi Ramën shqiptarët s’do votojnë kurrë si qytetarë të lirë. Reforma territoriale ishte një antireformë në të cilën u vendosën standardet e pabarazisë maksimale. Me Ramën nuk ka zgjedhje dhe është vetëm vendimi i qytetarëve ai që do u kthejë shqiptarëve votën, është përpjekje e opozitës ajo çfarë do i kthejë shqiptarëve votën”, tha Berisha.

Ora 10:43
Fatmir Mediu: Në Komisionin Zgjedhor vota nuk ka vlerë! Të prodhohen ligje që të kemi rezultate, jo të përsërisim historinë

Deputeti Fatmir Mediu ka kërkuar që ngritja e Komisionit të ri Zgjedhor të prodhojë rezultate dhe të mos përsërisë historitë e mëparshme. Mediu kërkon që opozita të ketë të drejtën për të diskutuar se çfarë është e vlefshme apo jo në një kod zgjedhor dhe se ligjet e reja që duhet të prodhohen, duhet të çlirojnë zgjedhjet nga korrupsioni dhe krimi.

Ndër të tjera, deputeti tha se në këtë komision nuk ka të drejtë vote, por se mjafton dakordësimi mes dy bashkëkryetarëve.

“Nuk na bën nder që ky komision ecën sipas traditës parlamentare se kjo traditë nuk ka prodhuar asnjë kod elektoral që të ketë minimizuar problemet zgjedhore. Përfshira e të gjithë subjekteve politike, do të ishte e domosdoshme sidomos pa raportit të OSBE ODIHR. Ky është një komision që vota nuk ka vlerë, mjafton mirëkuptimi i dy bashkëkryetarëve. Çdo subjekt politik, nuk kanë të drejtë vote. Komision pa të drejtë vote, është një histori që ëhë përsëritur dhe ka prodhuar kode që asnjë palë nuk i kanë njohur përpara se të vijë në sallën e votimit. Prandaj mendoj që është nëse themi që ka të drejtë vetoje, atëherë le të bëjmë atë që është e domosdoshme, të ketë një konsensus paraprak, palët që janë në opozitë të kenë mundësi që të diskutoje çfarë e vlefshme dhe jo në një kod zgjedhor, përndryshe do të përsërisim të njëjtën histori, do të kemi po të njëjtin proces zgjedhor të kontrolluara nga korrupsioni dhe krimi”, tha Mediu.

Ora 10:36
Zgjedhorja/ Muçi në Kuvend: Përjashtuat Lëvizjen Bashkë nga e drejta e votës, nuk jemi OJF

 

Deputeti Redi Muçi tha në Kuvend se Lëvizja Bashkë është përjashtuar nga komisioni i reformës zgjedhore. Lëvizja Bashkë mund të marrë pjesë në komision dhe të japë propozime, por pa të drejtë vote. Muçi tha se nuk janë as OJF dhe as institucione, por parti politike dhe përfaqësojnë një pjesë të qytetarëve shqiptarë.

“Ku është tradita parlamentare, për të përjashtuar një parti që përfaqësohet në Kuvend. Dhe ai tha është me konsensus 99% dhe 1% që nuk është pjesë e konsensusit është lëvizja bashkë. Pyetja ime është, ku zboheni që përjashtoni nga e drejta e votës që parti parlamentare si me qenë ndonjë OJF apo institucion që është aty për të dhënë ca propozime apo për të dhënë mend”, tha Muçi.

Ora 10:36
Zgjedhorja/ Gjiknuri: Të gjitha partitë përfaqësohen në Komision, s’kemi mandat për ndryshime kushtetuese! Gjithçka do jetë transparente

 

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, teksa mori fjalën në Kuvend, duke iu përgjigjur akuzave të Agron Shehajt, tha se të gjitha partitë janë të përfaqësuara në këtë komision. Ai tha se nuk kanë mandat për ndryshime kushtetuese, por shtoi se puna e Komisionit do të jetë transparente.

"Në këtë zhurmën që bëhet harrohen disa detaje. Meqenëse marrë me hartimin e atij vendimi për komisionin, e para të gjithë partitë janë të përfaqësuara. Çështja e votës është irrelevante se ky komision sui generis, nuk ka një lloj të tillë në parlamentin shqiptar, votën e ka të barazvlefshme me veton e bashkëkryetarit. Veton dhe votën e kanë dy forcat e mëdha. Të gjitha partitë kanë të drejtë të kenë anëtarë dhe të bëjnë propozime si të tjerët. E pamundur t'i akomodosh të gjitha partitë te opozita se janë 13 parti se komisioni do të ishte një trend që s'do të mbaronte kurrë. Çdo anëtar i çdo partie ka të njëjtat të drejta. Vendimet merren me veton e bashkëkryetarëve. Nuk është hera e parë që bëhet kështu, kur ka pasur shumë parti edhe në 2017, është zgjedhur një tresh holl se është i pamundur t'i përfaqësosh të gjitha në Komision. Më vjen keq që hidhen insinuata të tilla, që partitë e vogla tentojnë të gjejnë fajin nga sistemi, duke harruar që vetë janë produkt i atij sistemi. Mos e paragjykoni punën e komisionit, ky s’ka mandat që të ndryshojë Kushtetutën. Gjithçka do të jetë transparente, me prezencën e ODIHR dhe të gjitha partitë kanë qenë të konsultuara. Komisioni është i balancuar, të gjitha partitë janë të përfaqësuara. Dy partitë që nuk kanë anëtar kanë të drejtë të marrin pjesë dhe të bëjnë propozime.”, u shpreh ai.

Ora 10:32
Zgjedhorja/ Shehaj i përgjigjet Ballës: Turp të flisni ju për financimin e partive, ku i gjeni miliona eurot për fushatë

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj iu përgjigj kreut të grupit të PS, Taulant Balla për reformën zgjedhore, i cili tha se duhet të adresojnë menjëherë financimin e partive. Shehaj tha se është turp që të flasë PS për financimin e partive, duke i pyetur se ku i gjejnë miliona eurot për fushata.

“Ti je mësuar duke i bërë shqiptarët për budallenj, por është e qartë se pse e keni ngritur këtë komision, ka vetëm një qëllim, të zhdukë partitë e reja, ky është qëllimi, këto lojërat që bëheni bashkë dhe pa përfshirë askënd dhe na dilni me listën ku na fusni dhe neve brenda, nuk na bëjnë pis. Si s’të vjen turp flet ti për financimin e partive politike, flisni ju. Si i financoni ju fushata ku i gjeni miliona eurot që financoni fushatat. Ku i gjen paratë, miliona euro që harxhoni nëpër mediat”, tha Shehaj.

Ora 10:30
Balla përplaset me Shehajn: Hera e parë që në komisionin zgjedhor përfshihen të gjitha partitë! Ditën i takon për kandidatë, këtu i shan

Kreu i grupit parlamentar të PS-ë, Taulant Balla është përplasur në parlament me deputetin Agron Shehaj lidhur e ngritjen e Komisionit të Posaçëm Zgjedhor. Ndër të tjera, Balla thotë se sa më shpejt duhet të nisë puna e komisioni me qëllim nxjerrjen e draftit për financimin e partive brenda datës 31 dhejtor.

Ajo që theksohet është konsensui i lartë mes mazhorancës dhe opozitës për të pasur një gjithëpërfshirje të partive në komision. Megjithatë, deputetët e Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë nuk cilësohen si anëtarë komisioni.

“Kemi marrë parasysh të gjithë traditë parlamentare. Është e pamundur që në një komision të posaçëm të përfshihen të gjitha partitë. Në këtë rast, për herë të parë në historinë  komisioneve zgjedhore, janë përfshirë të gjitha partitë.

Kemi bërë një zgjidhje për të përfshirë dhe ty duke futur dhe partie me 2 mandate. Ti që bën interesantin, ditën takohesh me këta për kandidatë, vjen këtu dhe i shan. Kjo është pjesë e integritetit moral të vdo njeriu. ( i drejtohet Shehajt)

Ne nuk bëjmë pazare, ajo që ka rëndësi për PS është që të ngihet komisionit zgjedhor, dhe të hidhen hapat, dhe duke  thënë sot që brenda 31 dhjetorit duhet të kemi gati draftin për ligjin për financimin e partive, duhet të ngremë një standard të ri të transparencës, për ti dhënë fund historive me miliona dollarë që paguhen për lobime.

E rëndësishme është që të shkojmë përpara me depolitizimin e komisioneve. Zgjedhjet e fundit treguan që partie politike kanë humbur besimin t numërimi i votave me përfaqësues të partive.

Është e pamundur që të bëhet një komision i posacëm me të gjitha partitë, je i mirëpritur në mbledhje dhe ke të gjitha të drejtat sipas asaj që kanë dhe deputetët e tjerë. Sot jemi përpara që kemi konsensus 99%”, tha Balla.

Ora 10:22
Reforma Zgjedhore/ Shehaj: Doni të vrisni partitë e reja, u bëtë bashkë për ta ngritur komisionin fshehurazi

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj hodhi akuza ndaj PS dhe PD se kanë bërë pazar fshehurazi për të ngritur komisionin për reformën zgjedhore. Shehaj tha se reforma ka për qëllim të vrasë partitë e reja.

“Reforma Zgjedhore ka qëllim të vrasë partitë e reja, të vrasë alternativat në këtë vend, të vrasë demokracinë. Nuk e kuptoj se si mazhoranca dhe opozita bëhen bashkë dhe fshehurazi ngrenë një komision pa përfshirë partitë e reja. Keni vetëm një qëllim, që pasi keni vjedhur bashkë për 35 vite të vazhdoni të vidhni së bashku, kjo po ndodh dhe këtë do bëni, ky do jetë rezultati i këtij komisioni të turpshëm, bini dakord bashkë për të vjedhur bashkë, me këtë komision këtë do bëni”, tha Agron Shehaj.

Ora 10:12
Garon për drejtimin e Vlorës në zgjedhjet e 9 nëntorit, Brunilda Mersini heq dorë nga mandati i deputetes

1761556286_kuvend27tetor2025.jpg

Brunilda Mersini ka hequr dorë nga mandati i deputetes pasi do të garojë nën siglën e PS për bashkinë e Vlorës në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit. Njoftimi u bë me dije nga kryetari i Kuvendit Niko Peleshi gjatë seancës së sotme, i cili tashmë njofton edhe KQZ për vakancën.